E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komisioni për Ekonominë dhe Financat

 

 Komisioni për Ekonominë dhe Financat diskutoi projektligjin: Për miratimin e kontratës së koncensionit, ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, si autoritet kontraktues, dhe AVN AG, Statkraft AS dhe Devoll Hydropower, sh.a, si bashkëkoncensionarë, për projektin, financimin, ndërtimin, marrjen në pronësi, shfrytëzimin, mirëmbajtjen dhe transferimin e projektit të hidrocentralit në lumin Devoll, në Republikën e Shqipërisë, në prani të specialistëve të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës.
Kjo kontratë parashikon dhënien me koncension të hidrocentralit të Banjës, duke rikonstruktuar digën ekzistuese për të shtuar sigurinë e saj, pasi ky hidrocentral është lënë i papërfunduar që prej 20 vjetësh. Gjithashtu, koncensionari do të ndërtojë edhe dy hidrocentrale të tjerë më të vegjël mbi lumin Devoll.  Koncensionari do të mbështetet në legjislacionin aktual në fuqi dhe kontrata kap shifrën 1 miliard euro dhe kontributi i Qeverisë shqiptare është vetëm diga ekzistuese e hidrocentralit të Banjës.
Deputetët e opozitës u larguan nga mbledhja, pasi kërkuan praninë e përfaqësuesve politikë të Ministrisë, për rëndësinë e madhe të kësaj kontrate.
Komisioni vazhdoi diskutimin e marrëveshjes dhe e ndërpreu mbledhjen në momentin e votimit, për ta vazhduar më vonë, kur të ishte dhe kuorumi i nevojshëm.
Projektligji u miratua me të gjitha votat pro të deputetëve të pranishëm.

   
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›