Kryeministri Berisha: Raportet ndërkombëtare e rendisin qeverinë shqiptare si kampione të reformave
Kryeministri Berisha deklaroi sot në mbledhjen e Grupit parlamentar të Partisë Demokratike se pavarësisht nga rezultatet evidente të certifikuara botërisht të Shqipërisë në zgjerimin e lirive ekonomike dhe në rezultatet në luftën kundër korrupsionit, qeveria do të bëjë përpjekje shumë më të mëdha për ta pozicionuar vendin gjithnjë e më lart.
Duke i konsideruar liritë ekonomike dhe luftën kundër korrupsionit si të pandara, Kryeministri Berisha u shpreh se dy raportet e fundit ai i Bankës Botërore “Doing Business” dhe ai i Transparency International janë të paprecedentë në historinë e këtij vendi.
Kryeministri veçoi faktin se raporti i Bankës Botërore e rendit Shqipërinë të dytën në botë për reformat ekonomike, ndërsa raporti i Transparency International e grupon vendin tonë në 10 vendet e suksesit të madh në botë dhe vendin e parë në rajon për luftën kundër korrupsionit. Kjo rritje, vijoi Kryeministri, do të ishte edhe më e madhe në qoftë se lufta kundër korrupsionit dhe këto reforma do të kishin përfshirë të gjitha institucionet.
Raporti, vlerësoi Kryeministri, të gjithë këtë ia atribuon qeverisë, e cila ka qenë kampione në këto reforma. “Qeveria ka përmbushur dhe do të përmbushë detyrimin e saj. Unë dua t`ju informoj se në të gjithë procesin e reformave njërin kam kriterin e të gjitha kritereve dhe ky është kriteri i antikorrupsionit”, u shpreh më tej Kryeministri.
Në këtë kontekst, Kryeministri ftoi drejtuesit e të gjitha institucioneve të varura dhe të pavarura që t`i orientojnë të gjitha procedurat e tyre në funksion të luftës kundër korrupsionit, me qëllim që vendi të renditet në 20 vendet e para më të pastërta për korrupsion.
Kryeministri theksoi se duhet të bëhen përpjekje që të ecet bipartizan në realizimin e reformave antikorrupsion. “Ne duhet të bëjmë çdo përpjekje të bashkëpunojmë me opozitën në këtë luftë dhe në këto reforma. Normalisht kurrë nuk mund të ketë interesa të ndryshme”, theksoi Kryeministri.
Është opozita, tha Kryeministri, ajo që duhet të jetë më e interesuar për këtë luftë dhe është ajo që denoncon, por është edhe detyrimi më madhor moral i saj, por edhe ligjor që fjalët t`i shoqërojë dhe me vepra; të bashkohet në reformat e mëdha për heqjen e imunitetit, reformat në institucione, të cilat përdorin pavarësinë për të fshehur korrupsionin
Gjatë mbledhjes së Grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Kryeministri Berisha u shpreh:
Ne sot shpallëm fituesin apo kompanitë fituese të tri parqeve industriale në vend . Në historinë e një vendi me të shkuarën më nihiliste ndaj investimeve të huaja dhe që ka nevojë jetike për investime kjo përbën një kapitull të ri të qëndrimit të Shqipërisë dhe shqiptarëve ndaj investimeve.
Qeveria angazhohet dhe do të angazhohet të ngrejë të gjithë infrastrukturën e nevojshme në këto parqe në mënyrë që ato të mund të përmbushin misionin e tyre të rëndësishëm si dhe ato të punësimit të prodhimit të teknologjisë dhe zhvillimit. Së shpejti do të ngrihen tre parqe më të mëdha në Durrës, në Elbasan dhe Shkodër dhe brenda një kohe të shkurtër do të hapet tenderi për to. Ne kemi vendosur që parqet industriale t`i japim tërësisht në menaxhim sektorit privat. Historia e tyre në tërësi nga menaxhimi publik ka qenë mjaft i zbehtë. Kanë qenë një histori suksesi kur ato janë menaxhuar nga kompani private. Shpresoj dhe uroj dhe jam i bindur se hapim një kapitull të ri në drejtim të investimeve dhe investitorëve, të cilët kanë një besim të madh në rritje ndaj Shqipërisë. Por, dua t`ju garantoj se pavarësisht nga sukseset evidente të certifikuara botërisht përpjekje shumë më të mëdha po bëjmë dhe do të bëjmë në mënyrë që ta pozicionojmë Shqipërinë gjithnjë e më lart, për lirinë e tregut dhe për luftën kundër korrupsionit. Këto janë një dhe të pandara.
Dy raporte janë të paprecedentë në historinë e këtij vendi. Raporti “Doing Business 2009” që e renditi Shqipërinë të dytën në botë për reformat ekonomike dhe raporti i Transparency International, i Treguesit të Perceptimit të Korrupsionit, i cili nuk është tregues i një sondazhi, por treguesi i ekspertëve që realizohet nga vlerësimet e institucioneve më prestigjioze ndërkombëtare. Ky raport e grupon Shqipërinë në 10 vendet e suksesit më të madh në luftën kundër korrupsionit këtë vit dhe e shpall atë njëshin e vendeve të Ballkanit për reformat që ka ndërmarrë për luftën kundër korrupsionit. Raporti të gjithë këtë ia atribuon qeverisë, e cila ka qenë kampione thotë raporti në këto reforma. Qeveria ka përmbushur dhe do të përmbushë detyrimin e saj. Unë dua t`ju informoj se në të gjithë procesin e reformave njërin kam kriterin e të gjitha kritereve dhe ky është kriteri i antikorrupsionit.
Të gjithë diskutimet e pafundme, mbledhjet e pafundme që kemi bërë me Task-Forcën ky ka qenë, është dhe do të jetë kriteri im themelor, derisa Shqipëria të grupohet aty ku është pozicioni më i mirë, të paktën në 20 vendet më të pastërta të planetit për korrupsionin.
Nuk do të doja t`ua pohoja, por do t`ua pohoj se gjatë gjithë këtyre viteve nuk jam marrë me asgjë tjetër më shumë se sa me këtë fenomen, qoftë në opozitë qoftë në qeveri, sepse nuk ka më të egër për njeriun e varfër se sa korrupsioni. Është për të gjithë i egër, por për të varfërin është e barabartë me një lloj tiranie. Ndaj dhe është punuar me përkushtim të madh në këtë drejtim. Në rast se Shqipëria pati këtë ngjitje e pati nga një vendosmëri totale. Në takimin që kam patur me zyrtarë të Transparency International jam inkurajuar shumë. Një vit më parë nga takimi që kam patur me zyrtarë të kësaj organizate unë u bëra një ekspoze të hollësishme se çfarë po bëjmë dhe cili është koncepti im në luftën kundër korrupsionit. Reagimi i tyre ka qenë ky : ‘Kjo është mënyra më e strukturuar e luftës kundër korrupsionit’.
Ka vende, të cilat janë qartësisht më mirë se ne në luftën kundër korrupsionit, por herë pas here atje dalin probleme që nuk mund të dalin në Shqipëri për shkak të reformave që kemi ndërmarrë . Ne kemi vendosur atë proces në një bazë të tillë që këto probleme s`mund të ndodhin.
Nuk mund të ketë ndërhyrje në universitet me 3 mijë euro, 2 mijë euro apo 500 euro. Ne kemi vendosur një sistem, nuk jemi të vetmit, por kemi vendosur këtë sistem që nuk lejon më përdorimin e korrupsionit për të hyrë në universitet. Unë dhashë një shembull. Ka pra një rezultat të reformave, që do të vijë duke u konsoliduar gjatë kësaj përpjekje jo të vogël. Edhe njëherë ju them se unë këtë kam dhe këtë do të mbaj kriterin më themelor. Unë nuk pajtohem kurrë me këtë fenomen. Përkundrazi. Është kjo që kam ndjekur unë që solli rritjen me 0.5 %. Kjo rritje do të ishte edhe më e madhe në qoftë se kjo luftë, këto reforma do të kishin përfshirë të gjitha institucionet.
Unë më shumë se kushdo tjetër nuk besoj në njeriun e ri se ajo ishte dogma më qesharake, më tragji-komike. Ajo që besoj unë duhet të jenë dy gjëra. Reforma për ta parandaluar korrupsionin. Ka patur tarifa edhe 30 euro, ne i kemi hequr fare. Përse? Për të hequr korrupsionin. Nuk kemi bërë fare gabim sepse ia vlen. Vërtet mund të kemi humbur me këto tarifa rreth 50 milionë euro, por kemi fituar 4 miliardë, kemi fituar shuma më të mëdha ndaj dhe do të ishim kuotuar shumë më tepër në qoftë se kjo luftë do të ishte dëshmuar në sistemin e drejtësisë, shtyllë kryesore, pushtet kryesor i një vendi. Siç është pushteti ekzekutiv siç është pushteti legjislativ është edhe pushteti gjyqësor. Kjo luftë do të kishte qenë shumë më e madhe në qoftë se deputetët do të kishin hequr dorë nga disa privilegje të tyre.
Miqtë e mi nuk mund ta trajtojmë Shqipërinë si në vitin 90-91, sepse absolutisht është një Shqipëri krejtësisht tjetër. Absolutisht nuk ka gjë më të rëndësishme se sa fakti që ne dëshmuam se mund ta luftojmë korrupsionin. Sepse kishte edhe një mendim tjetër se ne ishim shoqëri e korruptuar.
Parlamenti ka dhënë kontribut të madh në gjithë reformat. Parlamenti duhet të përmbushë të gjitha misionet e veta. Siç thotë raporti, parlamenti ka një mision që është supervizioni , i cili është një nga kushtet më kryesore. Ju e dini që ekzekutivi është ekzekutiv, ka shumë përgjegjësi por çdo instituciuon duhet ta shqyrtojë veten në raport me detyrat dhe misionin që ka.
Do t`ju ftoja ta lexoni raportin. Një vend që ka qenë shumë lart ka humbur 0.4 pikë vetëm për shkak të financimit të partive. Le ta sjellim sa më shpejt ligjin e transparencës së financimeve të partive politike. Do t`ia bëjmë këtë shërbim vendit. Kudo në botë korrupsioni ka një problem që e ndihmon në njëfar shkalle por edhe që e pengon luftën kundër tij. Ky problem është politizimi i tij. Dua të them që në qoftë se do e kishim politizuar absolutisht nuk do të kishim arritur këto rezultate. Unë kam dëgjuar mbështetësit e mi që shprehen se po ndëshkohen vetëm nga ne, nuk po ndëshkohet asnjë nga ata që ishin sistem kleptokracie. Është turp që nuk po ndëshkohen ata, por do të ishte fatale në qoftë se nuk do të ndëshkoheshin këta. Më e mira është kjo, por më e keqja do të ishte nëse nuk ndëshkohej asnjëra palë. Duhet t`i themi gjërat siç janë.
Konkluzioni i dytë dhe madhor është se ne duhet të bëjmë çdo përpjekje të ecim bipartizan në këtë luftë. Të bëjmë çdo përpjekje të bashkëpunojmë me opozitën në këtë luftë dhe në këto reforma. Normalisht kurrë nuk mund të ketë interesa të ndryshme. Është opozita ajo që duhet të jetë më e interesuar për këtë luftë dhe është ajo që denoncon që lufton, por është edhe detyrimi më madhor moral i saj por edhe ligjor që fjalët t`i shoqërojë dhe me vepra; të bashkohet në reformat e mëdha për heqjen e imunitetit, reformat në institucione, të cilat përdorin pavarësinë për të fshehur korrupsionin. Ne jemi të përcaktuar plotësisht për pavarësinë e institucioneve të pavarura. Asgjë për funksionimin e një sistemi nuk ka më të rëndësishme sesa pavarësia e institucioneve të pavarura. Por, në qoftë se kjo pavarësi shkon në atë shkallë sa nuk lejon transparencën kjo kthehet në një fatkeqësi. Nga transparenca nuk duhet të ketë frikë askush dhe asnjë cilido qoftë. Pse duhet të kesh frikë të pranosh auditin e parlamentit, kush është shkaku? Në qoftë se ti je në rregull ti duhet të kesh kënaqësi. Keni dëgjuar ju ndonjë penalizim qoftë dhe të një punonjësi të vetëm nga këto institucione? Si i ndan shqiptarët andej engjëjt, këtej djajt? Nuk janë kështu shqiptarët. Kjo është një teori raciste. Pra përdoret kjo parvarësi. Pavarësia duhet të jetë për të zbatuar ligjin, por transparenca do të jetë absolutisht fondamentale e veprimtarisë së të gjitha institucioneve të këtij vendi.
Shqiptarët nuk shohin një gjykatës në 12 vjet të përballet me ligjin. Çfarë do të thotë kjo ? Ne nuk pajtohemi dhe nuk do të pajtohemi me këtë, në një kohë kur ka afera nga më të mëdha të tyre të faktuara dhe dokumentuara me dokumenta, me kontrolle, me fakte të pakundërshtueshme. Asnjë prokuror të mos përballet me ligjin edhe kur falsifikojnë , shesin e gjobisin për dosjet. Mendojmë ne se në këtë mënyrë do të behëmi të dobishëm? Do të ishim shumë më të dobishëm për vendin sikur krahas qeverisë të rrjeshtoheshin edhe institucionet e tjera. Të jeni të bindur se ditën që ato të rrjeshtohen Shqipëria do të ketë nivele shumë më të larta se sa këto. Por është detyra e kësaj shumice, është detyra e atyre që kanë mandatin kushtetues për të proceduar me reformat, të bëjnë ligje më të mira, reformat më të rëndësishme duke patur kriter bazë antikorrupsionin. Antikorrupsioni është kriteri sepse situata është e tillë. Në vend që të penalizohen të ndëshkohen ka heshtje çfarëdo të ndodhë. Liron vrasësin në sallën e gjyqit, vazhdon të jetë i pashqetësuar. Një gjykatës ,Musta, pasi mori paratë dhe u largua në një vend tjetër u kthye prapë si gjykatës. Ishte një lirim i paralajmëruar dy muaj para nga familjarët e viktimës. Ish-kryetari gjykatës së Elbasanit apo i Kavajës që i thioshte : më jep 11 mijë euro që të them 7 vjet, po më dhe 7 do të them 11. Luftë kundër korrupsionit është kjo? Ne nuk mund të pajtohemi dhe nuk do të pajtohemi me këtë situatë. U bëj thirrje drejtuesve të institucioneve përkatëse ta konsiderojnë me seriozitetin më të madh këtë çështje. Askush dhe në asnjë rast nuk synon të bëjë cënimin edhe më të vogël të pavarësisë. Absolutisht. Ne jemi ata që po konsolidojmë çdo ditë e më shumë ato standarde jetike për një vend të lirë dhe nuk mund të ketë asnjë lloj tendence apo dëshire për të cënuar pavarësinë. Por në çdo vend të botës në të gjitha udhëzimet themelore ka safeguard-et që mbrohen nga ekzekutivi dhe safeguard-et që mbrojnë nga abuziviteti me pavarësinë.
Informohem se ka institucione, të cilat i kanë mbyllur dyert supervizimit parlamentar. Absolutisht nuk do të pranohet një gjë e tillë. Përsa kohë ky vend të jetë republikë parlamentare ky institucion do të ushtrojë të gjitha kompetencat e supervizionit ndaj cilitdo institucion në këtë vend. Kjo është transparenca.
Nuk e bën dot këtë auditi i Kryeministrisë, sepse ai do t`i përkushtohet ekzekutivit. Por auditi i shtetit dhe supervizioni i parlamentit në çdo faturë të cilitdo dhe të kujtdo sepse janë paratë e atyre që vuajnë për ujë, për rrugë, për ilaçe. Ndaj dhe uroj të vazhdojmë këtë betejë .
Si përfundim është i domosdoshëm një dialog shumë më intensiv me opozitën. Këto duhet të jenë refrorma bipartizane , të tilla ato mbeten të qëndrueshme dhe një trashëgimni e madhe për vendin. Mbeten kontribut i madh. Nga ana tjetër u bëj thirrje të hapur dhe të sinqertë të gjithë drejtuesve të instituicioneve të varura dhe të pavarura që të shohin tërë procedurat brenda institucioneve të tyre në funksion të luftës kundër korrupsionit. Kur shikon se është 333 ditë afati i lejes së ndërtimit besoj se e keni të qartë se sa afër jemi me fjalët që themi .
Këto ditë një nga drejtuesit e njërit prej fondeve më të mirënjohura amerikane, të interesuar në pasuritë e patundshme shprehej se problemi i pronësisë është problem i njohur dhe këtu qeveria ka përgjegjësitë e veta. Ne po përpiqemi dhe do të vazhdojmë me forcë reformën në këtë drejtim. Ndërsa lidhur me problemin me drejtësinë, thotë se nga gjykimet në Shqipëri ka dy fenomene; ka korrupsion dhe një diferencë kur nuk ka korrupsion. Ka një diferencë dhe e vërteta është se ky zotëri jashtëzakonisht serioz në punën e tij thotë se ne gjejmë vështirësi reale.
Atëherë cfarë duhet të bëjmë? Duhet të reformohemi. Po të vazhdojmë me këtë sistem pavarësisht se ku jemi me regjistrimin e pronës, dhe nuk jemi aq dobët, por ne detyrishmisht do ta shqyrtojmë me përparësi. Komisioni që u krijua për verifikimin e titujve ka një rëndësi të jashtëzakonshme që të kthjellojë ujërat e turbullta që ekzistojnë në këtë fushë.
Uroj dhe shpresoj që ligji për gjykatën admin istrartive, megjithëse ajo merret më shumë me çështje të sektorit publik, do të merret dhe me raportet e tij me sektorin privat, të mund të sjellë një frymë të re në reformimin e sistemit të drejtësisë.