E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Stabilitetit makroekonomik është qëllimi më parësor i kësaj qeverie

-          Kryeministri  u shpreh se Shqipëria është i vetmi vend në Evropë dhe botë, që bëri rritjen më të madhe të rrogave në këtë vit krize

Gjatë mbledhjes së sotme të Komitetit të Planifikimit të Strategjive, Kryeministri Berisha u shpreh se ruajtja e stabilitetit makroekonomik është qëllimi më parësor i kësaj qeverie.

“Ne synojmë që vitin e ardhshëm të ulim deficitin buxhetor dhe borxhin, dhe deri në vitin 2012 të kemi një deficit buxhetor rreth 3 për qind. Unë i garantoj qytetarët se ruajtja e stabilitetit makroekonomik është qëllimi më parësor i kësaj qeverie dhe ne do ta realizojmë këtë”, u shpreh Kryeministri Berisha.

Më tej, Kryeministri theksoi se Shqipëria, për shkak të parimeve të drejta politike që ka ndjekur, mundi të vazhdojë kursin e saj të zhvillimit, pa e ndryshuar atë për shkak të krizës. “Vendi nuk provoi krizën dhe kjo është e vërteta më e  rëndësishme. Nga ana tjetër, vendet të cilat u prekën nga kriza kanë pasur një rënie të të ardhurave buxhetore, krahasuar me vitin e kaluar, një rënie që shkon nga 8 -24 për qind”, vijoi Kryeministri Berisha.

Duke u ndalur te situata në Shqipëri, Kryeministri  u shpreh se ne jemi i vetmi vend në Evropë dhe botë, që bëmë rritjen më të madhe të rrogave në këtë vit krize. “U binin sirenave që të mos rrisnim rrogat, por ne rrogat i rritëm. Nuk kishim pse të mos i rrisnim vetëm se dikujt i interesonte që vendi i tij të zhytej në krizë”, tha Kryeministri Berisha.


26/08/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›