Kryeministri Berisha: Krijimi i Gjykatës administrative, zhvillim real pozitiv për sistemin e Drejtësisë
Kryeministri Berisha, në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave, vuri theksin në projektligjet e sjella për miratim nga Ministria e Drejtësisë. Duke cilësuar këto ligje jashtëzakonisht të rëndësishme për reformat, kryeministri u shpreh se ato do të jenë objekt i një debati të hapur në parlament me opozitën.
Kryeministri veçoi për nga rëndësia projektligjin“ Për gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative dhe organizmin e drejtësisë administrative.”, projekti i cili është marrë përsipër të financohet tërësisht nga Agjencia Amerikane e zhvillimit dhe Ndihmës Ndërkombëtare. Ky projekt, shpjegoi Kryeministri zbatohet në kuadrin e Pragut të Llogarisë së Mijëvjeçarit, që korporata i akordoi Shqipërisë.
Duke e vlerësuar krijimin e Gjykatës administrative si një zhvillim realisht pozitiv për sistemin tonë të Drejtësisë, Kryeministri Berisha theksoi se ky ligj përbën një detyrim madhor në kuadrin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.
“Mendoj se krijimi i Gjykatës administrative përbën një zhvillim realisht pozitiv për sistemin tonë të drejtësisë, një zhvillim shumë të rëndësishëm për marrëdhëniet e shtetit me biznesin dhe krijon këtu një traditë shumë të rëndësishme e cila deri tani ka qenë e shpërndarë. Tashmë do të përqendrohet në një trup të specializuar që do të asistohet edhe nga ekspertë ndërkombëtare dhe përgëzoj për këtë Ministrin sepse ligji ka ardhur në kohë, kur financimet e dyta të pragut po bëhen disponibël. Uroj që të ngremë një institucion sa më të konsoliduar . Është ky ligj një detyrim tjetër madhor që kemi në kuadrin e MSA, por mund të them se Ministria e Drejtësisë i ka plotësuar , përveç ligjit të Prokurorisë që është në diskutim, pothuajse i ka plotësuar krejtësisht detyrimet për projektligjet që duhet të sillte.