Kryeministri Berisha: Programi për rikthimin e trurit, një nga prioritetet më madhore të qeverisë

Kryeministri Berisha mori pjesë sot në ceremoninë e shpërndarjes së certifikatave për grupin e parë të fituesve të Programit Brain Gain. Ky program përfaqëson një nismë të Kryeministrit Berisha dhe qeverisë shqiptare, mbështetur nga Programi i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, PNUD.
Programi Brain Gain synon të identifikojë dhe nxisë kthimin e të talentuarve në diasporën shqiptare pranë institucioneve publike, institucioneve të arsimit të lartë dhe shkencës dhe sektorit privat. Ky program bazohet në vendimin e Këshillit të Ministrave të datës 30 korrik 2008, me anë të të cilit qeveria shqiptare dhe PNUD kanë mobilizuar 1 milionë dollarë në mbështetje të kthimeve të qëndrueshme në administratë dhe në institucionet e arsimit të lartë.
Duke e vlerësuan mbajtjen e kësaj ceremonie si një ditë shumë të rëndësishme dhe shumë të veçantë për botën intelektuale të vendit, Kryeministri Berisha tha se ky është konkretizimi i rezultatit të suksesshëm të njërit prej programeve më jetike dhe më të rëndësishme për kombin dhe vendin.
Kryeministri theksoi se projekti i rikthimit të trurit do të thotë i rikthimit në Shqipëri i studiuesve, intelektualëve, të cilët janë doktoruar, kanë marrë “Master”, apo janë shkolluar në shkolla të mira të perëndimit. Kjo, tha Kryeministri, është dhe mbetet një përparësi shumë madhore e qeverisë sime.
Në këtë kontekst Kryeministri vlerësoi se fakti që një kontingjent prej mbi 73 intelektualë dhe studiues i përgjigjen këtij programi është jashtëzakonisht pozitiv. “Këto ishin përpjekjet e para, por kjo përpjekje e parë ka hedhur bazat e një suksesi shumë më të madh në të ardhmen. Sërish mbetem i bindur se universitetet janë dhe duhet të mbeten qendra kryesore të përfshirjes të të gjithë atyre që fitojnë në këtë program, sikurse ju siguroj se administrata ka nevojë të jashtëzakonshme për ju dhe do të mbetet gjithnjë e hapur dhe shumë e hapur”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Më tej Kryeministri shprehu garancinë se arsimi do të mbetet prioritet absolut i kësaj qeverie, edhe në rast të një mandati të dytë. “Në katër vjet ne kemi ndërmarrë reforma të thella në arsim. Mësuesit dhe pedagogët i kemi vendosur në vendin që meritojnë, kemi shtrirë internetin në të gjitha shkollat e vendit, kemi dyfishuar buxhetin dhe dyfishuam vitin që shkoi numrin e studentëve, por hapësirat janë të mëdha dhe hapësirat më të mëdha janë të përfshijnë kontributin e sektorit privat”, vijoi Kryeministri.
Kryeministri Berisha i shprehu mirënjohjen grupit të parë të përfituesve të paketave nxitëse të programit Brain Gani. Në këtë ceremoni ishin të pranishëm, Zëvendësadministratorja e PNUD dhe Drejtoresha Rajonale për Europën, Kori Udovicki, Ambasadorja e OKB-së në Tiranë, Znj. Turkoz-Cosslet, Ministri i Arsimit dhe Shkencës Fatos Beja dhe personalitete të tjera të fushës së shkencës dhe artit.
Duke e krahasuar këtë program me atë të vendeve të tjera në vendet e Europës Juglindore, Zëvendësadministratorja e PNUD dhe Drejtoresha Rajonale për Europën, vlerësoi se ky është programi më i suksesshëm që ajo kishte parë. Znj. Udovicki tha se për administratën publike dhe universitetet është dëshira e tyre e mirë për të tërhequr trurin, ndërsa nënvizoi se ky është vetëm fillimi.
Fjala e plotë e Kryeministrit Berisha gjatë ceremonisë së shpërndarjes së certifikatave për grupin e parë të fituesve të Programit Brain Gain :
Nisur tre vite më parë projekti i rikthimit të trurit do të thotë i rikthimit në Shqipëri i studiuesve, intelektualëve, të cilët janë doktoruar apo kanë marrë Master, apo janë shkolluar në shkolla të mira të perëndimit, është dhe mbetet një përparësi shumë madhore e qeverisë sime. Unë kam një respekt shumë të madh për administratën, për punonjësit e sektorit publik, punonjësit e sektorit privat dhe vlerësimin më të madh për punën e tyre.
Por koha është më e pamëshirë se të gjithë të tjerat. Koha kërkon me një emergjencë të madhe që të qëndrohet në lartësinë e duhur , që t`i përgjigjemi kërkesave të saj, dhe sot Shqipëria, e cila në proporcion me vendet tjera mund të ketë numrin më të lartë të studentëve, të studiuesve në Europë dhe në botë, ka gjithashtu shansin më të madh me përkushtim të kërkojë bashkëpunimin e tyre të kërkojë rikthimin e tyre dhe kontributin e tyre. Fakti që një kontingjent prej mbi 73 intelektualë dhe studiues i përgjigjen këtij programi është jashtëzakonisht pozitiv. Këto ishin përpjekjet e para por kjo përpjekje e parë ka hedhur bazat e një suksesi shumë më të madh në të ardhmen. Sërish mbetem i bindur se universitetet janë dhe duhet të mbeten qendra kryesore të ftesës të përfshirjes të të gjithë atyre që fitojnë në këtë program, sikurse ju siguroj se administrata ka nevojë të jashtëzakonshme për ju dhe do të mbetet gjithnjë e hapur dhe shumë e hapur.
Ky program shënon sot suksesin e parë, por një thirrje do t`ua bëja të gjithë universiteteve publike dhe private ta përparësojnë atë dhe dua t`i garantoj se qeveria nuk do të diferencojë përsa i përket këtij programi, do të ketë qëllim të njëjtë ndaj tyre dhe intensifikimi e suksesi i këtij procesi do të jetë një faktor i madh në procesin e bashkërendimit të zhvillimit të vendit.
Ky vend, më vjen keq që më duhet ta përsëris, është vendi më kohëhumbur i Europës. Së pari ky vend më shumë se çdo vend apo komb tjetër ka nevojë të kapë kohën e humbur. Reformat e ndërmarra janë reforma, të cilat kanë patur një ndikim transformues, janë pikërisht këto reforma që bënë që ju që ktheheni nga jashtë të gjeni tashmë një Shqipëri anëtare të NATO-s pra një Shqipëri me pasaportë të re besimi, sigurie e bashkëpunimi.
Reformat në këtë vend jo vetëm kanë shtyrë përpara proceset e integrimit dhe po i konkretizojnë ato, por e vërteta është se ato reforma sot kanë bërë që Shqipëria megjithë problematikën të jetë një nga vendet me ekonomi më të konsoliduar. Ju vetë jeni dëshmitarë që gjatë muajve të fundit ka patur një seri të madhe vlerësimesh, në të cilat Shqipëria cilësohet se do të jetë vendi i rritjes më të madhe ekonomike në Europë këtë vit. Unë ju garantoj ju se kjo nuk ka asnjë arsye tjetër, jo se Shqipëria nuk është globale, se Shqipëria është thellësisht globale duke qenë një vend me importe shumë të mëdha, jo se Shqipëria është një vend me pasuri të mëdha gazi apo nafte, por kjo vjen sepse Shqipëria ka vendosur në themelet e ekonomisë së saj parimet solide.
Ne përcaktuam 4 vjet më parë ‘Shqipëria vend i barrës fiskale më të ulët në Europë’. Siç e shihni qeveritë tjera sot përpiqen që si antidot ndaj krizës të përdorin stimujt fiskalë. Shqipëria për shkak të trashëgimisë së saj të tmerrshme në rrugë dhe në infrastrukturë ka investuar në vitin 2008, 20 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto të saj, ndërkohë që qeveria tjetër që ka investuar më shumë ka patur 5.5 % të Prodhimit të Brendshëm në infrastrukturë.
Janë këto reforma që e bënë Shqipërinë të ketë dhe në një kohë stuhie të paprecedentë në historinë botërore që nga Depresioni i Madh deri më sot të mbahet solide. Natyrisht nuk them se nuk ka pasoja sepse thashë se Shqipëria është globale, Shqipëria është tërësisht e hapur dhe ka standardet më të hapura ekonomike dhe këto standarde kanë ndihmuar. Dy vjet më parë firmosëm marrëveshjen e Tregtisë së Lirë me Turqinë. Kishte një ngurim të madh për shkak të fuqisë eksportuese të Turqisë në disa artikuj, por bilanci është i tillë , eksportet tona janë rritur 2 herë me Turqinë në një kohë kur importet janë rritur 1.6 herë. Ky vend i vogël dhe me probleme, por me gjallëri dhe dinamizëm ky vend përpiqet të përballojë apo të ecë në orën globale.
Ju sigurisht me kontributin tuaj sigurisht do të jepni një ndihmesë shumë të madhe. Le ti qëndrojmë kësaj ore si kusht vendimtar për tu zhvilluar sikurse ju ftoj, ftoj drejtuesit e universiteteve të gjitha lidhjet tuaja akademike të përpiqeni t`i bëni disponibël, për sektorët në të cilat ju punoni qofshin universitete, qofshin administratë etj. Edhe kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme.
Unë dua t`ju garantoj ju se arsimi do të mbetet prioriteti absolut i kësaj qeverie, në rast të një mandati të dytë. Në katër vjet ne kemi ndërmarrë reforma të thella në arsim. Mësuesit dhe pedagogët i kemi vendosur në vendin që meritojnë, kemi shtrirë internetin në të gjitha shkollat e vendit, kemi dyfishuar buxhetin dhe dyfishuam vitin që shkoi numrin e studentëve, por hapësirat janë të mëdha dhe hapësirat më të mëdha janë të përfshijnë kontributin e sektorit privat. Unë i përshëndes të gjithë ata drejtues universitetesh publike apo private që me përkushtim punojnë për rikthimin tuaj. Ne u kemi dhënë universiteteve publike 1 mijë vende shtesë vetëm për ju, por unë ju garantoj ju se ne jemi të gatshëm t`u japim edhe 2 mijë vende, mjafton që ne të arrijmë t`i mbushim ato, mjafton që ne të arrijmë të rikthejmë trurin tonë në vend dhe të njëjtin qëndrim do të adaptojmë pa asnjë dallim ndaj universiteteve private.
Në raport me programin Brain Gain, qeveria duhet t`i trajtojë ato njëlloj, pavarësisht nga disa detyrime të tjera që do t`i përmbushim në detyrimet që kemi ndaj tyre, për disa stimuj fiskalë që ata i kanë të domosdoshëm, por këto nuk duhet të ndërhyjnë me njëra tjetrën.
Çdo atribut i këtij programi duhet të shtrihet njëlloj në të gjitha universitetet. Ne kemi një Fond Ekselence me të cilin ne mbështesim çdo studiues që do të mbrojë doktoratën apo Master-in në universitetet e mirëkuotuara të Perëndimit. Kjo përbën një mundësi të madhe për të gjithë universitetet publike dhe private që të konkurrojnë për këtë fond, është absolutisht pa limit. Në rast se sot është 1 milion, për fat të keq kërkesa është nën të, por në qoftë se kërkesa do të jetë tre milionë ai do të jetë 3 milionë, në qoftë se kërkesa do të jetë 5 milionë, ai do të bëhet 5 milionë, sikundër ne inkurajojmë studentët tuaj të aplikojnë për studime në dhjetë universitetet më të mira të botës. Secili prej tij ne do t`i paguajmë bursën natyrisht kundrejt një kontrate për t`u rikthyer në vendin e tij.
Nuk do të ndalem më gjatë, por dua të shpreh edhe njëherë mirënjohjen time të thellë vlerësimin tim më të madh ndaj gjestit tuaj dhe t`ju siguroj se kjo qeveri do të bëjë çdo përpjekje që ju të keni një kthim të suksesshëm.
Dua të falënderoj edhe rektorët edhe drejtuesit të cilët janë zbatuesit realë të këtij projekti me një rëndësi reale dhe simbolike jashtëzakonisht të madhe për vendin.
27/03/2009