Kryeministri Berisha: Mallakastra, përparësi absolute në projektin e mbjelljes së 20 milionë rrënjëve ullinj

Sot, kryeministri Berisha zhvilloi një takim me banorë të Ballshit. Në fjalën e tij, kryeministri Berisha u shpreh:
“Të dashur qytetarë të Mallakastrës ,
Motra dhe vëllezër,
Së pari, ju përshëndes përzemërsisht, ju falënderoj për këtë pritje vëllazërore. Shpreh kënaqësinë time të madhe që takohem sot me ju, si qytetarë të një vendi anëtar të NATO-s, të barabartë midis të barabartëve, në aleancën më të madhe të lirisë së kohërave. Ne takohemi sot, pasi me punën, me mundin dhe djersën tonë dhe ndihmën e miqve tanë ia dolëm që Shqipëria të bëhet e përshtatshme për të aplikuar për vend anëtar në BE. Ne ia dolëm që sot të jemi të gatshëm, që brenda vitit të parë të mandatit të dytë, të lëvizim pa viza dhe të lirë në mbarë Evropën, ia dolëm së bashku të dyfishojmë pensionet e të gjithë fermerëve të Mallakastrës dhe të mbarë Shqipërisë dhe të rrisim 50 deri në 70 % pensionet e qyteti, të dyfishojmë rrogat e mësuesve të fëmijëve tanë dhe të infermierëve. Ia dolëm ndërtojmë dhe rindërtojmë në mbarë vendin 5900 km rrugë, 1012 shkolla, 720 ujësjellësa dhe dhjetëra e dhjetëra vepra të tjera. Ne ia dolëm ta vendosim Shqipërinë në orbitën e rritjes së shpejtë ekonomike. Shqipëria për dy vite me radhë, në kohën e krizës më të madhe, që bota ka njohur që nga vitet 1930, qëndron në krye të rritjes ekonomike në Evropë.
Qytetarë dhe qytetare të Mallakastrës,
Unë vij sot tek ju sërish për të kërkuar besimin tuaj, të cilin ju ftoj ju ta bazoni në premtimet e mbajtura. Unë vij sot tek ju për të kërkuar votën tuaj, në mënyrë që Mallakastra dhe mbarë Shqipëria të shndërrohet në një vend evropian. Projekti i Shqipërisë evropiane, është projekti më ambicioz që ne kemi ndërmarrë ndonjëherë. Por është një projekt që do tja dalim së bashku plotësisht. Ne që anëtarësuam Shqipërinë në NATO, ne mundet dhe do të anëtarësojmë Shqipërinë në BE. Projekti i Shqipërisë evropiane nënkupton që ju qytetarë të Mallakastrës dhe të mbarë Shqipërisë të udhëtoni në rrugë të standardeve evropiane, kudo që ju jetoni. Unë ju premtoj banorëve të kësaj treve që të gjitha komunat e saj dhe çdo komunë e Mallakastrës do të lidhen me boshte kombëtare, me rrugë kombëtare, me rrugë të asfaltuara dhe çdo fshat i këtyre komunave do të lidhet me rrugë të asfaltuara, me qendrën e komunës. Ne që asfaltuam në katër vite të 5900 km rrugë, ne nuk do të lëmë metër katror rrugë të paasfaltuar në Shqipëri.
Qytetarë dhe qytetare të Mallakastrës,
Ky mandat i dytë i qeverisë do të jetë mandati i ujit të pijshëm. Unë zotohem para jush, se siç harruam së bashku kohën e ndërprerjes së energjisë elektrike, do të harrojmë së bashku, gjatë këtij mandati, kohën e mungesës së ujit në shtëpitë tona, do të çojmë ujin në çdo familje shqiptare 24 orë.
Të dashur qytetarë te Mallakastrës,
Projekti i Shqipërisë evropiane është projekt, i cili nënkupton që ju të keni kushte jetese njësoj si qytetarët e BE-së. Unë natyrisht nuk mund të angazhohem se do të keni kushtet e jetesës së francezeve gjermanëve,italianëve apo anglezëve, por zotohem se së bashku, brenda 4 viteve ne do të kemi kushtet e jetesës, rrugë më të mira se 6 vende anëtare të BE-së, të cilat vetëm pak vite me parë kanë qene me dhjetëra e dhjetëra herë më të zhvilluara se ne. Unë jam sot këtu, për tu premtuar fermerëve të Mallakastrës se ky 4 vjeçar që vjen mbi të gjitha do të jetë 4 vjeçari i tyre. Unë zotohem se do të subvencionojmë çdo rrënjë ulliri që ju do të mbillni. Në projektin e qeverisë sime për 20 milion rrënjë ullinj, unë të parën llogaris Mallakastrën. Unë uroj që ju fermerët e Mallakastrës të mbillni 10 milion rrënjë ullinj dhe të gjitha ato rrënjë më rrënjë, ne do tua subvencionojmë.
Qytetarë dhe qytetare të Mallakastrës,
Nga ky shesh kam një thirrje miqësore për socialistët e Mallakastrës, për të gjithë socialistët shqiptarë, le të bashkohemi ne, në projektin e Shqipërisë evropiane. Ky projekt bazohet në disa norma, në disa standarde, në një moral të caktuar. Ky projekt bazohet në mbajtjen e premtimeve, por para së gjithash projekti i Shqipërisë evropiane është projekti i çdo shqiptari, është projekti më i bukur, që çdo shqiptar ka në mendjen dhe zemrën e tij, për fëmijët dhe veten e tij. Le të bashkohemi së bashku, ne qw anëtarësuam Shqipërinë në NATO, ne që bëmë realitet ëndrrën atlantiste të shqiptareve, ne do të ecim të sigurte drejt Bashkimit Evropian.
Qytetarë të Mallakastrës,
Edhe njëherë le të bëjmë thirrje mbarë qytetarëve shqiptarë, pavarësisht nga bindjet e tyre politike, të bashkohen me ne. Socialistëve të Mallakastrës dhe të mbarë Shqipërisë me zemër të hapur ju them qe ju jeni dhjetëra herë më afër me Sali Berishën, se sa me Edi Ramën, për të cilin ju jeni thjesht jeni numra pa vlerë. Sepse Edi Rama nuk guxon të dalë në krye, nuk di tu udhëheqë. Dhe kjo vetëm e vetëm për shkak të frikës dhe të tmerrit që ai ka nga rezultati i zgjedhjeve, nga vendimi i Tiranës për ti dhënë ndëshkimin shembullor. Socialistë të Mallakastrës dhe të mbarë Shqipërisë, hapni sytë se Edi Rama ju zëvendësoi ju me 99-sha. Për ju është Shqipëria, për ju është Evropa. 99-shat kanë vetëm një ideal, lejet e ndërtimit, sekserët e lejeve të ndërtimit, ndaj dhe njëherë ju bëj thirrje, merrni letërnjoftimet e reja. Votoni më 28 qershor, votoni 10-tën, 10-ta është ajo që ju meritoni, 10-ta është më e mira. 10-ta është më e vërteta, 10-ta është Shqipëria, 10-ta është Evropa, është Mallakastra , është Shqipëria.”
14/06/2009