E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha: Mbi 2/3 e projekteve infrastrukturore të adresuara në zonën bregdetare

Kryeministri Berisha mori pjesë sot në konferencën shkencore me temë “Perspektiva urbane në plazhet e zonës Durrës-Kavajë”, organizuar në Durrës nga Fakulteti i Shkencave Sociale, Departamenti i Sociologjisë, Filozofisë dhe Shkencave Sociale, të Universitetit të Tiranës. Në këtë konferencë ishin të pranishëm drejtues të pushtetit vendor, përfaqësues të qarkut të Durrësit, studentë e pedagogë të Universitetit të Durrësit dhe Tiranës.
 
Kryeministri Berisha në fjalën e tij e vuri theksin në domosdoshmërinë e një zhvillimi të qëndrueshëm në të gjithë zonën bregdetare të vendit, duke vlerësuar se edhe zona bregdetare Durrës-Kavajë do t`i nënshtrohet një studimi tërësor.
 
Duke e cilësuar zonën turistike si një nga burimet zhvillimore më potenciale në vend, Kryeministri theksoi se pikërisht për këtë do të shqyrtohen me prioritet studimet urbane për zonat bregdetare.
“Zona turistike është qartësisht një pasuri shumë më e madhe se çdo gjë tjetër,  e cila ka perspektivë jetike  zhvillimin e qëndrueshëm”, deklaroi Kryeministri. 
Në këtë kontekst Kryeministri theksoi se mbi 2/3 e projekteve infrastrukturore janë të adresuara në këtë zonë. 
 
“Qeveria është e angazhuar të investojë me përparësi të madhe në këto zona. Në infrastrukturën bazë mbi 2/3 e projekteve tona janë të adresuara nga Velipoja në Ksamil. Janë një numër i madh projektesh që adresohen në ujësjellësa, kanalizime, përpunim të ujërave të zeza dhe të mbetjeve urbane”, tha Kryeministri. 
Gjithashtu Kryeministri vlerësoi se miratimi i ligjit të ri të urbanistikës, i cili është në fazat e fundit të përgatitjes, do t`i japë përgjigjen e duhur marrëdhënieve të pronësisë.
Më poshtë vijon fjala e plotë e Kryeministrit Berisha: 
   
Të nderuar drejtues të kësaj veprimtarie shkencore,
I nderuar rektor,
I nderuar Kryetari i Bashkisë së Durrësit,
Drejtues të qarkut e prefekturës,
studentë dhe pedagogë të Universitetit të Tiranës,   
Së pari dëshiroj t`ju përgëzoj për këtë iniciativë shumë të rëndësishme për temën që keni zgjedhur, e cila është një nga më të mprehtat dhe më të rëndësishmet për vendin. Lëvizja e lirë në një vend të cilin organizimi territorial kishte bërë që të krijoheshin rezervate njerëzore për gjysmë shekulli,  i bënë të domosdoshme zhvendosjet e mëdha të popullatës dhe kjo ndodhi.
Gjatë këtyre 15 viteve janë krijuar përreth qyteteve të mëdha, Durrësit dhe Tiranës, Vlorës, Fierit, Shkodrës  dhe Elbasanit, qytete të dyta. Në Tiranë ndoshta dy herë më të shtrira dhe më të mëdha se i pari, por kjo është e vërtetë edhe për Durrësin dhe në një shkallë të caktuar edhe për Shkodrën dhe qytete të tjera. Në këto zona qytetarët shqiptarë që u shkëputën nga vendndodhja e tyre të mëparshme bënë një investim që rezulton të jetë investimi i parë më i madh në këto 15 vjet. Njeriu të parën që do të ndërtojë është shtëpia.
Ndoshta janë 1 milionë qytetarë të shpërngulur, të cilët duke ardhur në këto zona ndërtuan jo vetëm shtëpitë, por ndërtuan dhe veprimtaritë e shumta ekonomike. Në këtë aspekt ata u shndërruan në një promotor të vërtetë zhvillimi, por dua të theksoj se mungesa e planeve urbanistike për zhvillimin e këtyre zonave kontrolli dhe ligji i dobët në tërësinë e vet krahas këtij zhvillimi , mungesa e fondeve për t`i ndjekur për zhvillimin e infrastrukturës, shërbimeve sociale, për fat të keq duhet të themi se këto shpërngulje të mëdha këto ngulim e të reja janë më shumë kaotike sesa të urbanizuara, dhe kjo ka ndodhur edhe në zonat bregdetare, të cilat janë potenciali më i madh zhvillimor i vendit.
Kjo shprehet qartësisht me një kaos dhe në rast se ky vend, mund ta quajë me keqardhje, por më duhet ta them ashtu siç është, ka një dështim në zhvillimin e urbanizuar të zonave turistike të vendit.
Nuk mund të thuhet se Shqipëria në 15 vite, megjithë përpjekjet që janë bërë, ia doli të ketë zona turistike me një zhvillim të qëndrueshëm. E kundërta është e vërtetë.
Zona që ju studioni, megjithë bumin e madh që paraqet mbart në vetvete pengesën e zhvillimit të saj. Aktivitetet ekonomike dhe sociale janë tërësisht të pamjaftueshme për t`ju përgjigjur kërkesave dhe potencialeve të zonës. Por, kaosi urbanistik i saj është pengesa e parë dhe më e rëndësishme në zhvillimin e mëtejshëm të kësaj zone.
Unë e vlerësoj shumë angazhimin tuaj dhe jam i bindur se ky është një kontribut real. Çështja e zhvillimit dhe urbanizimit të këtyre zonave, dhënia e përgjigjes problemeve më të mprehta të tyre kërkon një përballje shumëfaktoriale, dhe në këtë përballje roli i shoqërisë civile, roli i think-tank-eve të kësaj shoqërie është i pazëvendësueshëm, siç është i domosdoshëm studimi i të gjitha aspekteve sociale me të cilat përballen këto zona.
Vetëm në këtë mënyrë ne do të mund të kthjellojmë horizontin e zhvillimit të tyre. Problemet janë komplekse, janë urbane, janë sociale, ekonomike dhe pronësore.
Megjithatë në çdo rast dhe rrethanë duhet kërkuar zgjidhja. Nuk ka në shoqëri të pashpresa, ndaj dhe këto studime janë një kontribut i madh në këtë aspekt. Qeveria është e vendosur që me një ligj të veçantë, jo me ligjin ekzistues, por ajo që është turistike është turistike. Është qartësisht një pasuri shumë më e madhe se çdo gjë tjetër, ka jetike perspektivën e zhvillimit të qëndrueshëm.
Por, vendosja e ligjit është po kaq e rëndësishme prandaj ne jemi të vendosur të ndërmarrim masterplanin dhe planin e përgjithshëm të urbanizimit për të gjitha qytetet e vendit dhe me përparësi kjo për zonat turistike.
 
Ne po përfundojmë masterplanin besoj deri në dhjetor , për fat të keq masterplani për Adriatikun është shumë pjesor, por një studimi tërësor do t`i nënshtrohet dhe zona Durrës-Kavajë, zona në të cilën ju jeni përqendruar në studimin tuaj.
Qeveria është e angazhuar të investojë me përparësi të madhe në këto zona, dhe në rast se do të ndiqni projketet e infrastrukturës, bazë mbi 2/3 e projekteve tona janë të adresuara nga Velipoja në Ksamil. Janë një numër i madh projektesh që adresohen në ujësjellësa, kanalizime, përpunim të ujërave të zeza dhe landfille. Të shumta janë dhe investimet që bëhen në infrastrukturën sociale , në shkolla shërbimin shëndetësor, por sërish, rishqyrtimi i urbanizimit të këtyre zonave është dhe mbetet një përparësi e madhe.
Përpjekjet duhet të bëhen të shpejta që Durrësi dhe Golemi të rigjejnë veten e tyre në një sistem më të urbanizuar. Ligji i ri i urbanistikës që është në fazën e tij finale, do të mund t`u japë një përgjigje më të drejtë problemeve të mëdha të kësaj fushe, e cila lidhet më shumë se çdo fushë tjetër me jetën, shëndetin dhe veprimtarinë e përditshme të njeriut.
Ligji i ri i urbanistikës duhet të përcaktojë dhe do të përcaktojë raporte të qarta mes pronës dhe pronarit, zhvilluesit të saj dhe rëndësinë e vet që taksapaguesit e vendit bëjnë që ajo pronë të vlerësohet më shumë të shfrytëzohet më mirë. Zgjidhja e këtyre raporteve është një kusht vendimtar për t`i dhënë përgjigjen më të ndershme çështjes së reformës së pronësisë.
Vetëm duke zhvilluar dhe ngulitur koncepte të drejta shoqërore, është e vërtetë që prona do të mbetet e pronarëve, por është e vërtetë se zhvillimi i saj është një interes madhor shoqëror, veçanërisht në bregdet ka një rrezatim shumë më të madh se sa rrezja e pronarit apo familjes së tij. Në këtë kontekst duhet të përcaktohen raporte të reja në ligjin e ardhshëm mes pronarit midis zhvilluesit, por edhe midis shtetit i cili në rast se ndërton rrugë, ujësjellësa shkolla të gjitha këto i bën me financime të atyre që nuk banojnë në atë zonë, të atyre që shijojnë 15 ditë në vit në atë zonë.
Dua t`ju përgëzoj dhe t`ju siguroj se mbetemi shumë të hapur ndaj zërit tuaj zërit të shoqërisë civile, universiteteve dhe bëni shumë mirë që e nisni këtë vit me një studim kaq të rëndësishëm për Durrësin-Kavajën, Tiranën dhe vendin.
Faleminderit !

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›