E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Reformat e ndërmarra nga qeveria, vendimtare për zhvillimin e tregut dhe lirisë së tij

Kryeministri Berisha tha sot në mbledhjen e Grupit parlamentar se reformat e ndërmarra me sukses nga qeveria  në fushën ekonomike i dhanë Shqipërisë një pozicion të ri, për sa i përket zhvillimit të tregut dhe lirisë së tij.  “Ne do të ndërmarrim çdo vendim për të vendosur në Shqipëri praktikat më të mira botërore dhe një ekonomi me rritje dy shifrore duhet të ketë të gjithë hapësirat e lirisë për ekspansionin e mëtejshëm të kësaj rritje.

Duke nënvizuar se  “Doing Bussines” është vetëm një stacion i rëndësishëm, i cili bën të mundur të shihet drejt horizontit të ri, tek i cili duhet të arrihet, Kryeministri  siguroi se qeveria do të procedojë me shpejtësi, vendosmëri dhe energjizëm në këtë objektiv, për thellimin gjithnjë e më të madh të këtyre reformave,jashtëzakonisht të rëndësishme për prosperitetin e Shqipërisë dhe qytetarëve të saj.

Duke evidentuar se Shqipëria është  në prag të zhvillimeve shumë të mëdha, në fushën e ekonomisë, Kryeministri siguroi se motoja e qeverisë do të jetë reforma dhe vetëm reforma. “Javën që vjen hapet gara për gjashtë parqet industriale. Kjo vjen në kohën më të përshtatshme , sepse ato hapen në një vend me rritje ekonomike dy shifrore. Interesi për to do të jetë maksimal. Javët në vazhdim janë javë privatizimesh shumë të rëndësishme, janë  javë koncesionesh shumë të mëdha.”

Duke u ndalur në mënyrë të veçantë, në sektorin energjetik, kryeministri u shpreh se falë lehtësimit të procedurave, në Shqipëri operojnë kompanitë më të rëndësishme në fushën e ndërtimit të HEC-ve. “Një vit më parë, bazuar në parimin se ujërat janë pasuria më e madhe e këtij vendi, ne bëmë një përqëndrim të madh te hidrocentralet, fushë në të cilën ekzistonte një kaos i plotë i paimagjinueshëm, por sot me shpejtësinë e procedurave kthjelltësinë dhe qartësinë ne lamë mbrapa çdo vend të rajonit. Prapë ka dobësira, sepse ai ishte një mozaik i thyer, çështja e ujit dhe e hidrocentraleve në tërësi ishte një mozaik i thyer. Por tani  pa diskutim është një nga linjat më të rëndësishme , dhe janë në Shqipëri kompanitë më të mëdha të europës në projektime në këtë vend, nga Norvegjia deri në Qipro.“

Kryeministri garantoi se do të bëhet më shumë në drejtim të liberalizmit të licensave dhe të lejeve të ndërtimit. Kryeministri u shpreh se ka kërkuar nga specilaistët përkatës të përshtasin standardet ligjore evropiane, më të mira në këtë drejtim. „Në kuadër të Pragut të Llogarisë së Mijëvjeçarit ne do të ndërtojmë One Stop Shop për licencat dhe lejet. 103 i hoqëm dhe këto do ti vendosim në One Stop Shop. Problem jo i vogël, ndëshkues janë lejet e ndërtimit. Çdo investim si rregull ka një ndërtim, ndaj kam porositur specialistët të shohin standardin më të mirë në botë që ekziston për këtë dhe në mënyrë absolute do të jepen të gjtiha modalitetet që ai standard të vendoset në Shqipëri. Pasi asnjë vend nuk ka më shumë nevojë se Shqipëria për investime dhe zhvillim të shpejtë.”

Në përfundim të fjalës së tij, kryeministti u shpreh se politika fiskale e ndjekur nga qeveria gjate këtyre tre viteve u provua  e suksesshme. “Ne jemi shembulli më spektakolar i zgjerimit të lirisë dhe rritjes së të ardhurave. Ne u ngjitëm në 96 pikë në lirinë fiskale. Edhe të tjerët kanë ulur taksat, por absolutisht asnjë nuk ka rritur dot të ardhurat me 22 përqind në vit siç kemi rritur ne. Në këtë aspekt duhet të jemi shumë krenarë me filozofinë, parimet që mbrojtëm dhe zbatuam në programin e kësaj qeverie gjatë këtyre tre viteve.” tha kryeministri.  

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›