E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria miraton dhënien e lejes për ndërtimin e përdorimin e terminalit të GNL në parkun energjetik në bregdetin e Fierit, të gazsjellësit nëndetar Shqipëri-Itali

Këshilli i Ministrave miratoi sot dhënien e lejes shoqërisë “Trans European Energy BV” për ndërtimin dhe përdorimin e terminalit të gazit natyror të lëngshëm (GNL) në parkun energjetik në bregdetin e Fierit, të një gazsjellësi nëndetar Shqipëri-Itali, si dhe rrjetit të gazit në territorin shqiptar.

Kryeministri Berisha tha se ky projekt i siguron Shqipërisë burime të mëdha gazi dhe në rast se ai do të jetë projekt fitues, midis projekteve të tjerë, territori shqiptar do të jetë i hapur.  

“Sot, - u shpreh Kryeministri - shqyrtojmë një tjetër projektvendim në fushën e energjisë, për dhënien e lejes shoqërisë “Trans European Energy BV” për ndërtimin dhe përdorimin e terminalit të gazit natyror të lëngshëm në parkun energjetik në bregdetin e Fierit, të një gazsjellësi nëndetar që do të lidhë Shqipërinë, Italinë me burimet Kaspike. Në rivalitetin e madh të gazsjellësve janë disa projekte, urojmë që ky projekt të fitojë dhe territori ynë është i hapur për këtë. Në këtë mënyrë, ne bëhemi një vend me burime të mëdha gazi, natyrisht gazsjellës.”


21/01/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›