Kryeministri Berisha: Mbajtja e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme është objektivi absolut i kësaj qeverie
Kryeministri Berisha zhvilloi sot një mbledhje me prefektët e qarqeve, me të cilët diskutoi për çështje të rëndësishme që lidhen me shpërndarjen e ndihmës ekonomike, përgatitjen e infrastrukturës zgjedhore dhe për shpejtimin e procesit të investimeve në infrastrukturë.
Duke u ndalur në çështjen e parë Kryeministri Berisha tha se qeveria akordon çdo vit një shumë të madhe ndihmë ekonomike, rreth 180 milionë dollarë, ndërsa vlerësoi se shpërndarja e saj është qartësisht e pandershme pasi ka familje, të cilat përjetojnë ende mjerim të thellë.
Në këtë kontekst Kryeministri Berisha u kërkoi prefektëve që në bashkëpunim me kryetarët e komunave dhe bashkive të identifikojnë të gjitha familjet që kanë realisht nevojë për ndihma ekonomike. Kryeministri shprehu angazhimin e plotë të qeverisë për të ndihmuar çdo familje që është realisht në nevojë, për çështjet bazë si shkollimi, mjekimi dhe strehimi.
Kryeministri theksoi se Shqipëria nuk është më në grupin e vendeve të varfra, dhe kjo detyrimisht duhet të reflektohet tek të gjithë qytetarët shqiptarë. Duke u ndalur në përpjekjet e qeverisë për krijimin e stofit social njerëzor të shoqërisë, Kryeministri Berisha iu referua rritjes së ndjeshme të pagave dhe pensioneve.
Megjithatë Kryeministri theksoi se nuk do të ndërhyhet në skemën e ndihmës ekonomike pa një verifikim të plotë.
Ndërsa çështja e dytë e trajtuar gjatë këtij takimi kishte të bënte me vendosmërinë e palëkundur të qeverisë për mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Në këtë kontekst Kryeministri Berisha theksoi se mbajtja e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme është objektivi absolut i kësaj qeverie dhe për këtë po krijohet një infrastrukturë zgjedhore moderne. Duke iu referuar zgjedhjeve vendore të vitit 2007, Kryeministri Berisha tha se administrata kaloi një test në mënyrë të shkëlqyer, pasi të gjithë raportet në një zë konstatonin se "qeveria qe korrekte, qeveria nuk ndërhyri" dhe kjo është shumë e rëndësishme.
Prandaj, theksoi Kryeministri, qeveria dhe ju qeveritarët e këtij koalicioni duhet të punoni me përkushtimin më të madh për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm, i cili vjen para së gjithash dhe mbi të gjitha nga zbatimi me rigorozitet i ligjit të zgjedhjeve. Më tej Kryeministri Berisha kërkoi nga prefektët përshpejtimin e shpërndarjes së letërnjoftimeve dhe pasaportave biometrike, që është përparësia absolute e procesit zgjedhor.
Në këtë kontekst Kryeministri e vlerësoi këtë si detyrën parësore të prefektëve, të cilëve u kërkoi që të bëjnë çdo gjë që procesi të ecë me shpejtësinë më të madhe të mundshme dhe në mënyrën më normale.
“Ndaj dhe kërkoj nga ju dhe të gjithë qeveritarët vendorë që këtë ta kenë përparësi të të gjitha përparësive”, theksoi Kryeministri duke nënvizuar që kjo infrastrukturë moderne që po përgatitet është një garanci shumë e madhe për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm pas vendosmërisë të administratës dhe të punonjësve të saj për të zbatuar ligjin dhe vetëm ligjin në procesin zgjedhor.
Çështja e tretë e këtij takimi ishte ajo e realizimit të investimeve,të cilën Kryeministri Berisha e vleresoi si jetike për shkak të krizës globale. Në këtë kontekst Kryeministri theksoi se realizimi i investimeve këtë vit është dy herë më imperativ se sa vitin e kaluar. Duke shprehur garancinë për respektimin e treguesve të përcaktuar me FMN-në, Kryeministri Berisha vlerësoi se kushti anti-krizë për Shqipërinë është realizimi i plotë i investimeve. Lidhur me mënyrën e realizimit të prokurimeve publike, Kryeministri theksoi se këtë vit nuk do të ketë më asnjë prokurim jo elektronik, metodë e cila do të shmangë pazaret paraprake.
Në këtë kontekst Kryeministri theksoi se fondet e destinuara për projekte në ato bashki apo komuna që do të refuzojnë të realizojnë prokurime elektronike do t`u kalojnë komunave apo bashkive të tjera që do të pranojnë të realizojnë prokurime elektronike.
Kryeministri u shpreh optimist për një buxhet të dytë në qershor pavarësisht krizës ekonomike globale dhe nënvizoi se ky buxhet do të ketë destinacion investimet për zhvillimin e qëndrueshëm rural. Ne, garantoi Kryeministri do të bëjmë çdo gjë që në një periudhë maksimale tre-vjeçare Shqipëria të ketë një rrjet rrugor tërësisht të ri.
Kryeministri u kërkoi prefektëve të 12 qarqeve të vendit që të zhvillojnë mbledhje me autoritetet vendore në të gjithë vendin për realizimin e këtyre detyrave duke nënvizuar se pavarësisht se ky është një vit elektoral, nevojat e qytetarëve duhet të jenë prioritare në veprimtarinë e tyre.
Në fjalën e tij Kryeministri Berisha u shpreh:
E kërkova këtë mbledhje për të diskutuar tre probleme shumë të rëndësishme. Një problem ka të bëjë me ndihmën ekonomike. Qeveria akordon çdo vit një shumë të madhe për ndihmë ekonomike 180 milionë dollarë dhe shpërndarja e saj është një shpërndarje qartësisht e pandershme sepse në prefekturat tuaja ka familje, të cilat përjetojnë vërtet mjerim të thellë, ka familje të cilat me të ardhurat që kanë absolutisht kanë një ditë shumë të dhimbshme, janë familje me jetimë, familje që kanë humbur njërin anëtar të familjes, familje që kanë humbur të zotin apo të zonjën e shtëpisë nga shkaqe të ndryshme apo e kanë shumë të sëmurë, apo e kanë të burgosur.
Realisht nuk është një numër i madh, por cilido që të ishte ky numër ne jemi të detyruar t`i përgjigjemi atyre. Jemi të detyruar t`u përgjigjemi për shkollimin e fëmijëve, për mjekimin, në mundësitë minimale për strehimin e tyre, jemi të detyruar të flasim me to. Çfarë mund t`i thuhet një familje, e cila humbi të zotin e shtëpisë, punën e tij dhe me të ardhurat që ai merrte paguante dhe një kredi që kishte? Ka dhe raste të tjera. Më shkruan një rast dhe më thotë që ka tre fëmijë: “kam vetëm pensionin e burrit vetë jam e papunë”. Bini pak lapsit se në ç`mënyrë mund të përmbushë ajo detyrimet ndaj enteve shtetërore, në asnjë mënyrë nuk mund t`i përmbushë. Vetëm po të lejë fëmijët e saj pa ushqim. Them se realisht këto nuk janë të shumta, por qoftë dhe një rast i vetëm të jetë, është e pandershme për ne të pranojmë një situatë të tillë. Shqipëria është 20 herë më lart se sa skema e vendosjes së ndihmës ekonomike.
Ju jeni aty për t`i dëgjuar ato, për të verifikuar cila është gjendja e tij për të studiuar. Jo në pak raste më ndodh që i verifikojmë dhe kanë biznese, mirë nuk bëjnë, por kjo nuk mund t`ju pengojë ju dhe kryetarët e komunave dhe bashkive për t`i verifikuar këta. Nuk mund të pranojmë ne një shoqëri të tillë. Kryetari i bashkisë dhe kryetari i komunës ka detyrën e parë tek ai që është më në nevojë. Por e supozojmë se ai nuk është, ne nuk duhet të bëhemi bashkëfajtorë në këtë çështje. Ju duhet të njihni gjendjen e familjeve më të skajuara. Është e pamundur që qeveria qendrore t`i identifikojë ato, e pamundur t`i verifikojë, por është plotësisht e mundur për ju dhe institucionin tuaj plotësisht e mundur për bashkitë dhe komunat. Ne kemi rritur faturën sociale nga 6 % të Prodhimit të Brendshëm në 9 %, nga ana tjetër kemi vendosur standardet më liberale dhe u them se u bë shumë mirë sepse vendi dhe Acqui Communittaire kërkojnë me çdo kusht ndërtimin e stofit social, kjo shoqëri duhet të ketë stofin e saj social njerëzor.
Le të marrim pak rastin se si janë shpërndarë bursat, kontrolloni bursat. Në tërësi janë shpërndarë mirë, por absolutisht ka raste që mund të jenë shpërndarë edhe për qoka dhe kjo është një gjë e rëndë. Nuk duhet ta nënvlerësoni faturën që duhet të paguajë studenti. Nuk jam unë kurrë i atij parimi që po nuk paguan nuk duhet të hyjë në shkollë, jo do hyjë në shkollë. Kur mund të mos ketë mundësi ta paguajë do ia paguajmë ne. Me çfarë mund të paguajë një fshatar me një lopë dhe një mushkë? Çfarë mund të bëjë ai? Ti shesë ato? Prandaj ne i dyfishuam bursat, absolutisht do i trefishojmë ato dhe në Shqipëri kushtet për shkaqe të mospasjes nuk mund të mbetet pa shkollë, por këtu është detyra juaj t`i verifikoni këto familje dhe për t`i identifikuar duhet t`i takoni duhet t`i dëgjoni, nuk janë njerëzit statistika. Është shumë e rëndë që ndihma të shkojë tek ato që marrin dy rroga tek sektori privat dhe të tjerët të jenë papunë dhe ju duhet ta verifikoni këtë, nuk keni asnjë vështirësi përveç faktit të përqendrimit mbi problemin. Shteti, qeveria është e detyruar që këto familje në nevojë t`i ndihmojë për gjërat më të domosdoshme. Është e detyruar t`u përgjigjet për shkollimin e fëmijëve, për ushqimin për energjinë. Më thoni si mund të paguajë energjinë një nënë me tre fëmijë dhe një pension? Nga do i marrë? Do t`ia paguajmë ne. Nuk e marr këtë si një mungesë të qëllimshme njerëzie, por ka një regjim tjetër njerëz të mësuar me varfërinë dhe pastaj mbresëlënia e saj nuk është kaq e madhe, por ne nuk jemi më në atë situatë.
Duhet të gjithë ta dinë dhe të mësohemi se Shqipëria nuk futet më në grupin e vendeve të varfra , kjo është një nga arritjet më historike të këtij vendi. Ka dalë nga grupi i vendeve të varfra se kur je në grupin e vendeve të varfra natyrisht ke dhe mjerim, por kur nuk je në grupin e vendeve të varfra të kesh mjerim është pashpirtësi. Nuk janë shumë raste, por pavarësisht nga numri mjafton të jenë të mirëdokumentuara. Nuk duhet t`i japim ne ndihmën njëlloj këtij që ka dy-tre fëmijë dhe vetëm një pension dhe atij që ka dy në punë, por që nuk i regjistron dhe ka ndihmë ekonomike. Duhet të keni kurajo. E shpërndajnë në pjesë të barabarta, kjo është çnjerëzore.
Unë kërkoj që të krijoni grupet e punës dhe t`i identifikoni me përgjegjësi të madhe bashkë me bashkitë dhe komunat. Fakti që ngelen qytetarë që ankohen për probleme të tilla do të thotë që i kanë shpëtuar vëmendjes së autoriteteve vendore dhe kjo është e papranueshme. Ne duhet të përballemi dhe të zgjidhim problemet bazë pa asnjë hezitim, shkollën, mjekimin dhe çështje të tjera të jetës së përditshme. Askush nuk mund të niset se janë shumë pak kjo s`ka rëndësi edhe një po të jetë në një rreth duhet të merremi me të. Ne kemi krijuar dhe një grup pune që do të rishqyrtojë tërësisht çështjen e ndihmës ekonomike. Kam kërkuar që të përfshihen në grup pune drejtorët e shoqatave të qeverive vendore për të na dhënë mendime, por një skemë e re e mirë , e drejt-piketuar është e domosdoshme.
Shqipëria nuk është më vend i varfër. Falë lumenjve të djersës dhe sakrificës së shqiptarëve dhe ndihmës dhe solidaritetit të jashtëzakonshëm ndërkombëtar Shqipëria është tani vend me të ardhura mesatare. Ora ka ngelur tek varfëria. Nuk mund të kemi ne mjerim kudo që të jemi. Aty ku është pamundësia reale aty do të ndërhyjmë ne, por ne nuk ndërhyjmë në mënyrë absolute pa verifikim të plotë të kësaj pamundësie pa dokumentim të plotë të kësaj pamundësie sepse këto janë paratë e taksapaguesve nuk janë paratë as të qeverisë as tuajat as të bashkive as të komunave dhe ky do të jetë një qëndrim konstant i yni por kjo kërkon përkushtim dhe mund, kërkon ta verifikosh. Nuk ka qeveri që të ketë rritur nga 6 në 9 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto faturën sociale të buxhetit. Ne jemi e vetmja qeveri me rritjen e madhe të pensioneve dhe kemi bërë shumë mirë dhe do të vazhdojmë t`i rrisim. Kemi bërë rritjen më të madhe të rrogave të ulëta dhe kemi bërë shumë mirë dhe do të vazhdojmë t`i rrisim, por të përjashtuar nuk mund të ketë.
-Çështja e dytë për ju, për mua, për të gjithë zyrtarët e këtij vendi, pas anëtarësimit në NATO, zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë objektivi më absolut. Kam kënaqësinë t`ju informoj se procesi i anëtarësimit po finalizohet para afatit sepse protokolli është ratifikuar nga pothuajse të gjitha vendet anëtare dhe pritet që javën që vjen të përfundojë plotësisht. Në këtë rast shpreh mirënjohjen më të thellë të gjitha vendeve anëtare, mirënjohjen më të thellë qeverisë së SHBA pa ndihmën dhe mbështetjen e së cilës ky proces nuk do të ishte i mundur sikundër ju siguroj se pa reformat tona ky proces do të ishte i pamundur. Por qëllimi absolut i yni janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme .
Zgjedhjet e lira dhe të ndershme duhet të jenë një mision për çdo qytetar dhe zyrtar të këtij vendi. Asgjë s'meritojnë shqiptarët dhe asgjë s`mund të bëjmë më shumë për ta se sa një proces të lirë zgjedhor. Por me asgjë nuk mund të nderojmë më shumë miqtë tanë për mbështetjen dhe besimin që na kanë dhënë se sa me një proces të qytetëruar zgjedhor. Jua them këtu, sepse për këtë qeveri dhe këtë administratë rëndësi absolute ka ndershmëria dhe liria e zgjedhjeve, rëndësi më pas ka rezultati i tyre ta dinë këtë, kjo është. Pra edhe një vend i lirë është një vend i lirë do mbetet i lirë dhe të konsolidojë lirinë e tij vetëm me procese zgjedhore të lira dhe të ndershme.
Tani ne shkojmë në zgjedhje si vend anëtar i NATO-s imagjinoni se sa e madhe bëhet përgjegjësia jonë për një proces të tillë. Ne kaluam në mënyrë të shkëlqyer si administratë dhe qeveri testin e zgjedhjeve të 2007, në të cilat të gjithë raportet në një zë ishin "qeveria qe korrekte, qeveria nuk ndërhyri" dhe kjo është shumë e rëndësishme. Kjo është kryesorja. Qeveria nuk ndërhyri në rezultatin e zgjedhjeve. Ndodhi nga opozita, në Shijak për shembull, një akt kriminal i shëmtuar, por do të ishte tre herë më kriminal po të ndodhte nga qeveria. Ndaj dhe qeveria, ju pra qeveritarët e këtij koalicioni duhet të punoni me përkushtimin më të madh për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm, i cili vjen para së gjithash dhe mbi të gjitha nga zbatimi me rigorozitet i ligjit të zgjedhjeve. Por ju keni disa detyra shtesë si shpërndarja e letërnjoftimeve dhe pasaportave biometrike që përparësia absolute e këtij procesi. Nuk mund të ketë as edhe një pengesë burokratike apo çfarëdolloj në zhvillimin normal dhe shpejtimin e këtij proces. Detyra juaj e parë është kjo. Do të bëni çdo gjë që procesi të ecë me shpejtësinë më të madhe të mundshme dhe në mënyrën më normale. Kjo është detyra e parë e juaja, të mbikëqyrni, të monitoroni procesin, ku dalin pengesa, cilat janë çështjet që dalin në prefekturën tuaj, të ndërhyni energjikisht, të komunikoni me Ministrinë e Brendshme, të komunikoni me Kryeministrin, këtë keni detyrën më kryesore. Ndaj dhe kërkoj nga ju dhe të gjithë qeveritarët vendorë që këtë ta kenë përparësi të të gjitha përparësive.
Kjo infrastrukturë moderne që po përgatitet është një garanci shumë e madhe për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm pas vendosmërisë të administratës dhe të punonjësve të saj për të zbatuar ligjin dhe vetëm ligjin në procesin zgjedhor. Infrastruktura e re është shtylla e dytë madhore e një procesi zgjedhor të lirë dhe të ndershëm. Sot është shpërndarë udhëzimi për aplikimin për listat dhe e keni marrë. Nesër do t`u jepet gjithë bashkive dhe komunave pra më herët më mirë se kurrë në historinë e zgjedhjeve, por prapë më të vëmendshëm se kurrë ndaj ankesave dhe problematikës që mund të dalin. Janë pastruar dublimet, tani ka një fond digjital, i tërë Regjistri i Gjendjes Civile është digjitalizuar, tani ju takon ju të kontribuoni të bashkëpunoni me bashkitë dhe komunat për shqyrtimin më të mirë të këtyre listave, për komunikimin. Unë do të doja të thoja që janë perfekt por gjë perfekte nuk ka. Janë identifikuar gabime 3 për qind dhe ju është dhënë ju për t`i korrigjuar ju mund të shtoni edhe më shumë. E rëndësishme është që procesi të jetë tërësisht transparent. Gjithashtu sistemi i adresave është zgjidhur ndërsa dublimet janë pastruar. Le të përshtatemi me një bazë të re moderne që u krijua në vend mos të na rrijë ora tek vitet '90, ora duhet të jetë në vitin 2009 , është orë elektronike tani.
-Çështja e tretë që është shumë e rëndësishme. Ky është një vit zgjedhjesh dhe kjo është shumë normale, por do të ishte shumë e rëndë dhe shumë e rrezikshme në qoftë e ky vit do të shoqërohej ta quajmë me një çmobilizim në disiplinën buxhetore. Disiplina buxhetore në çdo kohë dhe në çdo vend është shtyllë kryesore e funksionimit të tij, tani në kohë krize botërore ajo merr një rëndësi dy herë më të madhe. Ju e dëgjoni se cilat janë masat që qeveritë po marrin për t`u përballur me krizën.
Njëra nga më kryesoret është rritja e ndjeshme e investimeve. Sepse kjo është punësim është përmirësim i kërkesës, pra ka shumë faktorë, paraja nuk harxhohet kot dhe secili vend po rrit investimet. Në vitin 2008 ne kemi investuar si përqindje e Prodhimit të Brendshëm më shumë se çdo vend në botë. Ne jemi i vetmi vend në botë që 2008 e kemi mbyllur me 10 % të Prodhimit të Brendshëm investime. Ne e bëjmë këtë nga halli nuk është se e bëmë sepse kishim parashikuar krizën botërore, por ne e bëmë sepse ne duam të ndërtojmë rrugët tona të shkatërruara dhe infrastrukturën. Por e kemi bërë. Kemi futur në infrastrukturë 32 % të buxhetit. Regjimi totalitar fuste në bunkerë 35 % të buxhetit , por ne nuk ndërtojmë bunkerë , ndërtojmë rrugë ujësjellës, kanalizime. Por kemi një kusht këtë vit që është dy herë më imperativ se vjet: që investimet të realizohen me çdo kusht. Mund t`ju garantoj se vitin e kaluar investimet janë realizuar 100 %. Është viti i parë në historinë e këtij vendi që investimet po realizohen 100 %. Ky vit nuk mund të ketë realizim tjetër përveçse 100 %.
Ne nuk i lëvizim treguesit që kemi përcaktuar me FMN-në , ne do tu përmbahemi atyre, por kushti anti-krizë për Shqipërinë është realizimi i plotë i investimeve. Këtë vit është më i vështirë sepse së pari është vit zgjedhor dhe së dyti ne kemi ndaluar prokurimet përveçse në rrugë elektronike. Nuk ka më pazare paraprake. Nuk është se e kanë patur shumë qejf ndalimin e prokurimeve manuale, por absolutisht nuk do të lejohet asnjë prokurim përveçse në rrugë elektronike. Ne e kemi shumë të thjeshtë nëse nuk realizohet prokurimi fondi do të rialokohet. Ne ju kemi dhënë më shumë se asnjëherë bashkive dhe komunave këtë vit dhe i vlerësojmë ato shumë si investitorë të mirë, por ne kërkojmë që ato të shpejtojnë maksimalisht me prokurimin elektronik, kursin e bëmë të trajnimit , ndihmë ofrojmë kudo që të keni nevojë, serveri e ka tërë kapacitetin dhe po ia rrisim me shpejtësi, por ju duhet të nxisni me insistim që të procedohet me prokurimin elektronik dhe aty ku ju shihni ngujime do na informoni dhe ne do i çojmë fondet tek ato komuna dhe bashki që duan ta bëjnë prokurimin në mënyrë elektronike. Kemi angazhuar shuma të mëdha dhe mirë kemi bërë, janë absolutisht mbi 1 mijë km rrugë të tjera në zonat rurale në proces e sipër përveç këtyre që kanë përfunduar. Ka një domosdoshmëri jetike realizimi i investimeve këtë vit. Kjo është jetike në çdo kohë, por ne duhet të kemi realizuar në çdo qindarkë investimin publik.
Kam disa të dhëna konkrete për aplikimet për paketën e rrugëve të cilat do t`i lexoj:
-Qarku i Beratit, kanë aplikuar të gjitha komunat dhe bashkitë e këtij qarku dhe i përgëzoj.
-Qarku i Dibrës. Nuk kanë filluar akoma njësitë e qendrave vendore Shupenzë dhe Kala e Dodës. Një problem kanë patur me dëborën, por shpresoj që brenda kësaj jave të kapin kohën sepse qytetarët e Shupenzës dhe të Kalasë së Dodës kanë nevojë për investime.
-Qarku i Durrësit , Katundi i ri fillon nesër procedurat nuk ka patur asnjë arsye për t`i vonuar, por do të fillojë nesër.
-Qarku i Elbasanit. Komuna Rrajcë paska patur një problem, por kjo është një nga komunat më të mëdha të vendit dhe projekti është shumë i rëndësishëm për komunën.
-Qarku i Fierit, duhet të akordohen fondet për dy komuna.
-Qarku i Gjirokastrës. Bashkia Libohovë dhe Komuna Dishnicë përfundojnë nesër, Dropulli duhet sa më shpejt të aplikojë.
-Qarku i Korçës ka pasur një lloj problemi me funksionimin e sistemit, por ne i dërguam ekspertët sidoqoftë Liqenasi, Voskopi, Liboniku duhet që deri ditën e martë të kenë aplikuar.
-Qarku i Kukësit ka ecur, pra dëbora nuk i ka penguar pavarësisht se ka pasur kushtet më të vështira.
-Qarku i Shkodrës. Komuna e Shalës të ndihmohet se mund të jetë e bllokuar.
-Qarku i Tiranës ka përfunduar.
-Qarku i Vlorës meriton përgëzime kanë aplikuar të gjitha komunat.
-Prefektura e Kavajës meriton përgëzime.
-Prefektura e Lushnjës kanë filluar të gjitha procedurat.
Ndërkohë paketa e ujësjellësve sapo iu ka ardhur dhe ka një paketë tjetër investimesh për 80 rrugë të reja. Në rast se qytetarët do t`i besojnë kësaj mazhorance mandatin e dytë dhe mesa duket kështu do të ndodhë se midis fjalëve dhe veprave ata do të zgjedhin veprat, midis ndryshimit me fjalë dhe ndryshimit me vepra i pari është mashtrim dhe i dyti realitet dhe i vërtetë. Definitivisht do të kemi dhe një buxhet të dytë në qershor shpresojmë , nuk është e lehtë të mbahet kjo, por ne jemi optimistë sepse me gjithë krizën botërore ecuria e të ardhurave është e mbarë.
Dhe shpresojmë që të ecim në këtë mënyrë dhe ju garantoj se në rast se do të ketë të ardhura të tjera buxheti i qershorit do t`i përkushtohet tërësisht zhvillimit të qëndrueshëm rural dhe janë 80 rrugë të reja dhe përveç këtyre janë 300 km të tjera të Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Pra ne do të bëjmë çdo gjë që në një periudhë maksimale tre-vjeçare Shqipëria të ketë një rrjet rrugor tërësisht të ri. Duhet të bëni mbledhje në të gjithë Shqipërinë për këto detyra. U mblodha ju në mënyrë që ju t`ua komunikoni të gjitha autoriteteve vendore sepse pa ato nuk i zgjidhim dot këto probleme. Duhet që partneriteti i shkëlqyer i vendosur me qeveritë vendore të vazhdojë i pacenuar. Është një trashëgimi pozitive që e krijuam duhet ta vijojmë. Zgjedhjet janë zgjedhje nevojat e qytetarëve janë të rëndësishme dhe duhet të punojmë pa ndërprerje për to. Një bilanc të punës do ta bëjmë gjatë javës së ardhshme për të parë konkretisht në këto tre drejtime.
12/02/2009