E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha inauguron përfundimin e asfaltimit të rrugës Vlorë-Selenicë

Kryeministri Berisha inauguroi sot përfundimin e punimeve për asfaltimin e rrugës Vlorë-Selenicë, investim i buxhetit të shtetit me vlerë 187 milionë lekë. 
Kryeministri tha se ky është një premtim tjetër i mbajtur i tij dhe i qeverisë së drejtuar prej tij.
Duke iu referuar gjendjes së rëndë në të cilën ishte rruga, Kryeministri Berisha tha se të vije në Selenicë ishte një nga udhëtimet më të mundimshme, ndonëse Selenica në shekuj shtroi rrugët e Shqipërisë dhe të Europës. “Rruga që të sillte këtu mund të quhej realisht rrugë e mundimshme. E asfaltuar njëherë në vitet 70, e shndërruar në një rrugë me mijëra e mijëra gropa në 2005 premtimi im i parë dhe nuk mund të kisha premtim më të parë se këtë, ishte rindërtimi i rrugës. U investuan këtu rreth 187 milionë lekë për të shtruar një rrugë në parametrat më normale për këtë zonë e cila është një zonë me një traditë shekullore minerare në bitum dhe shumë e pasur në rërat butimonoze por sot me ullishte dhe vreshta një zonë e fuqishme bujqësore. Pra edhe këtu është një premtim dhe një fjalë e mbajtur”, u shpreh Kryeministri Berisha pas inaugurimit të rrugës.

Më pas Kryeministri inauguroi përfundimin e punimeve për sistemimin, asfaltimin dhe gjelbërimin e sheshit qendror të Selenicës si dhe ndërtimin e rrugës hyrëse të qytetit.
Kryeministri siguroi kryetarin e Bashkisë së Selenicës se do të mbështesë çdo projekt për lehtësimin dhe përmirësimin e jetës së banorëve të Selenicës.
Nga ana e tij Kryetari i Bashkisë së Selenicës, Ilia Seferi duke i shprehur falenderimet Kryeministrit Berisha dhe Ministrit të Punëve Publike dhe Transportit, Sokol Olldashi për vëmendjen e treguar ndaj banorëve të kësaj zone tha se banorët e Selenicës tashmë e ndiejnë veten qytetarë të Vlorës.

 “Ministri do të ketë një kujdesje të veçantë për të gjitha projektet e kësaj zone. Do ta mbështes ministrin në çdo përpjekje për t`ua lehtësuar dhe përmirësuar jetën tuaj”, u tha  Kryeministri qytetarëve të Selenicës.
Më tej Kryeministri i sugjeroi kryetarit të Bashkisë së Selenicës që në bashkëpunim me Ministrinë e Transportit të vendosin ndriccimin për ta bërë rrugën hyrëse një nga më të bukurat.
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›