Kryeministri Berisha: Firmosja e kontratës për hidrocentralin e Ashtës, dëshmi e interesit në rritje të investimeve të huaja
- Kryeministri vlerësoi nënshkrimin e kontratës me kompaninë austriake VERBUND, si një kompani nga një vend mik, me të cilët tashmë është krijuar një traditë e shkëlqyer bashkëpunimi dhe investimesh në Shqipëri.
Kryeministri Berisha mori pjesë, sot në mesditë, në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes për dhënien me konçension të hidrocentralit të Ashtës, mes Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe kompanisë austriake VERBUND. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës Genc Ruli, drejtues të kompanisë austriake VERBUND, përfaqësues të sektorit energjetik në vend, specialistë të kësaj fushe, etj.
Kryeministri Berisha përgëzoi Ministrinë e Ekonomisë dhe Korporatën VERBUND për marrëveshjen e rëndësishme të arritur, si dhe falënderoi IFC-në për ndihmën dhe konsulencën e vyer që ofroi në këtë projekt i cili, theksoi Kryeministri, “për shkak të disa specifikave të rajonit, ishte vërtetë sensitiv”.
“Firmosja e kësaj kontrate është dëshmi e një interesi të madh dhe gjithmonë në rritje të biznesit ndërkombëtar në vendin tonë”, tha Kryeministri, ndërsa nënvizoi se kjo përbën një ngjarje shumë të rëndësishme për vendin. “Hidrocentrali i Ashtës, si vazhdim i projekteve për hidrocentralet, ka një rëndësi të veçantë. Qeveria ndryshoi qëndrimin e mëparshëm, nga Bushati te Ashta dhe, kjo erdhi tërësisht si rezultat i vendosmërisë sonë për të mbrojtur mjedisin, për të mos cenuar ekosistemin e mrekullueshëm të lumit Bunë, Liqenit të Fierzë dhe lumit Drin. Ndërkohë, teknologjia që ofron kompania austriake VERBUND është nga më të mirat dhe jep mundësi shfrytëzimit maksimal të potencialit ujor në këtë segment”, tha Kryeministri.
Gjithashtu, Kryeministri u shpreh se nënshkrimi i kontratës sot është një moment shumë i rëndësishëm, pasi kompania fituese është një kompani austriake, nga një vend mik, me të cilët është krijuar një traditë e shkëlqyer bashkëpunimi dhe investimesh në Shqipëri. “Janë një seri kompanish të mëdha austriake që investojnë në Shqipëri dhe tani vjen dhe kompania më e madhe në fushën e energjetikës. Shpresoj që edhe kompania EVN të përfundojë së shpejti punën dhe të bëjë të gjithë konçensionet e nevojshme në kontratën më të madhe në negocim deri tani, që është kaskada e Devollit”, vijoi Kryeministri.
Kryeministri Berisha siguroi përfaqësuesit e kompanisë se qeveria do t’i mbështesë ata plotësisht në realizimin e këtij projekti.
Në përgjigje të interesimit të mediave për çmimin e privatizimit të OSSH-së, Kryeministri u shpreh:
Kryeministri Berisha: Ka një komision vlerësimi për këtë gjë. Nuk më takon mua të flas i pari. Ka një proces tërësisht transparent që ju do ta ndiqni, sepse është një proces kompleks. Nuk është normale që të përgjigjet Kryeministri për këtë gjë, nuk është ai anëtar i grupit të vlerësimit. Lidhur me çmimin, nëse do të më pyesnit, do të doja që ai të ishte edhe 2 miliardë, por kjo nuk varet nga unë. Unë po e ndjek procesin dhe deri tani është një proces transparent, me praninë e Korporatës Ndërkombëtare Financiare, e cila ka bërë një punë 2 vjeçare për përgatitjen e tij. Shpresoj të jetë një proces i suksesshëm dhe transparent. Kjo është e rëndësishme. Kjo do të thotë, së pari, më pak korrupsion për shqiptarët. Unë e konsideroj jetike luftën kundër korrupsionit dhe, nëse ka më pak korrupsion, sigurisht që ka më shumë drita dhe të mira të tjera.