E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Me Sali Berishën ju bashkon besimi që Europa ka tek unë dhe qeveria ime

Kryeministri Berisha zhvilloi sot pasdite një takim me qytetarë të Vaut të Dejës. Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Qytetarë të Vaut të Dejës,

Së pari, dua të përulem me nderim shumë të madh përpara jush, qytetarëve të Vaut të Dejës që kurrë ndonjëherë nuk vutë në dyshim mbështetjen më të madhe ndaj nesh, demokracisë dhe vlerave të saj. Ju keni qenë dhe mbeteni  shtyllë e fuqishme e demokracisë në Shqipëri.

Unë shpreh kënaqësinë e madhe që takohem sot me ju në këtë qytet, si qytetarë të një vendi anëtar të NATO-s, si qytetarë të një vendi që ka aplikuar për anëtar në Bashkimin Europian, si qytetarë të një vendi që gjatë vitit të parë të mandatit të ardhshëm do të lëvizin të lirë në Europë, pa viza, ashtu siç na takon, me dinjitet të plotë.

Qytetarë të Vaut të Dejës,

Në katër vite ne i shndërruam në realitet premtimet tona. Ne premtuam integrimin e Shqipërisë në NATO dhe sot ëndrra atlantike e shqiptarëve nuk është më ëndërr por është realitet, sot Shqipëria është vend aplikant në BE. Ne premtuam dyfishimin e pensioneve, premtuan dyfishimin e rrogave të mësuesve, të infermierëve dhe mjekëve dhe sot ky premtim është një realitet. Ne premtuam mbështetjen për fermerët shqiptarë dhe sot qeveria ime financon çdo projekt të tyre që ka si qëllim nxitjen e prodhimit. Ne premtuam përmirësimin e klimës së biznesit, reforma të thella dhe sot Shqipëria është vendi lider për thithjen e investimeve të huaja. Sot këtu në bashkinë tuaj ndërtohet një nga hidrocentralet më të mira, më të bukura, më të rëndësishme të vendit.

Qytetarë të Vaut të Dejës,

Jam sot tek ju për t’ju ftuar të vazhdojmë ndryshimin. Në bashkinë tuaj janë investuar dhjetëra herë më shumë sesa gjatë qeverisjeve të mëparshme socialiste. Por unë jam këtu për t’u zotuar se në katër vitet që vijnë, në këtë bashki, në fshatrat përreth dhe në mbarë fshatrat e Shkodrës, nuk do të ketë rrugë e rrugicë të pa asfaltuar. Jam këtu para jush për t’ju dhënë fjalën se ne do të subvencionojmë naftën e imputet e saj për qindra sipërfaqe të mbjella, do të financojmë frutikulturën, ullirin dhe të gjitha kulturat bujqësore që ju do të mbillni për interesat tuaja. Pensionet e fermerëve të kësaj zone dhe të mbarë Shqipërisë do të jenë të barabarta me pensionet e qyteteve dhe më të larta sesa pensionet e fermerëve në 6 vende anëtare të Bashkimit Europian.  

28 qershori po afron dhe unë kam një thirrje vëllazërore, për të gjithë ju, për të gjithë qytetarët e Vaut të Dejës, pavarësisht nga bindjet politike; edhe këto 3 ditë që kanë mbetur, merrni letërnjoftimet elektronike, sepse me to ne barazohemi me qytetarët e vendeve më të zhvilluara të Europës, merrni letërnjoftimet sepse ato do t’ju duhen për dhjetëra e dhjetëra përdorime, merrni letërnjoftimet, në mënyrë që të votojmë me dinjitet të plotë, si qytetarë të një vendi të lirë.

Ju adresohem sot, në mënyrë të veçantë, socialistëve të Vaut të Dejës. Mendoni për një moment se me cilin e ndjeni veten më afër; me Sali Berishën apo Edi Ramën. Me Partinë Demokratike  dhe Sali Berishën ju bashkon së pari ëndrra juaj europiane, si projekti më i bukur dhe më madhështor për të gjithë shqiptarët dhe fëmijët e tyre, me Sali Berishën ju bashkon përpjekja e tij e madhe dhe dashuria e tij për këtë vend. Me Edi Ramën ju ndan çelësi i bashkisë në gjoksin e Goran Bregovicit, himnizuesit të masakrave të serbëve mbi kosovarët. Me Sali Berishën ju bashkon rritja e madhe e rrogave dhe pensioneve, ju bashkon besimi që Europa ka tek unë dhe qeveria ime, ju bashkon interesi juaj më i mirë.

Ku është Edi Rama, të nderuar socialistë të Vaut të Dejës? Ai nuk ka pranuar t’ju udhëheqë ju, ai nuk ka pranuar të vendosë emrin në krye tuaj, ndonëse është kryetari juaj. Ai ju ka zëvendësuar ju me 99-shat, me të cilët ndan lejet e ndërtimit dhe pazaret e fëlliqura të bashkisë së Tiranës.

Të dashur qytetarë të Vaut të Dejës,

Siç e dini, Sali Berisha, sa herë gabon, kërkon ndjesë. Nuk mund të mos ju kërkoj ndjesë, pasi katër vite më parë kam ardhur këtu dhe ju kam thënë se vota për Nard Ndokën, është votë për Sali Berishën. Ndërsa sot ju kërkoj ndjesë dhe ju them se vota për Nard Ndokën është votë për Edi Ramën. Sikundër, qenka e  vërtetë vëllezër se, çdo gjë në këtë botë mund të bësh, por nuk i duhet dhënë besë, të pabesit.

Më 28 qershor të gjithë të shkojmë në votime. Edhe njëherë ju garantoj për mbështetje të plotë dhe totale për çdo projekt të kësaj bashkie, të fshatrave përreth të Vaut të Dejës europian dhe të gjithë Shqipërisë”.    


14/06/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›