Kryeministri Berisha: Investimet në infrastrukturë në Qarkun e Vlorës, 4 miliardë lekë
Gjatë turit të inaugurimeve në rrethin e Vlorës, Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me banorët e Selenicës. Gjatë këtij takimi Kryeministri tha se vjen në këtë qytet si një qytetar, politikan dhe shtetar i fjalës dhe premtimeve të mbajtura.
Duke iu referuar inaugurimit të përfundimit të punimeve për asfaltimin e rrugës Vlorë-Selenicë, Kryeministri tha se kjo rrugë e cila ishte shndërruar në rrugën e mundimit të banorëve të Selenicës, tashmë ua lehtëson atyre komunikimin me Vlorën dhe më gjerë.
“Kam ardhur në vitin 2005, ishte me të vërtetë një rrugë mundimi. Premtuam dhe mbajtëm premtimin dhe unë jam këtu sot për t`ju dhënë fjalën se kryetarin tuaj të bashkisë do ta mbështes në çdo projekt të këtij qyteti, në çdo projekt që këshilli bashkiak dhe kryetari do të miratojnë për të lehtësuar dhe përmirësuar jetën tuaj, për fëmijët tuaj dhe familjet tuaja”, u tha Kryeministri banorëve të Selenicës.
Më tej Kryeministri Berisha u ndal në investimet që qeveria po bën në infrastrukturë në të gjithë vendin duke veçuar faktin se vetëm në Qarkun e Vlorës po investohen 4 miliardë dollarë në ujësjellës, impiante të pastrimit të ujërave, kanalizime, rrugë, shkolla dhe qendra shëndetësore.
Nga ana e tij Kryetari i Bashkisë së Selenicës, Ilia Seferi duke shprehur kënaqësinë për prezencën e Kryeministrit Berisha risolli në vëmendje premtimin e Kryeministrit në vitin 2005 për ndërtimin e rrugës, premtim që sot u bë realitet. “Është kënaqësi e madhe për ne dhe për ju që kemi sot në mes nesh kryeministrin e Shqipërisë Sali Berisha të gjithë besoj e mbani mend fjalimin e tij kur ndër të tjera tha ‘erdhëm në Selenicë dhe numëruam gropat e rrugës’. Sot ne shikojmë se ato gropa mungojnë dhe ne kemi një rrugë të shkëlqyer. Kam kënaqësinë të veçantë të them që z Berisha që është mësuar të mbajë fjalën e dhënë na premtoi sot edhe vepra të tjera që do të realizohen në vitet që vijnë. Unë shpreh besimin tim por edhe tuajin se këto vepra do të bëhen realitet së shpejti. Ne që quheshim veendi i internimit sot jemi vendi i zhvillimit do të jemi një vend më i zhvuilluar dhe më i kultuar dhe kjo me përkrahjen e Kryeministrit Berisha”, theksoi më tej Kryetari i Bashkisë së Selenicës.
Gjatë këtij takimi Kryeministri Berisha u shpreh:
Së pari dëshiroj t`u jap përshëndetjet më të përzemërta qytetarëve të Selenicës, të shpreh kënaqësinë e veçantë se vij sot në një rrugë të re, të cilën ju e keni merituar gjithnjë dhe në çdo kohë. Ju në shekuj me mundin dhe djersën tuaj keni shtruar rrugët e Shqipërisë dhe të Europës. Kam ardhur në vitin 2005, ishte me të vertët një rrugë e mundimit, e pabesueshme.
Premtuam dhe mbajtëm premtimin dhe unë jam këtu sot për t`u dhënë ju fjalën se kryetarit tuaj të bashkisë do ta mbështes në çdo projekt të këtij qyteti, në çdo projekt që këshilli bashkiak dhe kryetari do të miraytojnë për të lehtësuar për të p[ërmirësuar jetën tuaj, për fëmijët tuaj të familjeve tuaja. Kryetari më informoi se nga investimet e dy viteve të fundit ujësjellësi është përmirësuar shumë. Përmirësime të tjera më të mëdha do të bëjmë në furnizimin me ujë, investime të tjera më të mëdha do të bëjmë në të gjitha shërbimet ndaj jush.
Ne jemi në një periudhë të paprecedentë në histori. Nëse është e vërtetë se Shqipëria erdhi në ditët e pluralizmit dhe të demokracisë si vendi më i prapambetur i Europës, kjo prapambetje ishte para së gjithash e stamposur në rrugët tona, në kanalizmet tona, në shkollat dhe spitalet tona. Dalja nga kjo prapambetje është kushti më vendimtar që fëmijët tanë të kenë një jetë krejt tjetër nga ajo që patëm ne, që fëmijët tanë të gëzojnë të gjitha pasuritë e mëdha të vendit të tyre dhe të lirisë.
Cfarë po bëjmë ne në këtë drejtim. Vërtet sot Shqipëria ka infrastrukturën më të prapambetur në Europë. Qeveria që unë kryesoj ka investimet më të larta në Europë për infrastrukturën. Kjo qeveri të dashur vëllezër dhe motra, investon sot në infrastrukturë në rrugë kanalizime, ujësjellësa, autostrada, shkolla 32 % të buxhetit, investon sot 9 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto, investon vetëm këtë vit 1.2 miliardë dollarë.
Cilat janë investimet publike të qeverive të vendeve të tjera? Më e shumta e ka 5.5 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto sepse të tjerët kanë infrastrukturën, kanë trashëguar infrastrukturë, kanë trashëguar një zhvillim krejt tjerët, Por ana pozitive e kësaj është se se me shpejtësi të madhe ne do të kemi një rrjet rrugor modern ndër më të rinjtë dhe më të zhvilluarit, rrjet rrugor që do të qarkojë në të katër anët vendin.
Ne po ndërtojmë autostrada me katër korsi nga Morina në Vlorë, po ndërtojmë supersatrada në Peshkopi, Korçë, Gjirokastër dhe në drejtime të tjera, por po ndërtojmë rrugë të standardeve më të mira kudo në çdo komunë, në çdo qytezë dhe unë ju garantoj ju se rrugët e Shqipërisë shumë më shpejt nga ç`mund të mendohet do të jenë të asfaltuara sipas standardeve më të mira europiane.Ndaj le të vazhdojmë së bashku këtë përpjekje për zhvillimin dhe modernizimin e vendit.
Qeveria në vitin 2008, pavarësisht uljes së taksave për qytetarët shqiptarë, ia doli të mbledhë një buxhet prej 4.2 miliardë dollarë, ia dolëm që vendi të ketë një buxhet publik miliardier dhe këto i kthejmë në rroga, në pensione, në rrugë, në shkolla, në kanalizime, në vepra që përmirësojnë jetën tuaj.
Për një moment ju ftoj ju të kujtoni se çfarë u ndërtuan gjatë 8 viteve që shkuan? Çfarë investimesh u bënë gjatë 8 viteve që shkuan?. Edhe segmenti i hyrjes kur nisesh nga Vlora e këtej i ndërtuar në vitin 2004-2005 ishte rikthyer siç ka qenë. Kjo është e vërteta. Po pse? Sepse ato para shpërdoroheshin , shkonin në xhepat e kontrabandistëve dhe evazorëve.
Mbrëmë po dëgjoja një statistikë europiane, në Shqipëri thoshte që varfëria është pakësuar me 30 %. Kjo nuk do të thotë se në Shqipëri s`ka të varfër, por do të thotë se Shqipëria po zhvillohet me ritme të shpejta dhe qytetarët e saj përfundimisht po ndahen nga varfëria. Kjo do të thotë se po funksionon disiplina buxhetore, disiplina fiskale. Kudo që shkoj kam nder të madh sepse shkoj si qytetar , vij si politikan, vij si shtetar i fjalës së dhënë dhe fjalës së mbajtur.
I deklaroj kryetarit tuaj të bashkisë të sjellë çdo projekt dhe ne do ta mbështesim. Buxheti ynë prej 4.2 miliardë dollarësh na lejon ne të mbështesim çdo projekt për qytetarët shqiptarë.
Vetëm në Vlorë ne investojmë në rruigë, ujësjellësa përpunimin e ujërave, furnizimin me energji elektrike 430 milionë dollarë. Kur e kam deklaruar këtë në Pallatin e Sportit kanë qenë jo të pakët ata që kanë menduar se ky është një premtim elektoral kurse sot mund t`i dëshmojë me majën e lapsit gjithsecili se ku janë këto investime.
Sot vetëm në zonat rurale të Qarkut të Vlorës janë në investim e sipër rreth 4 miliardë lekë që të gjitha në ujësjellësa, kanalizime, përpunim të ujërave të zeza, rrugë, shkolla, qendra shëndetësore.
Do ta mbyll këtë fjalë duke u përshëndetur përzemërsisht, kjo të dashur qytetarë nuk është një fushatë elektorale sado që përpiqen t`i japin këtë karakter. Kjo është një fushatë në të cilën unë vij dhe ballafaqohem me qytetarët shqiptarë me ato premitme që unë kam bërë me ato premtime që unë kam mbajtur dhe me ato që do të bëjmë në të ardhmen së bashku.