E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Liberalizimi i vizave, përfitimi i parë madhor i qytetarëve nga procesi i integrimit në Bashkimin Evropian

Nën drejtimin e Kryeministrit Berisha u mblodh sot Komitetit Ndërministror për Liberalizimin e Vizave, me qëllim analizimin e punës në prag të misionit që vjen nga Komisioni Evropian për të verifikuar dhe për të diskutuar mbi të gjithë kuadrin e masave të ndërmarra nga pala shqiptare, në mënyrë që Shqipëria të meritojë heqjen e vizave me vendet e Bashkimit Evropian.

Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh se heqja e vizave me Bashkimin Evropian, pas anëtarësimit të vendit në NATO, përbën objektivin e dytë më madhor të kësaj qeverie.

“Liberalizimi i vizave është pjesë e procesit të integrimit, por për qytetarët shqiptarë kjo është ndoshta dhe pjesa më palcore e procesit të integrimit, pasi lëvizja e lirë e tyre në hapësirën evropiane është përfitimi i parë madhor dhe më kryesor që ata kanë nga procesi i integrimit në Bashkimin Evropian”, u shpreh Kryeministri, duke vlerësuar se në këtë drejtim është bërë një punë serioze dhe e gjithanshme.

Kryeministri Berisha përmendi si shumë pozitive dhe të rëndësishme raportet më të fundit, të cilat dëshmojnë se Shqipëria ka bërë përparime thelbësore në luftën kundër trafikut të qenieve njerëzore. “Shumë pozitive dhe të rëndësishme janë veçanërisht raportet më të fundit, të cilat dëshmojnë se Shqipëria ka bërë përparime thelbësore në luftën kundër trafikut të qenieve njerëzore dhe që dëshmojnë se Shqipëria nuk është më rrugë kryesore apo transiti e trafikut të drogës drejt perëndimit, por kjo rrugë ndjek tani trajektore të tjera”, u shpreh Kryeministri.

Të tjera përparime të mëdha, u shpreh Kryeministri, janë shënuar dhe po shënohen në fushën e identifikimit, ku qytetarët shqiptarë po pajisen me dokumente të teknologjisë më të avancuar.

Kryeministri Berisha theksoi se është shumë e domosdoshme është që çdo agjenci dhe çdo ministri të shqyrtojë me hollësi të gjitha detyrimet e veta, pasi ekipet që vinë për të parë gjendjen në vend, në një numër shumë të madh takimesh me institucione të ndryshme, do të bëjnë një raport pothuajse përcaktues, pasi në maj mblidhet Komisioni për të marrë vendime të rëndësishme.

Duke u ndalur në procesin e liberalizimit të vizave, Kryeministri  u shpreh se ky proces ka pasur një mbështetje të gjerë politikisht, por kjo nuk mjafton. “Lidhur me procesin e liberalizimit të vizave, politikisht si proces ka mbështetje të gjerë, por kjo nuk mjafton. Rëndësi kryesore këtu kanë ministrat e Punëve të Brendshme. Ndaj z. ministër i Brendshëm është shumë e rëndësishme të intensifikohen takimet me të gjithë homologët dhe agjencitë e zbatimit të ligjit të vendeve anëtare për të prezantuar arritjet dhe përpjekjet tona në luftën kundër kriminalitetit, kundër korrupsionit, në kontrollin e integruar të kufijve, si dhe gatishmërinë tonë për të gjitha llojet e marrëveshjeve të ekstradimit dhe riatdhesimi me vendet anëtare të BE-së, në mënyrë që shkalla e sigurisë dhe e besimit ndaj shqiptarëve të rritet. Ky besim është i madh, përveç se në disa qarqe të ekstremit të djathtë, të cilët në ndonjë vend jo anëtar bënin fushatë elektorale duke paraqitur gogolin shqiptar. Por, ekstremizmit janë kudo dhe ata nuk  përbëjnë opinionin e shoqërive”, u shpreh Kryeministri, duke shprehur si domosdoshmëri promovimin e arritjeve.

Gjatë këtij takimi, Kryeministri Shqipëria kërkoi që thellohet edhe më tej lufta me zero tolerancë ndaj krimit. “Shqipëria është një vend me tregues kriminaliteti qartësisht me të ulët se mesatarja e vendeve të Bashkimit Evropian, por ne do ta ulim edhe më tej. Ne duhet ta thellojmë zero tolerancën tonë ndaj krimit. Por, është një arritje shumë e madhe për vendin që ka shkurajuar rrugën e drogës dhe trafikantët janë detyruar të ndjekin trajektore të tjera, por ne edhe më tej duhet ta forcojmë këtë dhe të bashkëpunojmë më ngushtë me Maqedoninë, Kosovën, Greqinë, Malin e Zi, Italinë, Turqinë. Është shumë e rëndësishme që të garantojmë partnerët tanë se nga Shqipëria eksportohet siguri dhe jo krim”, u shpreh Kryeministri Berisha.


25/02/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›