Kryeministri Berisha: Qeveria do të bëjë çdo përpjekje për suksesin e tregut të sigurimeve
Kryeministri Berisha mori pjesë sot në mbrëmje në ceremoninë e organizuar nga Shoqëria e Sigurimeve “Sigma”, me rastin e transferimit të 75 për qind +1 të aksioneve të saj tek shoqëria austriake e sigurimeve “Vienna Insurance Group”.
Kryeministri e konsideroi blerjen e aksioneve të shoqërisë “Sigma”, nga grupi më i madh i sigurimeve në Austri dhe njëkohësisht një nga kompanitë më të mëdha të sigurimeve në Europë, një ngjarje të rëndësishme për ekonominë e vendit.
Duke falënderuar drejtuesit e grupit austriak për besimin e treguar tek Shqipëria, Kryeministri garantoi operatorët në tregun e sigurimeve se qeveria do të bëjë çdo përpjekje për suksesin e këtij tregu. “Çdo investim, - u shpreh Kryeministri, - është mbi të gjitha besim, por investimi në tregun e sigurimeve është një besim i madh. Dua ta garantoj të gjithë operatorët në tregun e sigurimeve në vend se qeveria do të bëjë çdo përpjekje për suksesin e tyre. Në një dialog konstruktiv dhe të dobishëm me operatorët në këtë treg dhe autoritetin mbikëqyrës, ne kemi marrë disa vendime të rëndësishme për të zgjeruar hapësirat e këtij tregu jetik për zhvillimin e vendit.”
Kryeministri i bëri thirrje komunitetit të biznesit të shfrytëzojë të gjitha mundësitë që ky treg i rëndësishëm ofron për të. “Shqipëria nuk mund të qëndrojë në këtë nivel sigurimesh. Kapacitet e saj janë për një nivel dhjetëra herë më të mëdha se ky dhe të tilla janë dhe interesat e tregut dhe shoqërisë. Vendimet që kemi marrë janë vetëm hapat e para, vendime të tjera shumë të rëndësishme do të merren,” tha Kryeministri.
“Vienna Insurance Group” është kompania më e madhe austriake në fushën e sigurimeve dhe operon në vendet e Europës Qendrore dhe Lindore. Ajo zotëron 40 kompani në 21 vende të botës.