Kryeministri Berisha inauguron disa vepra publike në komunën e Velipojës
-Kryeministri përgëzoi kompaninë ndërtuese për përfundimin tetë muaj para kohe të punimeve të rrugës që lidh plazhin me fshatin Vilu
Gjatë vizitës në rrethin e Shkodrës, Kryeministri Berisha u ndal në komunën e Velipojës, ku mori pjesë në inaugurimin e rrugës së Luarzit dhe rrugës që lidh plazhin me fshatin Vilu.
Duke u ndalur në rrugën e Luarzit, Kryeministri e cilësoi atë nje rruge të standardeve të shkëlqyera dhe siguroi banorët e kësaj zone se qeveria ka parashikuar një seri investimesh të tjera të rëndësishme për Velipojën. “Kjo rrugë është ndërtuar sipas standardeve më të mira, dy urat në hyrje të Velipojës janë drejt përfundimit,. Gjithashtu, do të rregullohet qendra e qytetit dhe po projektohet impianti i përpunimit të ujëra, i cili do të fillojë vitin e ardhshëm. Me gjithë këto investime, projekte dhe përpjekje, ne po e shndërrojmë dhe po i japim Velipojës tiparet e një qyteti”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Më pas, Kryeministri Berisha mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të rrugës së lidh plazhin me fshatin Vilu, e përfunduar tetë muaj para afatit dhe me vlerë 55 milionë lekë.
Kryeministri Berisha përgëzoi kompaninë për përfundimin e punimeve para kohe, duke krijuar në këtë mënyrë më shumë lehtësi për pushuesit dhe banorët e kësaj zone. “I shpreh vlerësimet më të sinqerta kompanisë, e cila u ka bërë një dhurate, tetë muaj para kohe, qytetarëve dhe pushuesve. Kjo është Shqipëria me ritme të tjera, e ritmeve shumë më të shpejta nga ç’kanë qenë më parë. Shqipëria nuk është më një vend i përgjumur, por një vend ku po punohet me shpejtësi dhe me cilësi. Vendi ynë, më shumë se për çdo gjë tjetër, ka nevojë për shpejtësi dhe për cilësi”, u shpreh Kryeministri. Kryeministri Berisha siguroi banorët se se shpejti do te miratohen te tjere projekte te Komunës dhe shumë projekte të tjera të rëndësishme për këtë zonë.
Gjatë vizitës, Kryeministri u përshëndet dhe me pushues në plazhin e Velipojës, të cilët u shprehën të kënaqur me kushtet dhe shërbimet që u ofroheshin.