E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Projekti për ullirin dhe boshti i jugut dy projektet më të mëdha të qeverisë për 4 vitet e ardhshme

- Qeveria miraton dhënien me koncesion të një sipërfaqeje prej 1 mijë hektarë për mbjelljen e ullirit

Në kuadër të projektit për mbjelljen e 20 milion rrënjëve ullinj, qeveria miratoi sot dhënien me koncesion të një sipërfaqeje 1 mijë hektarë për mbjelljen e ullirit. Kryeministri Berisha, duke paraqitur vendimin në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, tha se ky është hapi i parë i madh në drejtim të realizimit të këtij projekti.

“Dhënia me koncesion e një sipërfaqeje prej 1 mijë hektarësh, tërësisht zonë kodrinore, por që mendohet të kthehet në një zonë intensive të ullirit dhe shfrytëzimit të tij, është hapi i parë i madh në projektin e ullirit, i cili për mandatin që vjen, në rast se shqiptarët na votojnë, do të jetë një ndër dy projektet më të mëdha, krahas atij të boshtit të jugut,” u shpreh Kryeministri.  

Kryeministri Berisha theksoi se ky projekt do të shtrihet në mbarë vendin dhe garantoi për suksesin e tij.  

“Projekti po ecën dhe do t’ua t’u them skeptikëve që do të jenë jo vetëm 20 milion rrënjë ullinj, por të mos çuditen që realizimi i tij të mund të ndodhë para kohe. Ky është një kryeprojekt që do të shtrihet nga Hani i Hotit deri në Ksamil, në të gjithë zonën e ullirit. Skeptikët janë ata, të cilët të lënë shekuj vendnumëro. Gjërat i lëvizin ata që besojnë. Ndaj dhe ky projekt do të bëhet realitet.”

Për realizimin e këtij projekti, tha Kryeministri, ekipi i Task Force-s po përcakton një plan të detajuar veprimi.

“Task Forca ka filluar të funksionojë dhe do të konsolidohet. Ajo po përcakton planin e veprimit për të cilin nuk do të humbet as edhe një ditë e vetme, do të ndërmarrë me shpejtësi studimin e të gjithë territorit ku do të mbillet, ku do të jetë zona intensive, në të cilën mbillen nga 1 500 deri në 2000 rrënjë për hektarë, do të përcaktojë territoret ku do të ndërhyhet për të rehabilituar ullishtat ekzistuese, do të përcaktojë të gjithë mekanikën e domosdoshme bujqësore të ullirit, si për mbjelljen, ashtu edhe për vjeljen e tij, do të përcaktojë impiantet e prodhimit të fidanëve, për prodhimin e vajit të ullirit ‘extra vergine’.”

Kryeministri Berisha ftoi kryetarin e bashkisë së Tiranës t’i bashkohet dhe të japë kontribut për këtë projekt, sepse Tirana është zonë ulliri e mrekullueshme.


21/01/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›