Kryeministri Berisha i uron besimtarëve myslimanë Ditën e Fiter Bajramit
Me rastin e Festës së Fiter Bajramit, Kryeministri Berisha vizitoi sot në mesditë selinë e Komunitetit Mysliman në Tiranë. Kryeministri Berisha u prit nga Kryetari i këtij Komuniteti Haxhi Selim Muça dhe besimtarë të tjerë, të cilëve i përcolli urimet më të përzemërta për këtë ditë, të cilën ai e cilësoi një ditë të shenjtë, ku njeriu nderon sakrificën për Zotin, për veten, shoqërinë dhe kombin.
Me këtë rast, Kryeministri Berisha i drejtoi një mesazh urimi të gjithë besimtarëve myslimanë, në të cilën u shpreh:
“Shfrytëzoj këtë rast për t’u përcjellë besimtarëve myslimanë, të gjithë besimtarëve shqiptarë gëzuar këtë ditë të shenjtë, të bekuar e të bardhë, në të cilën njeriu nderon sakrificën e tij për Zotin, për të mirën, veten, familjen, shoqërinë dhe kombin. Kjo ditë ka si mesazh të madh sakrificën si themel të të gjitha të mirave të njeriut, sakrificën që bëjnë anëtarët e familjes për veten dhe njëri-tjetrin, që e bën familjen të lumtur, që shumëfishon energjitë dhe mundësitë e anëtarëve të saj. Po kështu, është edhe për shoqërinë dhe individin e veçantë. Ndaj i uroj të gjithë shqiptarëve gëzuar këtë ditë të bekuar.”