E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Vlorë-Fier, një nga zonat më të fuqishme të zhvillimit të Shqipërisë dhe rajonit

Kryeministri Berisha inspektoi sot punimet që po kryen kompania italiane Petrolifera për ndërtimin e depozitave të naftës dhe gazit në Pyllin e Sodës në rrethin e Vlorës.
Duke falënderuar kompaninë për punën cilësore që ka bërë, Kryeministri tha se investimi madhor prej 55 milionë eurosh, është i një rëndësie të veçantë jo vetëm për Vlorën, por për mbarë Shqipërinë.

Kryeministri vlerësoi kompaninë për transformimin e kësaj zone të dominuar nga karbonati i kalciumit, soda kaustike dhe derivatet e saj toksike dhe shndërrimin e saj në një vend ku po ndërtohet një vepër madhështore e energjetikës. “Me teknologjinë e fundit po ndërtohen depozitat, depot e gazit dhe porti i anijeve. Kompania po punon me vendosmëri të madhe për përmirësimin e mjedisit. Ajo po inkapsulon mërkurin nën vëzhgimin e rreptë të agjencisë së mbrojtjes së mjedisit. Për ata të cilët janë fansat e skupeve dhe thonë se Sali Berisha po shet rërën e Vlorës më lejoni të informoj se Sali Berisha me kompanitë që ka kontraktuar po furnizon Vlorën me rërë. Rreth 150-200 mijë m3 rërë të marra nga deti pasi janë analizuar janë dërguar në plazhin e Vlorës”, tha Kryeministri.

Gjithçka këtu, vijoi Kryeministri, nafta, gazi, ndërtimet dhe porti janë të standardeve më të mira. “Jam shumë i kënaqur që drejtuesi i kompanisë dhe investitorët e tjerë italianë dhe investitorët e tjerë të huaj shohin se Sali Berisha mban fjalën. Para zgjedhjeve të viti 2005 unë prita në zyrë ambasadorin tuaj. Unë e sigurova atë se Partia Demokratike do ta mbështesë plotësisht  këtë projekt dhe kështu bëmë. Ne nuk mund të infektohemi nga anti-globalizmi, i cili është varianti më absurd dhe një mbetje e marksizëm –leninizmit”, theksoi Kryeministri. 

Unë, u shpreh Kryeministri, dua të përgëzoj kompanitë shqiptare dhe të huaja që punojnë këtu sepse kanë bërë një punë shumë të lavdërueshme dhe cilësore dhe kjo është një vepër realisht madhështore dhe një nga investimet më të mëdha që po realizohet në Shqipëri. Më tej Kryeministri garantoi drejtuesit e kompanisë se vitin e ardhshëm do të inaugurohet edhe autostrada me katër korsi, e cila ka mbërritur deri në afërsi të kripores dhe që është e rëndësishme për portin , naftën dhe produktet e saj që do të tregtohen në tregun shqiptar dhe atë ballkanik.

Duke u ndalur në përfitimet që ka Shqipëria nga ky projekt, Kryeministri tha se ato janë shumë të mëdha. “Së pari ky është një investim 55 milionë euro. Së dyti këtu janë punësuar 150 punëtorë dhe janë standardet më të larta të sigurisë. Përfitimet janë komplekse, pasi kompania u nënshtrohet edhe taksave. Fitimet  e Shqipërisë janë shumë të mëdha, por Shqipëria ka dëshirë që edhe fitimet e kompanisë të jenë shumë të mëdha. Shqipëria do të jetë për të gjithë një ëin-ëin story”, u shpreh Kryeministri.

 Në këtë kontekst Kryeministri theksoi se projekte të tjera të mëdha do të realizohen në Vlorë duke shtuar se ky rajon deri në Fier do të bëhet një nga zonat më të fuqishme të zhvillimit të Shqipërisë dhe të rajonit.  

Kryeministri Berisha i'u përgjigj pyetjeve të përfaqësuesve të medias lidhur me zhvillimet e fundit politike në vend:

Pyetje: Zoti Kryeministër përse nuk quhet fushatë elektorale turi që ju keni nisur?


Kryeministri Berisha: Nuk është fushatë elektorale sepse unë e theksova edhe dje që jam njeri i fjalës së mbajtur. Unë eci me parimin; premtim dhe realizim. Unë do të shkoj në Selenicë dhe atje më kërkojnë që të shpall qytetar nderi Sokol Olldashin, sepse thone që për herë të parë pas 40 vjetësh na ka shtruar rrugën.

Pyetje: Meqënëse jemi tek fushata, a do të vëzhgohen zgjedhjet nga OSBE-ja?

Kryeministri Berisha: Më lejoni të garantoj zotin Edvin Rama dhe të garantoj çdo qytetar shqiptar se në fushatën e ardhshme elektorale qeveria do t`i kërkojë OSBE-së të dyfishojë monitorimin, do të ftojë Këshillin e Europës, Parlamentin Europian, do të ftojë Institutin Demokratik dhe Republikan amerikan, do të ftojë të gjitha NGO-të, të gjitha grupet këshilluese, organizmat dhe institucionet që monirotojnë zgjedhjet. Kjo është detyra ime. Por, unë Edi Ramën nga "rustem muratët" nuk e shpëtoj dot sepse dhe Rustem Murati është një banor që qëndroi në vend të katërt, as në bankinë jo, por e nxorri në shkallë farë. Tashmë e ka gjetur ai, për të qetësuar njerëzit brenda partisë thotë që konkuruan katër banorë. Por, nëse dalin të tjerë "rustem muratër" në zgjedhje, ky është një vend i lirë dhe qytetarët do të kenë të drejtën të garojnë. Për mua është e rëndësishme që të jetë një garë e lirë. Ndaj dhe unë nuk e shpëtoj dot Edi Ramën nga sindromi i Kasharit. Po e quaj sindromi i Kasharit sepse është një sindrom pozitiv dhe krejt e kundërta e sistemit të Dushkut. është antipodi i sistemit të Dushkut sepse ajo ndeshje në Kashar nuk ishte ndeshje midis dy kalorësve, siç ndodh zakonisht ndërmjet dy forcave të mëdha, por ndodhi ndërmjet Rustemit dhe Edi Ramës. Ishte një ndeshje krejt tjetër.

Pyetje: Zoti Berisha, flisni kështu për Ramën, ndërkohë që një pjesë e mirë opozitës ju akuzon për bashkëpunim me Ramën?

Kryeministri Berisha: Me zotin Edi Rama, kryetarin e Bashkisë së Tiranës, me zotin Shpëtim Gjika kryetarin e Bashkisë së Vlorës, si dhe me të gjithë kryetarët e Bashkive dhe Komunave të Shqipërisë, kam patur kam dhe do të kem, për aq kohë sa të jem në pushtet, një bashkëpunim në interes të qytetarëve dhe thellësisht transparent. Dhe në këtë kuadër, a keni dëgjuar ju ndonjëherë ndonjë bllokim buxheti nga këshilltarët e PD-së? Në mënyrë absolute jo.Ata kanë detyrë të mbikqyrin, por jo që të bllokojnë. Së dyti, nuk ka dyshim që për çështjet madhore të integrimit në NATO dhe në Bashkimin Evropian, zoti Rama dhe partia e tij kanë shprehur dëshirën dhe vullnetin që të proçedojnë me reforma dhe unë këtu kam vlerësimin tim të palëkundur për këtë. Ne miratuam reformën në sistemin gjyqësor, miratuam me konsensus ndryshimet historike kushtetuese, si dhe miratuam rregulloren e Parlamentit . Këto janë hapa të mëdha dhe nuk janë të shumta vendet, të cilat arrijnë t`i bëjnë bashkarisht. Unë jam i bindur se në afatin më të afërt do miratojmë Kodin Zgjedhor dhe ligje të tjera për sistemin e drejtësisë. Pavarësisht nëse i harton qeveria ato do të jenë që të gjitha produkt i një diskutimi dhe bashkëpunimi me opozitën. Pra, nëse ky quhet bashkëpunim, ky është një bashkëpunim. Por, nga ana tjetër ky është një bashkëpunim parimor, principial dhe në interesin më të mirë të vendit.

Nëse e shihni atë, ai del çdo ditë me trillime, mashtrime e shpifje kundër qeverisë, por fatmirësisht shqiptarët nuk i besojnë këto. Ai nuk mjafton vetë, por i nxjerr dhe tre megafonë të tjerë që trillojnë nga mëngjesi deri në darkë në media kundër qeverisë. Normal që këto janë punët e tij, por nuk errësojnë parimet për bashkëpunimin.

Pyetje: Zoti Berisha kur thoni që do të bashkëpunoni për ligje të tjera për drejtësinë, e keni fjalën për Prokurorinë?

Kryeministri Berisha: Që të gjitha, pa diskutim.

Pyetje: Por opozita thotë që ju kërkoni ta merrni nën varësi administrative?

Kryeministri Berisha: Trillim, ky është një trillim mediatik i paskrupullt.

Pyetje: Një shqetësim i tillë është shprehur nga një diplomat amerikan?

Kryeministri Berisha: Jo nuk ka asnjë shqetësim të tillë. Për atë draft, ka 6 muaj që po punohet me përfaqësues të shoqërisë civile, prokurorisë, të OPDAT-it, të EURALIUS-it dhe të tjerë që po bashkëpunojnë, por natyrisht është në fazën e parë. Qeveria do të punojë që këto ligje të jenë të përbashkëta me opozitën, siç bëmë me ligjin për sistemin e drejtësisë. Kështu do të veprojmë për ligjet kryesore. Unë, pavarësisht se 84 vota në parlament mund të realizohen, por unë arsyetoj që duhet të ecim me konsensus me opozitën.

Pyetje: Si e shpjegoni që ka kaq shumë dyshime?

Kryeministri Berisha: Ai (Edi Rama) pas Kasharit e ka humbur fare. A e pe, që një anë shihte gazetarët dhe në një anë Kasharin.

Pyetje: Zoti Kryeministër, pyetjes për prezencën e OSBE-së nuk i dhatë përgjigje. A keni kërkuar largimin e misionit të OSBE-së nga Shqipëria?

Kryeministri Berisha: Absolutisht jo, ky është një trillim i Edi Ramës. As nuk kam kërkuar as nuk kam ndërmend të kërkoj largimin e OSBE-së. Unë kam një parim, ndonëse ka shumë mendime sa i përket prezencës së të huajve. Por, OSBE-ja, Këshilli i Evropës dhe të gjitha institucionet e huaja të pranishme në vend kanë ndihmuar për realizimin e projekteve të mëdha të Shqiptarëve, integirmin në NATO dhe Bashkimin Evropian.

Pyetje: Zoti Kryeministër , a është e vërtetë që këtu do të ndërtohet një port kontenierësh?

Kryeministri Berisha: Jo në këtë zonë, por pak më tutje po planifikohet ndërtimi i një porti të përmasave mesatare dhe këtë Vlora e meriton plotësisht, sepse nuk ka qytet tjetër, nuk ka ujëra të tjera më të përshtatshme për një port madhështor se ujërat e Vlorës dhe unë kam shumë besim se ky projekt do të bëhet. Dua të falenderoj shumë edhe zotin Meta, i cili që anti-globalistët e aleancës i shndërroi në 'dushkarë e referendarë" dhe s`janë sot këtu duke protestuar kundër meje.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›