Këshilli i Ministrave miraton disa projektligje dhe vendime të rëndësishme
Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e sotme vendimin “Për përcaktimin e procedurës së kalimit në pronësi të oborreve në përdorim. Duke folur për këtë vendim, kryeministri u shpreh se ai rregullon shumë mangësi, të cilat burojnë nga absurditete burokratike të periudhës para vitit ’90. “Një vendim tjetër shumë i rëndësishëm është ai për regjistrimin e oborreve. Janë me mijëra familje në Tiranë dhe në qytete, të cilat kanë oborrin në përdorim, tokën e babës dhe të gjyshit të tyre, për absurditete burokratike të para viteve ‘90. Ky vendim përcakton të gjitha procedurat se si këto oborre që janë “de fakto” pronë e tyre, bëhen pronë e tyre, por që në statusin aktual, ata nuk i përdorin dot për kolaterale.”, u shpreh për këtë vendim kryeministri.
Kryeministri u ndal gjerësisht edhe në projektligjin për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për profesionin e avokatit në Republikën e Shqipërisë”. Duke e vlerësuar rolin e avokatit, si të pazëvendësueshëm për një shoqëri të lirë dhe jashtëzakonisht të rëndësishëm për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të qytetarëve në çështjet gjyqësore, Kryeministri u shpreh se qeveria respekton dhe vlerëson kontributin e tyre të çmuar në mbrojtje të interesave të qytetarëve. Por, vijoi kryeministri, është bërë evidente në mënyrë të përsëritur në disa procese, ka prej tyre që trupëzohen, që harrojnë profesionin, kodin profesional, etikën dhe trupëzohen me klientin , bëhen pjesë e shpirtit dhe pasurive të tij të paligjshme. Në këtë kontekst, kryeministri garantoi se ligji në fjalë i hartuar me konsultën më të mirë ndërkombëtare iu jep këtij grupi të vogël pamundësinë për të abuzuar, me interesat e qytetarëve dhe të vendit.
Më gjerësisht, për këtë projektligj kryeministri u shpreh:
Është dhe një ndërhyrje në ligjin për avokatët. Këta , zonja dhe zotërinj profesionistë kanë një rol të pazëvendësueshëm për një shoqëri të lirë, jashtëzakonisht të rëndësiëhm për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të qytetarëve në çështjet gjyqësore dhe ne jemi shumë të interesuar të mbështesim këtë urdhër të tyre, respektojmë këtë profesion të tyre, vlerësojmë kontributin e tyre të çmuar në mbrojtje të interesave të qytetarëve , por siç është bërë evidente në mënyrë të përsëritur në disa procese, ka prej tyre që trupëzohen, që harrojnë profesionin, kodin profesional, etikën dhe trupëzohen me klientin , bëhen pjesë e shpirtit dhe pasurive të tij të paligjshme. Sabotojnë në mënyrën më kriminale, më të papranueshme proceset gjyqësore vetëm e vetëm se është e dobët mbrojtja që u bëjnë dhe atëherë përpiqen të shpëtojnë nga dënimi, serial killer, banditë nga më të rrezikshmit në Shqipëri dhe Evropë, duke shtyrë procese gjyqësore në afate, përtej të cilave ato nuk mund të zhvillohen. Këto nuk janë tipari kryesor i avokatisë në Shqipëri. Këto janë një pakice e vogël dhe ky ligj me konsultën më të mirë ndërkombëtare iu jep këtij grupi të vogël pamundësinë për të abuzuar siç kanë abuzuar në përpjekjen mafioze të dështimit të një seri proceseve, për të cilat ka interes e mbarë shoqëria shqiptare si dhe qytetarët e lënduar, të dëmtuar nga këto procese.
Pra ligji, duke garantuar tërësisht veprimtarinë fisnike të nderuar të avokatëve dhe unë prapë i bëj thirrje drejtuesve të Dhomës së Avokatëve se në rast se Dhoma e Noterëve mban qëndrime, edhe këta zotërinj nuk duhet të lejojnë që një grusht i vogël avokatësh të njollosin punën e shkëlqyer që bëjnë shumica e tyre. Pra kanë dhe ata tagrin tu heqin licencën, kanë dhe ata tagrin të mbrojnë Urdhrin e tyre nga individë me zero ndërgjegje profesionale.
29/08/2012