E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Rritja dy shifrore e ekonomisë shqiptare shton besimin e qytetarëve për një të ardhme më të mirë

Kryeministri Berisha vlerësoi sot, në mbledhjen e Grupit parlamentar të Partisë Demokratike zhvillimet e vrullshme të ekonomisë shqiptare të cilat, pas nënshkrimit të MSA-së dhe ftesës për anëtarësim në NATO janë zhvillimet më pozitive dhe më të rëndësishme për Shqipërinë.  

Duke u ndalur në raportin e fundit të Bankës Botërore, si një dëshmi  e arritjeve reale të ekonomisë shqiptare, Kryeministri theksoi se tabloja aktuale ekonomike që ofron Shqipëria  është e vetmja në tërë historinë  pluralizmit. “ Muaji gusht shënoi periudhën tre mujore me rritjen më të lartë ekonomike dhe inflacionin më të ulët. Shqipëria sot është vendi me inflacionin 2.5 % dhe rritjen ekonomike rreth 11 % , pra i rritjes dy shifrore.”

Kryeministri vuri në dukje se Shqipëria krahasohet me sukses për sa i përket inflacionit edhe me vende të tjera, më të zhvilluara në disa aspekte, të cilat shënojnë një shifër prej 6 deri në 10 % të inflacionit.

Kryeministri theksoi rritja dy shifrore bazohet në rritjen e vëllimit të ndërtimit, në një rritje shumë të madhe të eksporteve rreth 42 %, në rritjen e vëllimit të tregtisë mbi 32 %, të rritjes së prodhimit bujqësor, etj.

Kryeministri u shpreh se qeveria shqiptare tashmë e ka arritur objektivin e saj themelor, vendosjen e vendit në orbitën e rritjes së shpejtë ekonomike, madje  e ka tejkaluar këtë objektiv. “Objektivi më i vështirë i kësaj qeverie, i cili ka qenë vendosja e Shqipërisë në orbitën e rritjes së shpejtë ekonomike është realizuar në mënyrë të shkëlqyer. Shqipëria jo vetëm që ka hyrë në orbitën e vendeve me rritje të shpejtë ekonomike, por është në orbitën e vendeve me rritje dy shifrore. Orbita e rritjes dyshifrore është tepër e rrallë në Evropë. Është një avantazh i jashtëzakonshëm, kështu që shqiptaret ndihen dy herë më optimist , dy herë më të bindur tek vendi i tyre , tek e ardhmja e tyre.”

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›