E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Kontributi i sektorit privat në arsim, një nga qëllimet e qeverisë

- Kryeministri Berisha mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të universitetit “Nëna Mbretëreshë Geraldinë” në Burrel, një iniciativë private.

Kryeministri Berisha mori pjesë sot në ceremoninë e inaugurimit të universitetit “Nëna Mbretëreshë Geraldinë” në Burrel, një iniciativë private. Kryeministri Berisha vlerësoi se e veçanta e këtij universiteti është se pjesë përbërëse e tij është edhe shkolla e mesme. Kryeministri i shprehu gjithashtu vlerësimet stafit pedagogjik për cilësinë e mësimdhënies, e dëshmuar kjo në rezultatet shumë të mira që nxënësit e saj arritën këtë vit në maturën shtetërore.  

Kryeministri Berisha, i shoqëruar nga ministri i Arsimit dhe Shkencës Fatos Beja, vizitoi ambientet e shkollës së mesme dhe universitetit, laboratorët e ndryshëm të shkencave të natyrës, kabinetin e informatikës, si dhe u takua me nxënës e mësues dhe pedagogë.

Kryeministri tha se hapja drejt sektorit privat dhe angazhimi i këtij sektori në arsim është një nga qëllimet kryesore të qeverisë dhe do të mbetet e tillë edhe në vitet e ardhshëm. “Qeveria, - u shpreh Kryeministri - do të bashkëpunojë ngushtë me sektorin privat, në mënyrë  që investimet për shkollimin e fëmijëve tanë të jenë disa herë më të mëdha.”

Duke theksuar se në këto tre vjet, arritjet në arsim janë të mëdha dhe të rëndësishme, Kryeministri përmendi rritjen e pagave të arsimtarëve me 75 për qind, liberalizimin e universiteteve që sot numërojnë 115 mijë studentë, kundrejt 52 mijë në vitin 2004-2005, katërfishimi i investimeve për universitetet, shtrirja e internetit në të gjitha shkollat e vendin brenda vitit 2008, si dhe ndërtimi dhe rikonstruksioni i qindra shkollave. Kryeministri siguroi se investimet për arsimin do të jenë gjithnjë e më të mëdha.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Dëshiroj t’ju përshëndes shumë përzemërsisht, të shpreh kënaqësinë më të madhe për këtë iniciativë të mrekullueshme për ngritjen e universitetit tuaj, i cili mban emrin e një personaliteti ndër më të respektuarit në tërë historinë kombëtare, emrin e mbretëreshës Geraldinë.

Unë gjithashtu dua të përgëzoj nismën e hapjes së një universiteti dhe një shkolle private këtu në Mat. Drejtori i shkollës më informoi se të gjithë maturantët e kësaj shkolle fituan të drejtën për vazhdimin e universitetit, çka dëshmon për një cilësi shumë të lartë të mësimdhënies në këtë shkollë.

Duke përgëzuar të gjithë stafin pedagogjik, nxënësit dhe pedagogët, dua t’ju siguroj se hapja e qeverisë drejt sektorit privat dhe kontributit të pazëvendësueshëm të këtij sektori në arsimimin e fëmijëve tanë, është dhe do të mbetet një nga qëllimet më kryesore të kësaj qeverie gjatë viteve që vijnë.

Sot, ne e kemi arsimin përparësinë më të madhe, por ju garantoj se nesër, ai do të jetë përparësia absolute e jona. Nesër, Shqipëria do ketë rrjetin rrugor europian që meriton, sepse pa rrugë nuk ka zhvillim. Ndaj ne sot investojmë në rrugët e vendit 32 për qind të buxhetit. Megjithëse edhe në këto kushte, ne shkojmë drejt dyfishimit të buxhetit për arsimit, ju siguroj se në vitet që vijnë, ky buxhet do të njohë një shumëfishim të madh, sepse qeveria do të bashkëpunojë ngushtë me sektorin privat, në mënyrë  që investimet për shkollimin e fëmijëve tanë të jenë disa herë më të mëdha.

Në këto 3 vjet, ne kemi arritur rezultate jashtëzakonisht të rëndësishme në arsim. Në këto 3 vjet, trupa pedagogjike arsimore e Shqipërisë është më e mirëpaguar se kurrë. Në fillim, ne deklaruam se do ta nisnim këtë reformë me arsimtarin dhe sot, arsimtarët e vendit marrin një pagë 75 për qind më shumë, se 3 vjet më parë.

Premtuam se do liberalizojmë universitetet. Këtë vit, Shqipëria numëron mbi 115 mijë studentë, kundrejt vetëm 52 mijë studentëve që ishin në vitin 2004-2005.

Premtuam që do shtrijmë internetin në të gjitha shkollat e vendit dhe kur bëmë këtë premtim pati edhe nënqeshje. Por ne ishim të vendosur që çdo fëmijë i këtij vendi, kudo që të ndodhet, në Macukull, në Frashër, në Konispol, të mund të lundrojë në internet njësoj si fëmija im, njësoj si moshatarët e tij në Shqipëri e Europë. Kjo po shndërrohet në realitet dhe jo deri në vitin 2009, por po bëhet realitet brenda vitit 2008.

Ne po vazhdojmë investimet për arsimin. Kemi katërfishuar investimet për universitetet. Ne po ndërtojmë me qindra shkolla dhe ju jap fjalën se gjatë viteve që vijnë, nuk do ketë shkollë në Shqipëri që të mos jetë e re apo e rikonstruktuar. Arsimimi do të jetë përparësia jonë absolute. Sa më shumë të investojmë për fëmijët, aq më lart do ta çojnë ata Matin dhe Shqipërinë.”

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›