E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Kaskada e Devollit, projekti më i madh në fushën e energjisë ujore në Europë

- Këshilli i Ministrave miraton kontratën e koncesionit për kaskadën e lumit Devoll

Këshilli i Ministrave miratoi sot kontratën e koncesionit për kaskadën e lumit Devoll. Kryeministri Berisha e konsideroi këtë projekt më të madhin në Europë në fushën e energjisë hidrike.

“Sot, - u shpreh Kryeministri - miratojmë kontratën e koncesionit për kaskadën e Devollit, aktualisht projektit më të madh në Europë në fushën e energjisë elektrike ujore. Ky projekt parashikon ndërtimin e tre hidrocentraleve, përfshirë hidrocentralin e Banjës, në kaskadën e lumit Devoll, sipas një sistemi që bazohet në ndërtimin e 60 kilometrave tunel, në mënyrë që të shmangen pasojat e sedimenteve të shumta që sjell ky lum.”

Projekti, një investim me vlerë rreth 1 miliard euro, siguron një shfrytëzim afatgjatë të ujërave të lumit Devoll, çka përbën, theksoi Kryeministri, edhe epërsinë më të madhe të këtij projekti.

“Investimi është rreth 1 miliard euro, por siguron edhe shfrytëzimin më racional dhe afatgjatë që i bëhet këtij burimi të madh ujor për vendin. Në qoftë se digat e kanë jetëgjatësinë me dekada, tunelet e kanë me shekujt. Kjo është edhe epërsia e jashtëzakonshme e këtij projekti.”

Duke e shprehur bindjen se ky projekt përbën një arritje madhore të Shqipërisë në fushën energjetike, Kryeministri  Berisha e vlerësoi atë jo si një arritje të izoluar në këtë fushë, por një hap në drejtim të realizimit të vizionin të tij, Shqipëria superfuqi e vogël energjetike në Ballkan.


21/01/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›