Kryeministri Berisha: Qeveria nuk do të neglizhojë investimet në zonat rurale
Gjatë vizitës në rrethin e Shkodrës, Kryeministri Berisha u ndal në Komunën Bushat, ku mori pjesë në ceremoninë e fillimit të punimeve për ndërtimin e rrugës së re, në fshatin Melgushe. Rruga, me gjatësi 7 kilometra dhe me vlerë 51 milionë lekë, do t’i shërbejë një komuniteti prej 8000 banorësh duke lidhur dy fshatrat Ranxe e Melgush me superstradën Tiranë-Shkodër.
Kryeministri Berisha vlerësoi punën e bërë nga kryetari i komunës së Bushatit, duke theksuar ai se ka asfaltuar 40 përqind më shumë rrugë sesa kryetari i Bashkisë së Tiranës.
“Me këtë rrugë prej 7 kilometrash, që lidh dy fshatrat Ranxe e Melgush me superstradën Tiranë-Shkodër, në Bushat asfaltohen 15 kilometra nga 36 kilometra rrugë që janë gjithsej, ndërkohë që janë dhe 5 kilometra të tjerë në asfaltim e sipër. Brenda vitit 2008 do të sistemohet rreth 60 përqind e infrastrukturës, ndërsa në vitin 2009 do të asfaltohen të gjitha rrugët e kësaj komune. Kryetari i komunës së Bushatit ka asfaltuar 40 përqind shumë sesa banori i Tiranës, meqenëse atij i pëlqen që komunarët t'i quajë banorë. Ai edhe për Kasharin tha se u ndeshën katër banorë dhe doli i katërti”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Më tej, Kryeministri u shpreh se vërtetë fondet më të mëdha qeveria i ka përqendruar në Tiranë, por në mënyrë absolute nuk do të neglizhohen zonat rurale të Shqipërisë. “Shqipëria nuk mund të zhvillohet pa zhvillimin rural. Unë i ndjek me vëmendje projektet e qeverive vendore dhe ka një kthesë rrënjësore, nga rrugët me çakëll në rrugë me asfalt, nga pusetat tek kanalizimet, nga puset tek ujësjellësit. Këto janë projekte qe për t'u kompletuar kërkojnë miliarda. Por, në vitin 2007 ka qenë hera e parë në historinë e këtij vendi që qeveria e tij u bë miliardere dhe paraqiti buxhetin prej 4.2 miliardë dollarë. Ndaj, nuk duhet të na trembin dhe miliardat që nevojitet për të realizuar këto projekte. Ne do të bëjmë ndërtime në të katër anët e vendit”, u shpreh Kryeministri.
Në këtë vizitë Kryeministri Berisha shoqërohej nga Kryetarja e Kuvendit znj.Jozefina Topalli, Ministri i Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacionit z.Sokol Olldashi, deputetë të zonës, drejtues të pushtetit lokal, etj..