E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha merr pjesë në ceremoninë e dekorimit të ushtarakëve shqiptarë në misionin paqeruajtës në Bosnje-Hercegovinë

Gjatë vizitës në Bosnje-Hercegovinë, Kryeministri Berisha mori pjesë në ceremoninë e dekorimit të ushtarakëve shqiptarë që janë pjesë e misionit paqeruajtës atje, nga Shtabi i Përgjithshëm i EUFOR-it.
Kryeministri Berisha vlerësoi se me misionin e tyre paqeruajtës ushtarakët shqiptarë u bënë ambasadorë të shkëlqyer të integrimit të Shqipërisë në NATO. 
“Është një nder shumë i veçantë dekorimi nga Shtabi i Përgjithshëm i EUFOR-it i ushtarakëve shqiptarë, të cilët me rotacion janë këtu që në vitin e parë të këtij misioni të madh paqeruajtës, stabilizues në Bosnje-Hercegovinë”, u shpreh Kryeministri Berisha. 

Këta ishin njësia e parë shqiptare që u angazhua në misionin e paqeruajtësve, tha më tej Kryeministri, për t`u shpërndarë më vonë në vende të ndryshme nga Çadi në Afganistan, por me misionin  e tyre këta u bënë ambasadorë të shkëlqyer të integrimit të Shqipërisë në NATO.

Duke iu referuar anëtarësimit të shpejtë të Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut, Kryeministri tha se ushtarakët shqiptarë në Samitin e Strasburgut marrin shpërblimin më të mirë të punës së tyre të shkëlqyer gjatë këtyre viteve.

Gjithashtu Kryeministri Berisha vlerësoi se ushtarakët shqiptarë me misionet e tyre paqeruajtëse janë edhe një faktor shumë i rëndësishëm në përgatitjen e Shqipërisë për kërkesën e statusit të kandidatit për vend anëtar në Bashkimin Europian.

“Bashkëpunimi ynë me BE-në përfshin të gjitha fushat, dhe atë ushtarake në misionet më të rëndësishme që Bashkimi Europian ka ndërmarrë në Europë dhe në botë”, tha Kryeministri.     


25/03/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›