E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha pret ish Kryeministrin e Hungarisë , Z. Peter Medgyessy

Kryeministri Berisha priti sot në takim, ish Kryeministrin e Hungarisë , Z. Peter Medgyessy, si pjesëmarrës në Forumin Ekonomik të Crans Montana-s. Z.  Medgyessy përgëzoi Kryeministrin Berisha për rezultatet e reformave të ndërmarra nga Qeveria e tij dhe me kurorëzimin e tyre me antarësimin në NATO.
 Ish Kryeministri i Hungarisë shprehu gëzimin që në këtë moment historik kishte mundësinë të ndante kohën më Kryeministrin e Shqipërisë, për të folur rreth zhvillimeve politike dhe ekonomike në Shqipëri dhe në rajon.
“Shpreh mendimin tim dhe të kolegëve të mi të parlamentit Europian se Kryeministri i Shqipërisë dhe Qeveria e tij kanë ecur në rrugë të drejtë dhe kanë zbatuar reforma të suksesshme. Shqipëria deri tani është konceptuar si vend me ekonomi shumë të mirë nga pikëpamja makro-ekonomike, me politika shumë të suksesshme, prandaj edhe qeveria hungareze e ka mbështetur fuqimisht në këtë rrugë të suksesshme.”- u shpreh Z. Medgyessy
Ai theksoi se qeveria hungareze do te jetë mbështetëse e qeverisë shqiptare në këtë rrugë të suksesshme reformash, jo vetëm si mbështetëse për anëtarësimin në NATO, por edhe drejt Bashkimit Europian.
Kryeministri Berisha falenderoi qeverinë hungareze për mbështetjen që i ka dhënë Shqipërisë për antarësimin në NATO dhe ratifikimin e MSA-së, si dhe për të gjitha reformat  dhe e garantoi se Shqipëria do të vazhdojë rrugën drejt zhvillimit duke përcaktuar si objektiv të menjëhershëm, zgjedhje te lira dhe të ndershme, konform standarteve europiane. Gjatë bashkëbisedimit Kryeministri Berisha prezantoi situatën ekonomiko-politike të Shqipërisë dhe ndau të njëjtin mendim lidhur me krizën ekonomike qe ka mbërthyer botën si dhe i shpjegoi ish Kryeministrit hungarez situatën e qëndrueshme dhe të shëndetshme të ekonomisë shqiptare.
Zoti Medgyessy përfundoi duke thënë se qeveria hungareze nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka konfirmuar dhe mbështetur atë çfarë ka bërë qeveria shqiptare në aplikimin e standarteve ndërkombëtare dhe transparencën në të gjitha politikat dhe reformat e saj.


27/03/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›