Qeveria miraton dhënien e një fondi shtesë bashkisë Vlorës, për financimin e projektit “Rikonceptimi i Sheshit të Flamurit”
Këshilli i Ministrave miratoi dhënien e një fondi shtesë bashkisë Vlorës, për financimin e projektit “Rikonceptimi i Sheshit të Flamurit”.
Duke përgëzuar kryetarin e bashkisë së Vlorës për këtë projekt, Kryeministri ftoi autoritetet vendore të kontribuojnë që, në kuadrin e festimeve për 100 vjetorin e pavarësisë, të evidentojnë dhe nderojnë figurat dhe ngjarjet e shënuara të një shekulli histori.
“Në të gjitha zonat, rrethet e vendit ka personalitet të mëdha, ka kontribute të mëdha, ka përpjekje të mëdha në këto 100 vite, ndaj le t’u shprehim atyre nderimin tonë më të thellë. Unë gjykoj se autoritetet lokale kanë një rol të pazëvendësueshëm,” – u shpreh Kryeministri.
Fjala e Kryeministrit Berisha gjatë prezantimit të këtij vendimi:
“Sot miratojmë edhe vendimin për t’i dhënë një fond financiar shtesë bashkisë së Vlorës për financimin e projektit “Rikonceptimi i Sheshit të Flamurit”. Bashkia e Vlorës ka bërë projektin dhe ne sigurisht që do ta bashkëfinancojmë atë. Unë dua të përgëzoj kryetarin e bashkisë së Vlorës, zotin Gjika. Uroj që shembulli i tij të frymëzojë edhe kryetarët e tjerë të bashkive e komunave. 100 vjetorin, ne e kemi parashikuar ashtu siç është, një festë mbarëkombëtare dhe një mundësi kontributi të qeverisë qendrore dhe asaj vendore, që ta festojmë në mënyrën më dinjitoze. Natyrisht, ky është një shembull i zotit Gjika, i cili ka marrë një iniciativë pozitive. Ka edhe iniciativa të tjera që do të studiohen.
Unë ftoj bashkitë e komunat e vendit, sipas ngjarjeve që kanë, sipas kontributeve dhe mundësive të nderojmë sa më shumë atë histori pozitive të këtyre 100 vjetëve, ato kontribute të mëdha të atdhetarëve, patriotëve, dijetarëve e qytetarëve shqiptarë, pa të cilin nuk do të vinim sot, si qytetarë të lirë, në 100 vjetorin e këtij vendi. Në të gjitha zonat, rrethet e vendit ka personalitet të mëdha, ka kontribute të mëdha, ka përpjekje të mëdha në këto 100 vite, ndaj le t’u shprehim atyre nderimin tonë më të thellë. Unë gjykoj se autoritetet lokale kanë një rol të pazëvendësueshëm.
Komisioni Qendror është marrë me një problematikë të cilën e ka vlerësuar si më kryesore, ai nuk mundet të ezaurojë të gjithë çështjet që duhen evidentuar. Komisioni Qendror është marrë me disa aspekte të injoruara të historisë së vendit dhe jo për të ngjallur debate e kundërshti. Unë shoh se zoti Majko rrezikon të bëhet kurban i mbretërisë, për fajin e vetëm se bëri një deklaratë në përputhje të plotë me vendimet e parlamentit shqiptar për mbretin. Është parlamenti shqiptar, ai që ka vendosur referendumin dhe ka qenë në unison i gjithë spektri politik. Ju garantoj se nuk do kishte ndonjë deputet, të majtë, të qendrës apo të djathtë që do të votonte për t’i rikthyer të drejtën për të ardhur në pusht, një trashëgimie tradhtare. Kur ne votuam sëbashku për referendumin dhe unë e dekretova atë, me një marrëveshje të të gjitha forcave politike, gjykoj se forcat politike bënë një hap shumë të madh përpara, në rivlerësimin e historisë së kombit të tyre. Po kështu rikthimi pas referendumit, i familjes, votimi i ligjit në parlament për t’i dhënë një status asaj. Tani përpiqen të gjejnë armiq vetëm e vetëm se zoti Majko pati kurajën t’i qëndrojë historisë, i çliruar nga ngarkesa enveriste e saj. Por këto janë punë të tyre, ne si Komision do të duhet të vazhdojmë të bëjmë çdo përgatitje.
Ftoj edhe një herë bashkitë e komunat e vendit të bashkëngjiten në këtë periudhë, që ta festojmë këtë ngjarje, duke nderuar të gjithë ata, të cilëve u detyrohemi shumë. E vërteta është se historia jonë 100 vjeçare nuk ka qenë e thjeshtë. Ajo ka qenë shumë e vështirë, çka do të thotë se patriotët, atdhetarët, ata që ishin promotorët e saj janë përballur me vështirësi shumë të mëdha, por i kanë kapërcyer ato dhe sot, Shqipëria është e pavarur dhe feston 100 vjetorin e saj.”
12/09/2012