E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha mirëpret Zëvendës Sekretarin amerikan për Mbrojtjen Gordon England

- Sekretari  England: Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria ndajnë një partneritet të fortë dhe miqësi të ngrohtë.

Kryeministri Sali Berisha priti sot në një takim Zëvendës Sekretarin për Mbrojtjen të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zotin Gordon England. Pas takimit, të dy personalitetet dhanë një deklaratë për shtyp, në të cilën u shprehën:

Kryeministri Berisha: Sapo përfunduam një takim dhe bisedimet  me Zëvendës Sekretarin e Mbrojtjes z. Gordon England, mik i shquar i Shqipërisë dhe shqiptarëve. Shfrytëzova rastin për t’i shprehur mirënjohjen më të thellë Presidentit George W. Bush, qeverisë së tij dhe kombit amerikan, për ndihmesën e jashtëzakonshme dhe të çmuar që i kanë dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Shqipëria ka pasur nevojë të jashtëzakonshme për të ndryshuar dhe askush më shumë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk ka ndihmuar në këto ndryshime.  Mendoj se momentet më kulmore të kësaj ndihme kanë qenë vizita e Presidentit amerikan George W. Bush në Shqipëri, mesazhet  e mëdha që ai solli për integrimin e Shqipërisë në NATO, si dhe për pavarësinë e Kosovës, nga të cilat pavarësia e Kosovës u bë realitet, ndërkohë që anëtarësimi në NATO po bëhet realitet.  

Shtetet e Bashkuara kanë dhënë  një ndihmë të jashtëzakonshme në ndryshimin e vendit dhe në reformën në Forcat e Armatosura Shqiptare, në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Dua të veçoj këtu tre projekte, të cilat u ndërmorën në kuadër të Pragut të Llogarisë së Sfidës së Mijëvjeçarit: regjistrimi elektronik i biznesit, taksat elektronike, prokurimet elektronike, praktika të cilat kanë ndryshuar tashmë në Shqipëri dhe që u bënë një shtytje e madhe për ndryshime të mëdha në klimën e biznesit dhe në luftën kundër korrupsionit në vend.

Marrëdhëniet tona me Shtetet e Bashkuara janë të shkëlqyera dhe ne jemi krenarë me këto marrëdhënie dhe me këtë mbështetje.

Unë e informova zoti England për reformat politike, reformat ekonomike dhe reformat e gjithanshme, duke u ndalur veçanërisht në zgjedhjet e ardhshme, ku shpreha vendosmërinë e qeverisë sime për të bërë çdo gjë për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe parashtrova kërkesën për vëzhgues nga institucionet kompetente të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në këto zgjedhje.

Edhe njëherë, dua ta falënderoj shumë përzemërsisht Zëvendës Sekretarin e Shtetit për Mbrojtjen, zotin England, për ndihmën dhe angazhimin e tij personal dhe të Pentagonit, të Sekretarit Gates dhe para tij të Sekretarit Rumsfeld, në përpjekjet tona për të arritur standardet e NATO-s. Dua ta falënderoj për këtë vizitë shumë të rëndësishme në marrëdhëniet mes dy vendeve tona.

Faleminderit shumë zoti England!    

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›