Kryeministri Berisha takon Presidentin dhe Drejtor Ekzekutiv i kompanisë së prodhimit të avionëve Turbo-Jet, ETIRC, zotin Roel Pieper

Kryeministri Berisha priti sot në një takim Presidentin, njëkohësisht Drejtor Ekzekutiv i kompanisë së prodhimit të avionëve Turbo-jet ETIRC aviation S.a.r.l, zotin Roel Pieper. Këta janë avionë gjashtë vendësh, të ashtuquajtur avionë taksi, të përhapur për transportin e udhëtarëve dhe mjaft të përdorshëm veçanerisht ne turizëm.
Në emër të kompanisë së tij, zoti Pieper i shprehu Kryeministrit vlerësimin për politikat dhe situatën ekonomikë të favorshme të Shqipërisë. Është pikërisht kjo klimë e përshtatshme biznesi dhe pozicioni gjeografik i Shqipërisë e cila bëri që kompania ETIRC aviation S.a.r.l të konsiderojë Shqipërinë si vend i përshtatshëm për hapjen e një filiali të kësaj kompanie për prodhimin e helikopterëve, theksoi zoti Pieper. Ai nënvizoi gjithashtu se qëllimi i vizitës së tyre në Shqipëri ishte dhe identifikimi i një terreni të përshtatshëm dhe paraqitja e një projekti konkret për aktivitetin e tyre në Shqipëri.
Kryeministri Berisha falënderoi përfaqësuesit e kompanisë dhe u shprehu atyre mbështetjen e qeverisë dhe strukturave të saj për të ndihmuar dhe lehtësuar realizimin e këtij projekti të rëndësishëm. Kryeministri vuri në dukje se Shqipëria premton shumë, jo vetëm nga pikëpamja e zhvillimit të biznesit, por edhe nga burimet njerëzore. Në këtë drejtim, Presidenti i Kompanisë ETIRC Aviation S.a.r.l, zoti Pieper, tha se në paketën e planit të investimit të kompanisë është edhe trajnimi i stafit shqiptar për të përballuar me sukses aktivitetin e kompanisë në vend.