Kryeministri Berisha: Gjergj Mehmeti, i përjetësuar në altarin e lirisë së kombit shqiptar
Kryeministri Berisha i bëri sot homazhe në ambientet e Shtëpisë Qëndrore të Ushtrisë, policit të vrarë në vitin 1997, Gjergj Mehmeti .
Në vlerësim dhe nderim të punës dhe përkushtimit të Gjergj Mehmetit Kryeministri Berisha tha se pavarësisht se kriminelët dhe falangat e rebelimit ia dolën ta djegin të gjallë Gjergj Mehmetin, ai është i përjetësuar në altarin e lirisë së kombit shqiptar.
“Sot Shqipëria dhe shqiptarët i bëjnë nderimin e merituar, i kthejnë borxhin njërit prej shërbëtorëve më të shkëlqyer të kombit dhe të shtetit, njërit prej oficerëve më trima të Policisë së Shtetit, i cili u dogj për së gjalli për të mbrojtur ligjin, rendin dhe jetën e qytetarëve. Gjergj Mehmeti ishte një nga oficerët më trima të policisë shqiptare. Vërtet bandat, kriminelët, falangat e rebelimit ia dolën ta djegin, por ai është i përjetësuar në altarin e lirisë të kombit shqiptar, ndaj dhe sot para tij përulen me nderim të madh të gjithë shqiptarët”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Efektivi i policisë së Komisariatit të Sarandës Gjergj Mehmeti u vra nga bandat kriminale gjatë trazirave të vitit 1997.