E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Zhvillimi i qëndrueshëm rural, përparësi madhore e qeverisë

- Kryeministri Berisha ishte i pranishëm në inaugurimin e fillimit të punimeve për kanalin ujitës në Klos, investim me vlerë 130 milion lekë.

- “Një seri rrugësh janë në projekt për asfaltim në zonën e Klosit, ndër të cilat rruga që ju shkurton lidhjen me Tiranën, rruga e Arbrit që është edhe projekti më madhor. Unë nuk i kam harruar dhe nuk do t’i harroj premtimet e mia. Të gjitha do t’i shndërrojmë në realitet.”

Gjatë vizitës në rrethin e Matit, Kryeministri Berisha ishte i pranishëm në inaugurimin e fillimit të punimeve për kanalin ujitës në Klos, investim me vlerë 130 milion lekë. Kanali me gjatësi 28 km do të ujisë një sipërfaqe prej 1200 ha në bashkinë Klos dhe disa komuna të saj.

Kryeministri Berisha e konsideroi këtë vepër një tjetër dëshmi të angazhimit të qeverisë për zhvillimin e qëndrueshëm të fshatit shqiptar.

“Ne jemi të vetëdijshëm për vështirësitë e jetës suaj, por jemi të vendosur të investojmë e të bëjmë çdo përpjekje për t’jua lehtësuar atë. Në Bejnë, inauguruam ujësjellësin, këtu kanalin vaditës dhe do të fillojnë punimet për ujësjellësin e ri të fshatit me vlerë 35 milion lekë,” u shpreh Kryeministri, në urimin e tij drejtuar komunitetit të kësaj zone për këtë vepër hidrike tepër të rëndësishme për ta.

Kryeministri Berisha tha se vetëm këtë vit, qeveria i ka akorduar këtij qarku 54 milion lekë, fonde të cilat, theksoi ai, do të jenë më të mëdha vitin e ardhshëm. Kryeministri theksoi se për këtë zonë janë në projekt një seri rrugësh për këtë zonë, ndër të cilat projekti më madhor është rruga e Arbrit.

“Një seri rrugësh, - u shpreh Kryeministri - janë në projekt për asfaltim në zonën e Klosit, ndër të cilat rruga që ju shkurton lidhjen me Tiranën, rruga e Arbrit që është edhe projekti më madhor. Ajo po ecën. Ne nuk e harrojmë këtë rrugë. Unë nuk i kam harruar dhe nuk do t’i harroj premtimet e mia. Të gjitha do t’i shndërrojmë në realitet.”

Zhvillimi i qëndrueshëm rural i vendit, u shpreh Kryeministri, është zotim dhe angazhim i pandërprerë i qeverisë. Në këtë drejtim, Kryeministri përmendi dyfishimin i pensioneve në fshat, hapjen dhe e zhvillimin e tregut bujqësor, eliminimin e monopoleve në importin e prodhimeve ushqimore, rritjen e eksporteve të prodhimeve bujqësore vendase, si disa nga arritjet dhe zotimet e përmbushura të qeverisë.  

“Në tre vjet, ne po shkojmë drejt dyfishimit te pensioneve në fshat. Shqipëria rurale, Shqipëria e fermave dhe fermerëve është një përparësi madhore. Kudo, në mbarë vendin, ne jemi zotuar të ndërtojmë shkolla të reja dhe rikonstruktojmë ekzistueset, në mënyrë që fëmijët tuaj të shkollohen njësoj si në qytet. Ne jemi të  vendosur të asfaltojmë rrugët, në mënyrë që ju, fermerët, të udhëtoni në rrugë të përshtatshme, jemi të vendosur të ndërtojmë ujësjellës, t’ju ndihmojmë në vaditje. Tregu për prodhimet bujqësore të fermerëve shqiptarë ka qenë këto tre vjet më i hapur se kurrë dhe kjo se ne kemi larguar monopolet e qeveritarëve që importonin prodhime ushqimore dhe i zhvlerësonin në tërësi prodhimet shqiptare. Këtë vit, eksportet kanë një rritje shumë të madhe dhe ju garantoj se viti që vjen do të jetë edhe më i mbarë për çdo shqiptar.”

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›