Kryeministri Berisha merr pjesë në inaugurimin e ujësjellësit të fshatit Bejnë, në bashkinë Klos
- Investimet në bashkinë Klos janë rritur, nga 45 milionë lekë në vitin 2005, në 131 milionë lekë në vitin 2008 dhe ato janë të shpërndara jo vetëm në bashki, por edhe në fshatrat rreth saj
Kryeministri Berisha, gjatë një vizite sot në rrethin e Matit, mori pjesë në inaugurimin e Ujësjellësit të fshatit Bejnë, në bashkinë e Klosit. Ky projekt është investim i buxhetit të shtetit, me vlerë 30 milion lekë.
Kryeministri Berisha vlerësoi rëndësinë jetike të ndërtimit të ujësjellësit në këtë fshat, i cili do të furnizojë me ujë mbi 1200 banorë të kësaj zone.
Kryeministri siguroi se qeveria do të mbështesë çdo projekt të bashkisë së Klosit për asfaltimin e rrugëve, për shkolla të reja, për ujësjellësa. Duke u ndalur në investimet në këtë zonë, Kryeministri tha se në këtë bashki investimet janë rritur, nga 45 milionë lekë që kanë qenë në vitin 2005, në 131 milionë lekë në vitin 2008.
Gjithashtu, Kryeministri tha se së shpejti do të fillojë ndërtimi i rrugës së Arbrit në trajektoren e saj të plotë dhe nga ndërtimi i saj, banorët e Klosit janë ata që përfitojnë më shumë.
Më tej, Kryeministri vuri në dukje ndryshimet e mëdha që ka pësuar vendi në vitet e fundit. “Ne jemi në një proces të ndryshimit të Shqipërisë. Shqipëria po ndryshon, jo sepse po e themi ne me fjalë, por ajo po ndryshon sepse po bëhet me rrugë të reja, sepse tashmë ka marrë ftesën për në NATO, sepse në përpjekjet e saj për të krijuar një mjedis të përshtatshëm për biznesin, u rendit këtë vit e dyta në botë për këtë përpjekje, sepse po ndryshon çdo ditë e më shumë shkollat e fëmijëve”, theksoi Kryeministri.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
Dëshiroj t’ju përshëndes dhe t’ju uroj për ujësjellësin e ri, i cili do të furnizojë me ujë mbi 1200 banorë të kësaj zone, Për këtë projekt janë investuar rreth 30 milionë lekë.
Kryetari i Bashkisë së Klosit më informon se investimet në këtë bashki, nga 45 milionë lekë që kanë qenë në vitin 2005, janë rritur në 131 milionë lekë në vitin 2008. Këto investime janë të shpërndara jo vetëm në bashki, por edhe në fshatrat rreth saj, në shkolla, ujësjellësa, infrastrukturë, pra kjo është një përpjekje për të zhvilluar dhe modernizuar zonën tuaj.
Kam ardhur gjithashtu për t’ju siguruar se qeveria do të mbështesë çdo projekt të bashkisë suaj, për asfaltimin e rrugëve tuaja, për shkolla të reja, për ujësjellësa.
Sikundër, dua t’ju informoj që së shpejti do të fillojë ndërtimi i rrugës së Arbrit në trajektoren e saj të plotë. Nga kjo rrugë, banorët e Klosit janë ata që përfitojnë më shumë. Kryetari i bashkisë më thotë se përmes kësaj rruge shkurtohet shumë distanca dhe rruga deri në Tiranë bëhet për 40 kilometra. Në këtë mënyrë, Klosi bëhet një zonë shumë e rëndësishme për të gjithë pasurinë që ka por edhe vlera të mëdha në përmirësimin e transportit .
Ne jemi në një proces të ndryshimit të Shqipërisë. Shqipëria po ndryshon, jo sepse po e themi ne me fjalë, por ajo po ndryshon sepse po bëhet me rrugë të reja.
Shqipëria po ndryshon sepse ajo ka krijuar tani një emër shumë më të mirë, ka marrë ftesën për në NATO.
Shqipëria po ndryshon sepse ajo, në përpjekjet e saj për të krijuar një mjedis të përshtatshëm për biznesin, u rendit këtë vit e dyta në botë për këtë përpjekje.
Shqipëria po ndryshon, sepse çdo ditë e më shumë ndryshojnë shkollat e fëmijëve tuaj. Mësuesit që ju edukojnë fëmijët, sot marrin një rrogë 75 për qind më të lartë sesa tre vjet më parë. Në rast se 3 vjet më parë fëmijët e kësaj zone, apo të çdo zone të Shqipërisë, kompjuterin e shihnin veç në televizor, tani do ta kenë në shkolla, do ta përdorin atë, do të lundrojnë në internet njësoj si të gjithë bashkëmoshatarët e tjerë të vendit e të Europës. Ne po i dyfishojmë investimet në arsim dhe ju garantoj se nuk do të ketë shkollë në Shqipëri që nuk do rindërtohet.
Shqipëria po ndryshon sepse ne kemi ndërmarrë një sipërmarrje të vështirë, atë të urbanizimit të fshatit dhe ne do të bëjmë që banorët në Bejnë, e kudo që të ndodhen, në kenë rrugë të mira, të kenë shkolla të mira, të kenë ujësjellësa, të kenë kushte urbane normale.
Këtë vit ne mbyllim së asfaltuari mbi 1600 kilometra rrugë në zonat rurale dhe në fshatra. Unë ju garantoj se asfaltimi i rrugëve të Matit është dhe mbetet një përparësi madhore. Është e domosdoshme që të ndërtohen rrugët aq të rëndësishme për këtë zonë, është e domosdoshme që të bëhet me përparësi projekti i rrugës që ndjek trajektoren e hekurudhës që është rruga që nxjerr Matin më shpejt në autostradë, por ndërkohë rruga tjetër të mbetet për të lidhur fshatrat.
Me këtë rast, dua të përshëndes deputetin e zonës suaj, i cili me të vërtetë interesohet jashtë mase për zgjedhësit e tij. Ai ka zonën elektorale më të hapur në Shqipëri, por ka dhe durimin dhe respektin më të madh për zgjedhësit e tij dhe në mënyrë të vazhdueshme, vjen në zyrën time për problemet e zgjedhësve të tij. Unë e përgëzoj për këtë”.