Kryeministri Berisha: Kujdesi ndaj të moshuarve, përparësi madhore e qeverisë

Në kuadër të 1 Tetorit, Ditës Botërore të të Moshuarve, Kryeministri Berisha mori pjesë sot në ceremoninë e përurimit të rikonstruksionit të Shtëpisë së të Moshuarve në rrugën “Ali Demi”, në Tiranë.
Fillimisht, Kryeministri Berisha vizitoi ambientet e kësaj qendre dhe u takua me të moshuarit e akomoduar në të. Duke e cilësuar Ditën Botërore të të Moshuarve si ditën e çdo qytetari, pavarësisht nga mosha, Kryeministri Berisha u shpreh se kjo kategori është dhe do të mbetet përparësi madhore në axhendën e qeverisë.
“Shfrytëzoj rastin për t’i siguruar të moshuarit në Shqipëri se në axhendën e qeverisë time, ata janë dhe do të mbeten një përparësi madhore. Dy vjet më parë ata linin e shtëpitë e kujdesit 80 përqind të pensionit të tyre, ndërsa ne e zbritëm në 50 përqind dhe kjo kuotë do të zbritet sërish”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Më tej, Kryeministri theksoi se gjatë këtij viti janë ndërtuar edhe 6 qendra të tilla të kujdesit për të moshuarit në rrethe të ndryshme të vendit. “Financimet për këto qendra dhe shërbime janë rritur dhe ato janë decentralizuar. Por, duhet të lëvizet në dy drejtime; së pari qeveria, e cila pavarësisht se ia ka deleguar kompetencat qeverive vendore, do të rrisë fondet në mënyrë që kushtet e jetës për të moshuarit të jenë sa më normale. Dhe së dyti, ka një rendësi të jashtëzakonshme lidhja e këtyre qendrave me komunitetin”, u shpreh Kryeministri.
Në këtë kuadër, Kryeministri u bëri thirrje të gjithëve që të ofrojnë shërbime për tw moshuarit dhe një pjesë të solidaritetit tw tyre familjar. “Ata që vinë në këto qendra, por edhe të tjerë që jetojnë në familje, kanë nevojë për përfillje. Ata kanë nevojë për vlerësim, ndaj dhe do t’u kërkoja të gjithë djemve dhe vajzave, burrave dhe grave, që t’u ofrojmë shërbime, dashuri, respekt dhe të ndajmë me ta një solidaritet njerëzor, i cili largon vetminë e tyre dhe fisnikëron vlerat tona”, u shpreh Kryeministri.
Duke i’u drejtuar drejtorit të kësaj qendre, Kryeministri kërkoi që për të moshuarit të ketë një program ditor që ata të mos e ndjejnë vetminë.
“Duke i uruar të moshuarve shëndet të plotë, dua t’i siguroj se qeveria do të bëjë çdo përpjekje për përmirësimin e mëtejshëm të kushteve të tyre. Për ta duhet të ketë dhe një program ditor. Do të shtojmë fondet dhe të krijohet mundësi për shëtitje dhe për të plotësuar preferencat e tyre sipas mundësive, për t’ia bërë sa më të mirë ditën”, u shpreh Kryeministri.