E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi pret Delegacionin e Asamblesë Konsultative të Arabisë Saudite.

11 maj 2010

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi priti sot Delegacionin e Asamblesë Konsultative të Arabisë Saudite, kryesuar nga Dr. Mohamad Bin Sa'ad Alsalem.

Pasi bëri një panoramë të shkurtër të zhvillimeve të fundit në vend, Presidenti Topi u ndal në zhvillimin e marrëdhënieve të mira dypalëshe mes vendeve tona, duke vënë në dukje se klima e bashkëpunimit midis tyre mund të përmirësohet jo vetëm në planin dypalësh, por edhe në kuadër të organizmave ndërkombëtare. Presidenti nënvizoi faktin se Shqipëria ofron mundësi konkrete në fusha të ndryshme që mund të jenë me interes për investitorët dhe biznesmenët e huaj, pasi edhe pse një vend i vogël, ajo zotëron burime të mëdha për zhvillimin e turizmit, kulturës, bujqësisë, etj.

Në vijim të bisedës Presidenti u ndal në situatën në Ballkan, ku kemi një realitet të ri gjeo-politik me shtetin e ri të Kosovës, të cilin e kanë njohur shumë vende dhe është në rrugën e njohjes nga shtete të tjera. Presidenti i Republikës vuri në dukje se Kosova po e ndërton shtetin e saj mbi bazën e multietnicitetit, duke dashur të krijojë një situatë të qetë e të stabilizuar për çdo qytetar të saj.

Nga ana e tij, Dr. Mohamad Bin Sa'ad Alsalem e falenderoi Presidentin Topi për këtë takim dhe mikpritjen që pala shqiptare i ka ofruar gjatë vizitës së delegacionit që ai kryeson në Shqipëri. Në vijim ai vlerësoi punën e bërë nga strukturat parlamentare dypalëshe për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve tona, duke shpresuar që shkëmbimi i vizitave të këtij niveli do të jetë një kontribut i rëndësishëm në këtë drejtim. Dr. Mohamad Bin Sa'ad Alsalem u shpreh më tej se Shqipëria gëzon një pozicion gjeografiik në zemër të Evropës, dhe si anëtare e NATO-s edhe në rrugën e saj të integrimit evropian, ajo ofron mundësi për thithjen e kapacitete të ndryshme.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›