E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha: Plani Ahtisari garanton standardet më të larta për të drejtat e pakicave ne Kosovë

Pas fjalës në Sesionin e 53-të të Asamblesë Parlamentare  të NATO-s, kryeministri Berisha iu përgjigj interesimit të parlamentarëve pjesëmarrës, lidhur me çështje të ndryshme.


Pyetje: Zoti Kryeministër, ashtu siç u shprehët në ekspozenë tuaj, stabiliteti i Ballkanit është një kusht kryesor për të hyrë në Evropë. Delegacioni francez që merr pjesë në këtë samit, vlerëson rolin moderator që keni luajtur në rajon dhe gjithashtu angazhimin tuaj në favor të strukturave euro-atlantike. Në lidhje me luftën kundër krimit, a e ka Shqipëria kapacitetin e plotë për të çrrënjosur plotësisht këtë fenomen?


Kryeministri Berisha: Kjo është një pyetje e drejtë. Unë ju siguroj se, kjo luftë kundër krimit është plotësisht e pakthyeshme. Dy vjet më parë, kur unë paraqita platformën me zero tolerancë, shumë pak besonin në të. Por, unë kisha besim tek policia shqiptare dhe i kërkova ministrit të ri të Brendshëm, të takohej dhe të pyeste se çfarë kërkonin për të arrestuar bosët e krimit. Ata u përgjigjen se nuk donin asgjë, dhe se dëshironin të mos ndaloheshin nëse e fillonin këtë betejë. Mjafton që dhe pas dy viteve ne shohim se ata ia dolën mbanë të kryejnë me qindra operacione në Shqipëri apo në Evropë, së bashku me partnerët e tyre, si në hotelet me 5 yje, ashtu edhe në malet tona dhe asnjë prej tyre nuk humbi jetën.
Mendoj që policia shqiptare është shumë profesioniste. Kam qenë në një panel me Kryeministrin Karzai dhe ai bëri një pyetje, si ta bëjmë policinë më efiçente. Unë kam një përgjigje: të mos ndërhyjë politika në të, por të lihet ajo të funksionojë. Ju siguroj se autoritetet italiane do t’ju flasim për zvogëlim të trafikut në drejtim të Italisë dhe brigjeve të tjera. Dhe jo vetëm Shqipëria, por edhe vendet fqinje kanë ndihmuar në suksesin e në luftën kundër krimit të organizuar.
Ne kemi miratuar një ligj, të përgatitur nga PAMECA, misioni i BE-së në Shqipëri dhe ICITAP mision i SHBA-së. Ky ligj respekton plotësisht të gjitha kapacitet e policisë dhe përfundimisht. Unë kam qenë për një qeveri, polici dhe administratë të vogël . Ne e shkurtuam policinë me 20 për qind, por ajo do të jetë më eficente dhe më mirë e trajnuar.

Pyetje: Ju përmendët Kosovën dhe folët në mënyrë të qartë se cili është pozicioni i qeverisë suaj. Një pyetje hipotetike, nëse grupi i kontaktit dështon në Nju Jork dhe Kosova vendos të deklarojë në mënyrë të njëanshme pavarësinë, cili do të jetë reagimi i qeverisë suaj?

Kryeministri Berisha: Lidhur me çështjen e Kosovës, mendoj se plani “Ahtisari” është më i miri, sepse siguron standardet më të mira për minoritetet, të cilat janë tre herë më të mëdha se standardet që Serbia ofron për shqiptarët në jug të Serbisë apo minoritetet tjera. Mendoj dhe besoj se Serbia duhet të kujdeset për serbët kudo që janë, por Serbia po tregon tani se nuk është e obsesuar për minoritetet, por për territoret. Prandaj ajo hedh poshtë dhe planin “Ahtisari”. Në fakt, Kosova është një rast unik në histori. Që nga 1389 deri në vitin 1912, Kosova ka qenë  pjesë e perandorisë Otomane dhe Serbia u shpërblye me Kosovën, vetëm për faktin se ajo ishte pjesë e një perandorie që humbi luftën. Serbët i trajtuan shqiptarët si qytetarë të dorës së tretë duke aplikuan platformat më raciste kundër tyre dhe ajo që ju patë në vitin 1999 ishte vetëm një pjesë e tyre. Serbia humbi çdo moral për ta mbajtur këtë aneksim që padrejtësisht iu dha asaj. Në rast se flasim në aspektin ligjor, gjatë regjimit të Titos ishte pjesë kushtetuese e Federatës Jugosllave dhe Kosova e ka kryesuar këtë Federatë gjatë rotacionit. Kosova është unike sepse asnjë gjë tjetër nuk e detyroi NATO-n të ndërhynte veçse gjenocidi. Mendoj dhe besoj se pavarësia është e vetmja zgjidhje. Mua më vjen keq që Rusia pothuajse bllokon vendimin në Këshillin e Sigurimit, duke e bërë Beogradin dhe Serbinë më pak realiste dhe të padobishëm.  
Ç’do të bëjë Shqipëria në rast se Kosova shpall pavarësinë. Shqipëria insiston që autoritetet e Kosovës të mos ta marrin këtë hap pa e koordinuar me qeverinë e SHBA-ve dhe vendeve të tjera që njohin se pavarësia është zgjidhja e vetme që sjell paqen në të gjithë rajonin.

Pyetje: Cilat janë marrëdhëniet e Shqipërisë me Serbinë?

Kryeministri Berisha: Qëndrimi ynë lidhur me marrëdhëniet  e Shqipërisë dhe Serbisë, ka qenë që këto raporte  të mos kushtëzohen me situatën e Kosovës. Qeveria serbe vazhdon t’i kushtëzojë dhe mendoj se kjo nuk është e dobishme, sepse kjo është një qeveri e zgjedhur në mënyrë demokratrike dhe ne duhet të vazhdojmë marrëdhëniet e mira. Por një gjë është thelbësore, këto dy kombe në rajon kanë patur histori shumë të vështirë mes tyre. Është në  interesin e rajonit dhe të tyre që të hapet një kapitull i ri. Prandaj  unë e përshëndes paraqitjen nga ana e udhëheqësve kosovarë të Traktatit të Miqësisë, njohjes dhe Bashkëpunimit me Serbine, e konsideroj këtë traktat si shumë të rëndësishëm në marrëdhëniet mes serbeve dhe shqiptarëve në Ballkan.    

Pyetje: Ju thatë se pavarësia e Kosovës do të zhdukë  hijet e Serbisë së madhe, por a mund të ngjallë hijet e Shqipërisë së madhe. Si mund ta menaxhoni ekzistencën e dy shteteve shqiptare në Ballkan. A e shikoni ekzistencën e dy vendeve shqiptare si një faktor stabiliteti në rajon ?

Kryeministri Berisha: Në lidhje me ekzistencën e dy shteteve shqiptare në Ballkan, ndonjëherë pyes veten se çfarë do të bënim ne si shqiptarë. Nuk ishte vendimi ynë për t`u ndarë në 5 shtete të ndryshme, ishte një nga padrejtësitë më të mëdha dhe citoj Robin Kuk, i cili u shpreh në Dhomën e Deputetëve të Mbretërisë së Bashkuar “Ne po zhbëjmë padrejtësitë që bëmë në fillim të shekullit të kaluar” .  
Por, në Tiranë dhe Prishtinë zhvillohen dy realitete të ndryshme shqiptarësh. Shqiptarët e Kosovës kanë votuar dhe luftuar për pavarësinë e tyre dhe çdo qëndrim tjetër përveç kësaj nënkupton aneksim dhe besoj se kjo nuk do të ndodhë.
Shqiptarët në Kosovë dëshirojnë të bashkohen me Brukselin dhe jo me Tiranën. Përsa u përket dy shteteve shqiptare, kështu ka qenë historia gjithmonë. Në Europë ka shtete të ndryshme që flasin të njëjtën gjuhë dhe kanë të njëtën kulturë.  Kjo nuk ka të bëjë me qenien e shteteve. Askush  nuk duhet të trembet nga dy shtete shqiptare, dy miq të rinj në rajon. Mendoj se kjo është një gjë e mirë edhe për NATO-n.   

Pyetje: Në përgjigjet tuaja ju thatë se Kosova duhet t’i koordinojë veprimet me vendet e tjera si me SHBA-të dhe vendet e tjera. Po në lidhje me popullsinë shqiptare të ish-Republikës jugosllave, Maqedonisë, si perceptohen marrëdhëniet e qeverisë shqiptare me këtë grup shqiptarësh jashtë kufijve të Shqipërisë?

Kryeministri Berisha:  Lidhur me pyetjen për qëndrimin e qeverisë shqiptare ndaj shqiptarëve në Maqedoni dhe fqinjëve tanë ne vlerësojmë se marrëveshja e Ohrit është serioze dhe i ofron të gjitha mundësitë për të gjithë njerëzit që jetojnë në këtë Republikë, të jetojnë në paqe, liri  dhe respektim të njëri-tjetrit. Besoj se marrëveshja e Ohrit është shumë e rëndësishme për të gjithë rajonin sepse ajo zbaton standardet europiane për të drejtat e shqiptarëve atje. Marrëdhëniet tona janë shumë të mira me FYROM, ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë dhe ne po punojmë  ngushtësisht për të gjitha aspektet në rajon, si dhe në kuadër të Kartës Adriatik 3.

Pyetje:  Po kërkohet një zgjidhje për statusin e Kosovës, por mos ndoshta mendohet nga Shqipëria ideja e Shqipërisë së madhe? 

Kryeministri Berisha: Në lidhje me pyetjen e mikut rus, për Shqipërinë e Madhe, mund të them se në historinë tonë  ne nuk flasim për Shqipërinë e Madhe. Në qoftë se futemi në historinë e  çështjes shqiptare ka patur dy rryma në fillim të shekullit të kaluar. E para  ka qenë të bënim një shtet shqiptar kudo që shqiptarët janë shumicë, dhe një pjesë tjetër ishin për  ndarjen e saj . Por, më vonë Stalini i kërkoi Titos ta gëlltisë Shqipërinë për ta zgjidhur çështjen e Kosovës. Tani, mënyra më e mirë për ta arkivuar këtë nocion  është pavarësia e Kosovës. Pavarësia e saj i jep një fund çështjes së statusit të shqiptarëve në rajon, prandaj ajo duhet mbështetur.

Pyetje: Lidhur me reformën në sistemin gjyqësor në Shqipëri a respektohen pavarësia e gjyqësorit dhe si është raporti i balancave të pushteteve?

Kryeministri Berisha: Lidhur me reformën në sistemin e drejtësisë dhe qëndrimin e qeverisë që unë drejtoj ndaj kësaj reforme, nuk ka asgjë më të rëndësishme dhe thelbësore për të drejtat e njeriut se sa kjo. Sistemi i drejtësisë në Shqipëri nuk ka interferencë politikë në të. Unë isha 8 vjet në opozitë dhe e konsideroj këtë një arritje të madhe por problemi më i madh i tij është korrupsioni në çështjet civile. Por të gjitha partitë politike u takuan muajin e kaluar në zyrën e Presidentit në mënyrë që të realizojnë një reformë serioze. Unë jam optimist sepse brenda këtij sistemi është sektori i krimeve të rënda, këta gjyqtarë dhe prokurorë që janë sjellë në mënyrë profesionale dhe kanë luftuar krimin e organizuar. Jam i bindur se çështjet civile duhen rishikuar dhe ka vullnet për të vazhduar me refomën. Qeveria ka pak kompetenca lidhur me reformën në drejtësi pasi është Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Por qeveria ka në dorë buxhetin për të siguruar buxhetin që ata duan për një perfomancë sa më të mirë dhe ne jemi zotuar për ta bërë këtë.   

Pyetje: Italia është interesuar gjithmonë në këtë proces transformimi të Shqipërisë, të procesit që i jep shpresë të madhe anëtarësimit në NATO. Ç’mendoni se mund të bëjë Italia më shumë për Shqipërinë?  Çfarë mund të bëjë Shqipëria për kujdesin e pakicave serbe në Kosovë. Nëse Serbia bën kërkesë  për procesin e integrimit në NATO dhe BE, a do të marrë konsensusin e Shqipërisë?


Kryeministri Berisha: Bashkëpunimi me Italinë ka qenë shumë frytdhënës veçanërisht në forcat për luftimin e krimit por edhe në të gjitha fushat e tjera. Shpresojmë që në vizitën e tij në dhjetor, së bashku me Kryeministrin e Italisë Romando Prodi ta fokusojmë bisedën tonë në inkurajimin e investiorëve italianë për të investuar në vendin tim.   

Lidhur me çështjen se çfarë mund të bëjë Shqipëria për minoritetet serbe në Kosovë mund tu them se shumë vite më parë unë kam qenë i fokusuar për të ndihmuar miqtë e mi në Kosovë  për këtë çështje. Unë e dija që NATO është atje, Bashkimi Evropian është atje, Kombet e Bashkuara janë atje, por kam përzgjedhur këtë çështje për t’i ndihmuar dhe mendova se kjo ishte gjëja më e mirë. Kam dhënë disa kontribute të vogla në këtë drejtim dhe jemi gati që të marrim çdo hap për të ndihmuar komunitetin ndërkombëtar në respektimin e plotë të pakicave. Ne kemi një traditë të madhe dhe ne jemi një vend  me tolerancë fetare nga më të mirat dhe nuk kemi patur ndonjë incident qoftë edhe të vogël mes minoriteteve dhe shqiptarëve. Në  Shqipëri ne kemi një traditë shumë të mirë midis shumicës shqiptare dhe të gjitha pakicave. Ne u kemi thënë miqve në Kosovë se ju duhet ta zhvilloni këtë traditë atje dhe mendoj se është bërë një progres shumë i madh. Askush nuk duhet të frikësohet se krijimi i komunave homogjene mund të dëmtojë pavarësinë kjo nuk është e vërtetë. Ne do të kontribuojmë me gjithçka që kemi mundësi në këtë drejtim. 

Pyetje: Dua të bëj një pyetje në italisht sepse zoti Berisha kupton mjaft mirë dhe dua të vlerësoj atë që ka bërë qeveria Berisha dhe qeveritë shqiptare për  krijimin e paqes sigurisë dhe demokracisë në Shqipëri. Pyetja që dua të bëj është nëse Serbia kërkon anëtarësimin në NATO dhe në BE a do ta ketë konsensusin e Shqipërisë ?
 
 
Kryeministri: Nuk kam ndonjë kundërshtim për progresin e Serbisë drejt NATO-s dhe BE-së por mendoj  se ndihma më e mirë që mund t’i japin miqtë e shumtë Serbisë është që ata ta ndihmojnë atë të hedhë poshtë të kaluarën e tyre të hidhur. Ata janë bërë më këmbëngulës, për shkak të qëndrimit të Rusisë në Këshillin e Sigurimit. Mendoj se kombi serb do të ketë  të ardhmen e vet që e meriton, por zgjidhja e statusit të Kosovës është thelbësore për paqen në rajon dhe më tej.  
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›