E Diel, 1 Nëntor 2026

Përfaqësues të kompanisë farmaceutike gjermane Dermapharm njohin Kryeministrin Berisha me zgjerimin e aktivitetit në Shqipëri

Kryeministri Berisha priti sot përfaqësuesin e kompanisë gjermane të farmaceutikës Dermapharm,  Wilhelm Beier. Në takim ishte i pranishëm edhe ambasadori gjerman në Tiranë Bernd Borchardt.

Dermapharm është një kompani e njohur në fushën e barnave, me fabrika të prodhimit të tyre në shumë vende të Europës si Austri, Zvicër, Poloni, Ukrainë, Çeki, si dhe jashtë Europës.

Zoti Beier falënderoi Kryeministrin për klimën e biznesit të krijuar dhe mbështetjen e qeverisë në realizimin e këtij investimi të rëndësishëm. Zoti Beier u shpreh se zhvillimet e tre viteve të fundit bindën drejtuesit e kompanisë që ta konsiderojnë Shqipërinë si vendin e zgjerimit të aktivitetit të tyre, për ndërtimin e fabrikave të prodhimit të barnave.

Privatizimi i Profarmës nga kjo kompani shënoi fillimin e aktivitetit të saj një vit më parë në Shqipëri, aktivitet që në pak muaj kurorëzohet me ndërtimin e një fabrike të re të prodhimit të barnave, sipas standardeve europiane. Lista e produkteve të kësaj fabrike certifikohet dhe akreditohet jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Gjermani. Barnat  e prodhuara në Shqipëri kanë si treg Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë dhe Gjermaninë.

Kryeministri Berisha, pasi falënderoi kompaninë për punën e bërë deri tani, garantoi mbështetjen e pandërprerë për përfundimin e projektit deri në inaugurimin e tij. Kryeministri vlerësoi gjithashtu punën e filluar nga kompania për trajnimin e burimeve njerëzore dhe për standardet europiane në prodhimin e barnave që prezanton kjo kompani. Modeli GMP i prodhimit dhe trajtimit të barnave, i aplikuar në Gjermani dhe mbarë Europën, është një shembull i mirë për të gjithë aktorët në këtë fushë, investitorë, punonjës, shtet dhe konsumator.


12/02/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›