Kryeministri Berisha: Në zonat rurale të vendit janë investuar mbi 60 përqind e të gjitha investimeve
Kryeministri Berisha ishte sot i pranishëm në inaugurimin e përfundimit të rikonstruksionit të rrugës Kutalli-Gorican-Hinke, financim i dy bankave europiane, BERZH-BEI dhe qeverisë shqiptare, me vlerë 176 milionë lekë. Ky segment rrugor lidh 15 mijë banorët e komunave Kutalli dhe Poshnje, si dhe shërben si unazë lidhëse me rrugët nacionale Berat-Lushnje dhe Berat-Fier.
Rruga e vjetër, krejtësisht në gjendje të amortizuar, ka sjellë vështirësi ne transport për banoret e këtyre komunave dhe ka qene pengesa kryesore për zhvillimin e bujqësisë në këtë zonë. Rruga, me gjatësi 8.2 kilometër, pas rikonstruksionit është e pajisur me të gjithë elementët e nevojshëm të infrastrukturës, përfshirë trotuaret, sinjalistikën, kanalizimet e ujerave të bardha, hapësira parkimi, vepra arti dhe mure mbajtës.
“Ne kemi investuar në fshatrat dhe zonat rurale e të vendit mbi 60 përqind të të gjitha investimeve, kemi ndërtuar e rindërtuar mbi 8 mijë kilometra rrugë në fshatrat e Shqipërisë dhe unë ju garantoj se kurrë ndonjëherë, tapeti i kuq nuk më ka penguar e do të më pengojë të shoh gropat e rrugëve tuaja, të shoh problemet e mëdha tuaja dhe të përpiqem sëbashku me ju që t’i ndërtojmë e rindërtojmë ato,” - u shpreh Kryeministri, duke garantuar se në mandatin e ri do të ndërmerret projekti i dytë më i madh, ai i sistemit të vaditjes, do të përfundojë Boshti i Jugut dhe do të fillojë rruga Poshnje-Fier. Këto zotime, tha Kryeministri - ne i bazojmë ato, në ato që kemi realizuar.
Në këto vite, në qarkun e Beratit janë ndërtuar e rikonstruktuar mbi 500 kilometra rrugë, 60 shkolla e kopshte, 31 ujësjellës e kanalizime, 46 qendra shëndetësore e ambulancë; 25 milionë euro në sistemin e energjisë elektrike për përmirësimin e kapaciteteve të rrjetit; është dyfishuar numri i bizneseve, nga 2820 biznese në vitin 2005, në 5350 në vitin 2012.
Në përshëndetjen e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Së pari, përshëndetjet më të zjarrta juve dhe të gjithë banorëve të komunës Kutalli, Poshnje e Gorican, për punën mahnitëse që keni bërë në fermat tuaja, për qëndisjen që i keni bërë atyre, me mundin e djersën tuaj. Tek vjen tek ju, nga larg, njeriu mendon se ka një liqen të madh përpara ose është në bregdet. Në këto anë, serat që ju keni mbjellë me perime e prodhime të tjera janë të panumërta. Udhëtari mahnitet e frymëzohet nga kodrat që ju keni qëndisur me ullinj, vreshta e pemë të tjera. Nga rruga automobilistike e deri këtu nuk pashë kund një tokë të papunuar e të paqëndisur nga duart e djersa juaj. Si një gjerdan i bukur, në territorin e komunës suaj shtrihet rruga që sapo inauguruam, një investim prej 176 milionë lekë, me gjatësi 8.6 metra dhe e parametrave më të mira.
Të dashur miq,
në këto vite, ne jemi përpjekur t’ju dëshmojmë juve respektin, miqësinë, ndjeshmërinë dhe vlerësimin tonë të madh për punën tuaj. Ne kemi bërë gjithçka, për t’ju mbështetur dhe lehtësuar gjithnjë e më shumë përpjekjet tuaja të mëdha për mirëqenie, zhvillim e prosperitet. Natyrisht, ne nuk kemi realizuar gjithçka ju meritoni e keni nevojë, por një gjë është e sigurt se ne kemi investuar në fshatrat dhe zonat rurale të vendit mbi 60 përqind të të gjitha investimeve, kemi ndërtuar e rindërtuar mbi 8 mijë kilometra rrugë në fshatrat e Shqipërisë dhe unë ju garantoj se kurrë ndonjëherë, tapeti i kuq nuk më ka penguar e do të më pengojë të shoh gropat e rrugëve tuaja, të shoh problemet e mëdha tuaja dhe të përpiqem sëbashku me ju që t’i ndërtojmë e rindërtojmë ato.
Ju jeni frymëzim i madh për të gjithë ata që i besojnë punës dhe i përkushtohen asaj. Sot, Berati prodhon 28 përqind të ullinjve të Shqipërisë. Sot, Berati është eksportues ndër më kryesor i domateve dhe perimeve. Sot, Berati qëndron në krye të përpjekjeve të fermerëve shqiptarë, për mirëqenie, prosperitet e zhvillim.
Vëllezër e motra,
ne kemi dëshmuar respektin e dashurinë ndaj jush. Në një akt unik, ne mbi dyfishuam pensionet tuaja. Tek vija këtu në komunën tuaj, mendova se po eci në një lagje të një qyteti, përsa i përket rrugës. Ne u zotuam para jush se rrugët e asfaltuara, shkollat, energjia elektrike, furnizimi me ujë e qendra shëndetësore të njëjta me lagjet e qyteteve. Këto kohë, ne morëm një hap tjetër shumë të madh në mbështetjen tuaj, hoqëm çdo taksë e tarifë për çdo import që ju nevojitet juve, për prodhimin bujqësor e blegtoral.
Tani, thirrja ime vëllazërore për të gjithë ju, për të gjithë banorët e Kutallisë, Poshnjes, të Beratit e të gjithë Shqipërisë është t’i shtroni pyetjen vetes se çfarë ju ofron rilindësi i madh Edi Rama. Ju ofron rilindjen e tokës?! Atëherë, i thoni: urdhëro zotëri e shihe si e kemi rilindur tokën, këtu. Çfarë ju ofron shoku Rama? Ai ju thotë se rrugët nuk krijojnë vende pune, por ju i thoni: urdhëro e shiko sa vende pune janë krijuar në fermat e ullishtat tona. Ju lutem t’i shtroni disa pyetje: si ka mundësi që votove kundër çdo mbështetje për fermerin shqiptar; që votove kundër rritjes së pensioneve të fermerëve; që votove kundër buxhetit të rrugëve rurale, kundër granteve të fermerëve, që vetëm këtu në Berat kanë përfituar 6840 fermerë për ullishte, vreshta e të tjera; që votove e bërë gjithçka që shqiptarët të mos lëvizin të lirë në mbarë Europën, në një kohë kur vetë lëvizje me pasaportë diplomatike kudo ku shkoje; që bllokove tre ligje në parlament, vetëm e vetëm që Shqipëria të mos merrte statusin e të mos pesëfishoheshin ndihmat për fermerët shqiptarë nga Bashkimi Europian, të mos pesëfishohen ndihmat për Shqipërinë. Tani që koha kaloi për këtë periudhë, për marrjen e statusit, ai kërkon të lajë duart si Ponc Pilati dhe thotë hajde të votojmë ligjet në parlament. Por përse nuk i votoi në shkurt, në mars? Sepse mbajti testamentin e etërve të tij.
Të dashur miq,
po ecim drejt një mandati të ri. Jam sot për t’ju dhënë fjalën se në mandatin e ri do të përfundojë së asfaltuara çdo rrugë e rrugicë e komunës suaj dhe e çdo komune në Shqipëri. Në mandatin e ri do të trefishojmë grantet për fermerët shqiptarë. Në mandatin e ri, pas rrugëve do të ndërtojmë projektin e dytë më të madh në histori, atë të sistemit të vaditjes në të katër anët e Shqipërisë. Në mandatin e ri do të përfundojë Boshti i Jugut dhe se para zgjedhjeve do të përfundojë rruga Lushnje-Berat dhe se rruga Poshnje-Fier do të fillojë nga të gjitha anët. Këto janë zotimet tona dhe ne i bazojmë ato, në ato që kemi realizuar. Ne do të bëjmë gjithçka që katër vitet e tjera të bëjmë shumë herë më tepër, për ju e fermerët shqiptarë.
Nga pala tjetër dëgjoni sharje e vetëm sharje. Një ditë sulmon me tërbim infermierët, duke harruar se ato janë nënat tona, motrat tona, vajzat tona, të cilat bëjnë sot punën më të vështirë. Ditën tjetër i quan nxënësit dele në klasë dhe mësuesit më të padijshëm se ata 100 vjet më parë. Do t’i them këtij zotërie se mësuesit tanë janë gra e burra, vajza e djem fisnikë, që mësojmë fëmijët tanë me moral e përkushtim të lartë, që nuk janë rritur në bunkerin e bllokut, por janë rritur si njerëz të lirë dhe shkrijnë energjitë e tyre për vendin. Ditën tjetër sulmon policinë, sulmon ushtrinë, sulmon çdo gjë që dyshon se i kërcënon karrigen e ardhshme atij.
Ju ftoj të mos harroni kurrë zgjedhjet lokale të vitit 2007. Sot deklaruan se për Berishën votuan eskimezët. Unë jam krenar me ju, jam krenar me votën tuaj, jam krenar me votën e shqiptarëve kudo ku janë. Edhe një herë ju bëj thirrje që këtë periudhë le t’ia përkushtojmë të gjitha punëve të stinës, por t’ia përkushtojmë edhe një pune tjetër të madhe, mandatit tonë të ardhshëm. Ne jemi ndryshimi – Përpara, përpara, përpara!”
10/04/2013