E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Nënstacionit elektrik i Golemit, investim dy milion euro, një tjetër premtim i mbajtur i qeverisë

Kryeministri Berisha mori pjesë sot në ceremoninë e përurimit të nënstacionit elektrik në Komunën e Golemit, financim i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes me vlerë dy milionë euro. Ky nënstacion është ndërtuar brenda një periudhe dy mujore, me fuqi 31.5 megavat (MVA), dhe i përgjigjet kërkesës gjithnjë e në rritje për energji në këtë zonë me një zhvillim të shpejtë turistik.

Kryeministri Berisha u shpreh se ky investim prej 2 milion euro është një tjetër premtim i mbajtur i qeverisë. “Ky është një tjetër premtim i mbajtur i qeverisë. Të gjitha qeveritë e mëparshme i kishin premtuar kësaj zone furnizim me ujë dhe energji elektrike, por asnjëra nuk ia realizoj përveç kësaj qeverie. Pak më parë ne inauguruam ujësjellësin për furnizimin me ujë pandërprerë të kësaj zone, ndërsa këtu inaugurojmë nënstacionin elektrik, i cili, duke e krahasuar me ekzistuesin, rrit me gjashtë herë kapacitetin e furnizimit me energji elektrike për zonën”, u shpreh Kryeministri Berisha. 

Duke përmendur inaugurimet e sotme si dhe inaugurimin e dhjetë ditëve më parë në zonën e ish Kënetës, ku një nga kanalet më të ndotura në vend u shndërrua në një nga bulevardet më moderne, Kryeministri u shpreh se këto janë dëshmitë e ndryshimeve të mëdha që po pëson vendi.

“Siç e shihni, konstanten më të lartë të shpejtësisë e ka ndryshimi. Po në këtë zonë, dhjetë ditë më parë ne inauguruam një nga bulevardet më madhështore të vendit, i cili u ndërtua mbi një nga kanalet më të ndotura. Këto janë dëshmi të një ndryshimi spektakolar. Ne po ndryshojmë Shqipërinë”, u shpreh Kryeministri Berisha.

Në këtë ceremoni, kryeministri shoqërohej nga ministri i Energjetikës z. Genc Ruli, ministri i Transporteve, Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit z. Sokol Olldashi, kryetari i Komunës së Golemit z. Agron Agalliu, etj..

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›