Kryeministri Berisha: Krijimi i Fondit të Zhvillimit të Rajoneve do të përdoret për mbështetjen e investimeve

- Kryeministri u shpreh se gjatë mandatit 2009-2013 do të shumëfishohen fondet për qeveritë vendore
Kryeministri Berisha në mbledhjen e Komitetit të Planifikimit të Strategjive, vuri në dukje krijimin e Fondit të Zhvillimit të Rajoneve, i cili do të përdoret për mbështetjen e investime dhe zhvillimin tërësor të këtyre zonave.
“Kur i merr paratë dhe i shndërron në rroga, ato nuk mbeten për të asfaltuar rrugët, nuk mbeten për gjelbërim, nuk mbeten për shkolla, nuk mbeten për kopshte, nuk mbeten për qytetarin. Ndaj, dhe për të mbyllur këtë kapitull të hidhur do të krijohet Fondi i Zhvillimit të Rajoneve. Paratë e buxhetit do të kalojnë në Fondin e Zhvillimit të Rajoneve, por nuk them se nuk do të japim një sasi të pakushtëzuar parash, e cila do të jetë absolutisht minimale, për t’u përdorur për rroga”, u shpreh kryeministri Berisha.
Më tej, kryeministri theksoi se Fondi i Zhvillimit të Rajoneve do të përfshijë rrugë, shkolla, qendra shëndetësore, kanalizimet, ujësjellësit dhe sistemet e vaditjes, në komunat periferike ose më të pakta në tokë, sepse në zonat e mëdha do të jetë ministria e Bujqësisë, në bashkëpunim edhe me autoritetet vendore, që do të ruajë të drejtën që të ndërmarrë projektet për zhvillimin e sistemeve vaditëse.
“Qeveritë vendore duhet ta dinë se fondet tona për to do të shumëfishohen gjatë mandatit 2009-2013”, u shpreh Kryeministri.
26/08/2009