Kryeministri Berisha: Mandati i dytë do të përcaktojë zhvillimin e vendit për katërvjeçarin e ardhshëm
-Kryeministri Berisha mori pjesë sot në ceremoninë e fillimit të punimeve për ndërtimin e landfillit për përpunimin e mbetjeve urbane në komunën Bushat
Kryeministri Berisha, i cili po zhvillon sot një vizitë, në rrethin e Shkodrës, mori pjesë në ceremoninë e fillimit të punimeve për ndërtimin e landfillit në komunën Bushat, një projekt ky me vlerë rreth 600 milionë lekë dhe me kapacitet prej 47 mijë tonë në vit.
Duke e cilësuar përpunimin e mbetjeve urbane si një nga kushtet kryesore për zhvillimin e vendit, Kryeministri Berisha u shpreh se ndërtimi i këtij landfilli është një projekt tepër i rëndësishëm jo vetëm për Komunën e Bushatit, por për të gjithë qarkun e Shkodrës e të Lezhës, e se qendra të tilla do të ngrihen në të gjitha qarqet e vendit, nga Shkodra deri në Korçë.
“Është një kënaqësi e veçantë të ndaj me ju gëzimin e inaugurimit të këtij projekti me rëndësi shumë të madhe jo vetëm për komunën Bushat, por për të gjithë qarkun e Shkodrës dhe të Lezhës. Landfilli është një qendër kryesore e përpunimit të mbetjeve të forta urbane dhe është përcaktuar nga studimet më të mira, si rruga më e mirë, më e sigurt dhe më e padëmshme e trajtimit të mbetjeve të ngurta të fshatrave dhe qyteteve tona”, u shpreh Kryeministri, duke shtuar më tej se qeveria është e vendosur të bëjë investime të mëdha për t’i dhënë Shqipërisë një infrastrukturë të vërtetë Evropiane.
Duke folur për zhvillimin e bujqësisë, Kryeministri u shpreh se “qeveria do ta shohë me përparësi zhvillimin e bujqësisë i cili kalon nëpërmjet zhvillimit rural. Ju garantoj se këtë vit projektet në infrastrukturën e komunave tona janë minimumi 200 milionë dollarë. Janë shumë më tepër nga ç’kanë qenë vite më parë. Përgjigja më e drejtë dhe ndihma më e madhe për zhvillimin e bujqësisë është ndërtimi i infrastrukturës rurale, që do të jetë dhe baza mbi të cilën do të ngrihen edhe ndërtime të tjera në këtë zonë”.
Sa i përket projekteve të asfaltimit të më shumë se 12 mijë kilometrave rrugë rurale, Kryeministri u shpreh se ky projekt dukej një mision shumë i vështirë, por tashmë po ecën më shpejt nga sa ishte planifikuar. “Financimi i këtyre projekteve-, vijoi Kryeministri, - nuk është pjesë e fondit prej 400 milionë dollarë, prej nga do të përfitojnë të gjithë qarqet e vendit”.
Më tej, Kryeministri theksoi se zhvillimi i vendit në katërvjeçarin e ardhshëm do të përcaktohet në mandatin e dytë, të cilin do ta vendosin vetë qytetarët me anë të votës së lirë. “Natyrisht, mandati i dytë, që do ta vendosni ju me votën tuaj të lirë, do të përcaktojë të gjithë zhvillimin e ardhshëm katër vjeçar të vendit. Ju siguroj se në këtë rast, besimi ndaj qeverisë dhe Sali Berishës do të shpërblehet me fjalë të mbajtur. Unë e kam zgjedhur filozofinë time: mbajtjen e fjalës së dhënë. Unë do ta mbaj fjalën e dhënë ndaj jush dhe nuk do të premtoj asnjëherë gjëra që nuk mund t’i bëj. Kjo është filozofia ime e thjesht.”, u shpreh Kryeministri.
Në këtë vizitë Kryeministri Berisha shoqërohej nga Kryetarja e Kuvendit znj.Jozefina Topalli, Ministri i Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacionit z.Sokol Olldashi, deputetë të zonës, drejtues të pushtetit lokal, etj..