E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi përshëndet ceremoninë e diplomimit të studentëve të Shkollës Shqiptare të Studimeve Politike.

15 dhjetor 2010

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi mori pjesë sot në ceremoninë e diplomimit të brezit të katërt të studentëve të Shkollës Shqiptare të Studimeve Politike, të zhvilluar në Sallën “Consortium” të Hotel “Tirana International”.

Të pranishëm në këtë veprimtari ishin Drejtori i Përgjithshëm për Demokraci dhe Çështjet Politike i Këshillit të Evropës, Zhan-Lui Loran dhe i Ngarkuari me Punë i Komisionit Evropian në Shqipëri, zoti Luixhi Bruza, drejtues dhe pedagogë të kësaj shkolle, studentë dhe ish-studentë të saj, etj.

Pasi zhvilloi një takim të veçantë me Drejtorin e Përgjithshëm për Demokraci dhe Çështjet Politike të Këshillit të Evropës, Zhan-Lui Loran, Presidenti Topi iu drejtua të pranishmëve më këtë fjalë përshëndetëse:

“I nderuar zoti Loran,
I nderuar zoti Bruza,
I nderuar zoti Dekovi,
Shkëlqesi Ambasadorë,
Të dashur studentë që sot diplomoheni,
Zonja e Zotërinj,

Padyshim është një nga ditët e veçanta tashmë e kthyer në një traditë, ndonëse traditë 4-vjeçare. Diplomimi i studentëve të Shkollës Politike të Këshillit të Evropës, një risi tepër e veçantë e kohës të demokracisë dhe padyshim jam bërë edhe unë, si institucion, pjesë e kësaj tradite, pasi sot marr pjesë për të katërtin vit në një ceremoni të tillë.

Sot kam rastin që ta lidh këtë ditë të shënuar për ju që diplomoheni në mënyrë të veçantë me një ngjarje madhore për të gjithë shqiptarët. Sot është dita kur shqiptarët kanë hequr më së fundmi atë pengesë fizike, por më shumë psikologjike për të prekur të lirë Evropën dhe kjo simbiozë që e lidh me ceremoninë e sotme është shumë kuptimplotë. Kjo është një ditë e cila patjetër do të memorizohet dhe do të shkruhet me gërma të arta në historinë e një populli, i cili e ka kërkuar më shumë se gjithë të tjerët lirinë, një liri të munguar, një liri të izoluar për shumë vite, për shumë dekada dhe jeni fatlum, brezi i ri i cili jo vetëm ndihet i lirë, të ndjehesh i lirë natyrisht që ka mjaft shpjegime. Fjalë e lirë përmbledh në vetvete një kompleksitet ndjenjash, pozicioni moral. Liria është ajo që ne e kërkojmë çdo moment: e kërkojmë në një dialog të thjeshtë me mikun, me shokun; e kërkojmë në një rreth shoqëror; e kërkojmë në një institucion; e kërkojmë në një shoqëri. Pra, të ndihesh i lirë do të thotë shumë dhe besoj se ju keni rastin sot të ndiheni të lirë për shumë arsye, por në mënyrë të veçantë për dy arsye substanciale: së pari se jeni pjesë e kësaj arritje të jashtëzakonshme të të gjithëve, të gjithë politikës, të gjitha institucioneve, të të gjithë popullit dhe të të gjithë atyre përpjekjeve që janë bërë edhe nga ata që janë persekutuar, – asnjëherë nuk duhen harruar.

Të gjithë kanë kontributin e tyre në këtë rrugë të gjatë e të vështirë, sepse liria tek e fundit nuk vjen një ditë. Liria, sidomos për një popull si ky i yni, ka pasur dhe ka patjetër një çmim shumë të lartë. Sot është dita për t’iu shkëputur së paku për një çast për t’u ndjerë të lirë nga ideologjitë të cilat janë trashëguar, për t’u ndjerë të lirë nga frenimet psikologjike dhe për të qenë të gjithë së bashku një zë për të vlerësuar të gjithë atë meritë, atë kontribut që kanë pasur pionierët e demokracisë në Shqipëri. Së dyti një arsye shumë e fortë për të qenë të lirë është, sepse ju jeni të motivuar, jeni të motivuar për të ndjekur studimet në një Shkollë që askush nuk ju ka çuar me zor. Është një shkollë shumë prestigjoze, e cila, ndonëse është në hapat e para, katër vite janë shumë pak, por jam i bindur që kjo traditë do të vazhdojë, sepse i vazhdueshëm do të jetë kontributi i Këshillit të Evropës për të përgatitur breza të rinj politikanësh. Kjo sepse shoqëria jonë, e kam thënë dhe herë tjetër, ka qenë imponuar që të krijojë politikanë në mënyrë shumë spontane, të paformuar në shkolla specifike të politikës, por të afirmuar shumë prej tyre në përpjekjet dhe në përballjet e forta të politikës së kohës.

Të gjithë ata që janë sot, të gjithë ata që kanë kontribuar gjatë këtyre 20 viteve janë katapultuar në politikë nga profesionet e tyre, profesione nga më të ndryshmet. Por shkolla e politikës së eksperimentuar natyrisht është shumë e vyer, por të marrësh dije në shkolla specifike me standarde evropiane, me standarde të institucioneve kur ne kemi shkuar që në vitin 1995, por dëshirojmë të rrisim këto standarde për t’u perfeksionuar në të gjitha linjat, besoj që është një gjë e madhe, një shans i madh. Sot të gjithë së bashku ne festojmë. Është një mund i secilit prej jush dhe me vjen mirë që nga fjalët e atyre që diplomohen sot ka shumë ndjenjë, ka shumë përkushtim, ka shumë solidaritet dhe ka shumë vision. Jam i bindur që një pjesë prej jush, ndonëse i shikoj fizikisht për herë të parë janë pjesë e medias së Shqipërisë. Ju përgëzoj, patjetër! Një pjesë, të cilën e shoh për herë të parë, jam i bindur që vinë nga profesione të caktuara. Të mendoni që jeni futur në këtë Shkollë për t’u bërë politikanë karriere ndoshta do të ishte një motivim në sensin e gabuar. Një pjesë prej jush patjetër mund të jenë politikanë karriere, por Shkolla e Politikës nuk të mëson vetëm të bësh politikë ideologjike apo politikë parlamentare, por të bën të motivohesh që në çdo fushë të jetës aty ku ne kemi nevojë me shumicë, në politika të ndryshme të fushave ekonomike, të fushave sociale, të fushës së administratës ju të jeni në gjendje të diktoni politika bashkëkohore, politika moderne.

Ne sot flasim për shumë gjëra, por mbi të gjitha politika shqiptare në vite është motivuar përgjithësisht të bëjë debate të ashpra, debate të cilat në shumë raste diktohen edhe nga nervozizmi i politikës së ditës. Kjo është, nuk them asgjë të re. Besoj e them si një zë publik atë që ju e thoni çdo ditë edhe duke biseduar me njëri-tjetrin, edhe duke pirë kafe, edhe duke bërë debat natyrisht. Kështu që politika shqiptare jam i bindur që sikurse e ka kontributin e jashtëzakonshëm të viteve të pluralizmit për shumë reforma që janë realizuar, për shumë arritje, ju progresin e shikoni.

Dita e sotme është pjesë e atij progresi, të cilin ne e prekim dhe patjetër jemi kontribues të gjithë, por ka edhe defektet e veta. Jam i bindur që politika do të realizohet më shumë në rast se do të ketë më shumë etikë, më shumë profesionalizëm, më shumë motivim, më shumë argument dhe argumenti është me shumicë në të gjitha fushat. Kur dëshirojmë të dëgjojmë argumenta ekonomikë, dëshirojmë t’i dëgjojmë nga profesionistë apo nga politikanë, të cilët vijnë nga ato fusha, të japin kontributin e tyre real nëpërmjet pozicioneve shumë profesionale. Këtë e dëshirojmë të gjithë, e dëshirojmë për ekonominë, për çështjet sociale, për çështjet e politikës së jashtme. Ka mjaft kualitete, por më shumë dhe të rritur dhe unë besoj që dhe kontributet që vijnë dhe nga Shkolla Politikës do të kontribuojnë në këtë linjë.

Sot është dita gjithashtu që unë të bëj një përshëndetje për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 12 dhjetorit të realizuar në Kosovë, një shtet i ri, i pavarur që ka ndryshuar gjeo-politikën në rajonin tonë ballkanik dhe t’i përgëzoj për mënyrën sesi e përballuan qoftë situatën parazgjedhore, qoftë ditën e zgjedhjeve, pse jo të përgëzoj edhe qytetarët serbë, që morën pjesë në zgjedhje kjo natyrisht jo në të gjithë territorin e Kosovës, sepse një pjesë sidomos Kosova e Veriut ende është nën influencën e dukshëm të disa politikave që konsiderohen të vjetëruara për Ballkanin tonë, i cili sot realisht jeton kohë të reja. Unë dëshiroj që jo vetëm të përgëzoj institucionet e Kosovë, por t’i inkurajoj që të ndërtojnë një shtet të konsoliduar multietnik në respekt të të gjithë të drejtave të popullsive të ndryshme që jetojnë në territorin e Kosovës dhe të inkurajoj patjetër politikat e një bashkëpunimi të ngushtë të vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilat janë projektuar në mënyrë definitive në politikat euro-atlantike. Ne kemi kontribuar, kemi pasur, kemi dhe do të vazhdojmë të kemi një politikë shumë konstruktive në rajon. Ne dëshirojmë të ndërtojmë një marrëdhënie të një fqinjësie të mirë me vendet, patjetër edhe me Serbinë. Ne jemi takuar në takime multiraterale me të gjithë presidentët e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Si Shqipëri kemi realizuar takime bilaterale me të gjithë. Shumë shpejt ne do të realizojmë dhe takime të nivelit të lartë edhe me funksionarët më të lartë të Serbisë për t’u dhënë një impuls të ri marrëdhënieve miqësore. Sigurisht dihet botërisht që disa gjëra na ndajnë në mënyrë të dukshme: pozicionet përsa i përket çështjes së Kosovës janë shumë larg, por kjo nuk duhet të na frenojë që të bashkëpunojmë për shumë çështje të tjera.

Jemi një rajon ku të gjithë së bashku jo vetëm politikisht jemi të orientuar drejt Evropës dhe drejt NATO-s për një rajon që ka një treg prej më shumë se 50 milion banorë që duhet ta shfrytëzojmë në të mirë e në interes të vendeve dhe popujve tanë. Vetëm dialogu politik, vetëm një klimë konstruktiviteti e bashkëpunimi për t’u hapur rrugë investimeve do të bëjë të mundur që popujt tanë të jetojnë në paqe, të jetojnë në qetësi, të arrijnë standardet që kanë edhe vende të tjera të Evropës dhe ky është një motivim i politikës së shtetit shqiptar që do të vazhdojë ta bëjë realitet.

Natyrisht që këtu sot mund të flitet edhe për gjëra të tjera. Unë do të dëshiroja që të frenohesha këtu për të mos abuzuar me fjalën dhe për të qenë i motivuar vetëm në funksion të kësaj dite. Unë dëshiroj t’ju uroj të gjithëve pa përjashtim suksese në misionin tuaj! Edhe ngjarjet e fundit duke iu referuar prapë zgjedhjeve në Kosovë dëshmon edhe një element tjetër: që politika gjithmonë dinamizohet edhe me elementë të rinj, të cilët kanë qenë pjesë e një suksesi që ju e keni parë. Kështu që nga kjo pikëpamje, e ardhmja, pa diskutim, është e brezit të ri. Kjo është dhe dialektikë e jetës, por kjo është dhe dialektikë e politikës. Ne që kemi më shumë eksperiencë në politikë, dhe eksperienca jonë është relative, sepse sikurse thashë të gjithë janë nisur nga pozicionet e tyre profesionale, por bonsensi duhet të jetë prezent, duhet të jetë i jashtëzakonshëm nga cilido që ka më shumë eksperiencë në politikë për të krijuar hapësira për secilin prej jush. Jo për të krijuar hapësira nëpërmjet lidhjeve thjesht miqësore, sepse lidhjet miqësore do të jenë gjithmonë, por patjetër duhen vlerësuar më të mirët, sepse vetëm në këtë mënyrë ne do t’i japim politikës ngjyra të larmishme që i sjell mosha, i sjell dinamizmi, i sjell përgatitja.

Duke i marrë të gjitha së bashku në konsideratë, brezat e rinj kanë pasur dhe kanë mundësi që të jenë më të shkolluar, të jenë më të kualifikuar, sepse dhe kushtet kanë qenë të tilla. Kështu që ta hapim këtë mundësi dhe ju e keni këtë mundësi dhe unë patjetër do të jap gjithmonë në çdo mundësi që do të kem, mbështetjen për secilin prej jush, sepse patjetër jeni e ardhmja e politikës shqiptare në çdo fushë, në çdo dikaster. Dikush nga media bën me kokë, “edhe media”. Ju falemnderit!

Në përfundim të ceremonisë së diplomimit, Kryetari i Shtetit iu shpërndau diplomat studentëve të kësaj shkolle, duke iu uruar suksese në aspiratat dhe ëndrrat e tyre për të qenë pjesëmarrës dhe udhëheqës në zhvillimin dhe përparimin e mëtejshëm të vendit tonë.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›