E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha pret Kryetarin e Partisë Socialdemokrate dhe ish-Kryeministrin e Kosovës, z. Agim Çeku

Kryeministri Berisha priti sot në një takim Kryetarin e Partisë Socialdemokrate dhe ish-Kryeministrin e Kosovës, z. Agim Çeku.
Z.  Çeku falënderoi përzemërsisht Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë, shprehu vlerësimet për ndryshimet e mëdha që konstaton në Shqipëri gjatë çdo vizite.

Kryetari i Partisë Socialdemokrate të Kosovës vlerësoi veçanërisht arritjet e qeverisë shqiptare në procesin e integrimit të vendit në NATO dhe në BE dhe në projektet e tjera madhore duke i shprehur Kryeministrit Berisha mirënjohjen për ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës-Morinë.


Kryeministri Berisha pasi i uroi mirëseardhjen z. Çeku tha se reformat në vend po japin rezultate te rëndësishme në të gjitha fushat. Vëmendja e qeverisë – theksoi Kryeministri Berisha – është përqendruar për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në përputhje me të gjitha standardet ndërkombëtare, për ta sjellë  Shqipërinë përfundimisht në hartën e vendeve ku zgjedhjet zhvillohen konform të gjitha standardeve të zgjedhjeve në vendet e lira.

Në këtë kuadër, theksoi Kryeministri Berisha, po përgatitet infrastruktura zgjedhore nga më modernet në Evropë, duke filluar me regjistrat elektronikë dhe pajisjen e shtetasve me kartat e reja të identitetit.

Më tej Kryeministri Berisha dhe z. Çeku u ndalën tek zhvillimet e fundit në Kosovë.

Të dy personalitetet vlerësuan se ndërtimi i rrugës Durrës-Kukës-Morine deri në Prishtinë do të lehtësojë dhe do të ndihmojë në thellimin dhe zgjerimin e mëtejshëm të shkëmbimeve kulturore, tregtare, ekonomike mes qytetarëve të Shqipërisë dhe Kosovës dhe do t`i japë një shtysë të re zhvillimit të turizmit të ndërsjellë.

Duke vlerësuar se projekti madhor i të dy vendeve është integrimi euroatlantik, Kryeministri Berisha dhe Kryetari i Partisë Socialdemokrate të Kosovës shprehën nevojën e thellimit dhe forcimit të mëtejshëm te lidhjeve  e shkëmbimeve kulturore e shpirtërore mes shqiptarëve kudo ku ata  jetojnë.  
                  


21/01/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›