Kryeministri Berisha: Të mundësojmë një koordinim më të mirë të çdo investimi me buxhetin e shtetit
- Miratohet kalendari i Sistemit të Planifikimit të Integruar për vitin 2009
Në mbledhjen e sotme të Komitetit të Planifikimit të Integruar, të drejtuar nga Kryeministri Berisha, u miratua kalendari i Sistemit të Planifikimit të Integruar. Kryeministri Berisha tha se ka përmirësime të dukshme në planifikimin strategjik për vitin 2008, por gjithashtu ka shumë hapësira për përmirësime të mëtejshme, veçanërisht në përpikërinë e planifikimit.
Kryeministri kërkoi një kujdes më të madh në koordinimin e financimeve të tjera me ato të buxhetit të shtetit për investime të ndryshme. “Është e vërtetë që ka një distancim midis fondeve të programimit për Instrumentin e Para aderimit (IPA-s) dhe disbursimit të saj. Kjo është e pashmangshme dhe nuk mund të zgjidhet prej nesh, sepse është çështje e Komisionit Europian. Por, ajo që ne mund të bëjmë është planifikimi financiar në vitin përkatës”, u shpreh Kryeministri.
Kryeministri tërhoqi vëmendjen se nuk mund të ketë më asnjë lloj investimi në vend, të patrupëzuar me buxhetin e shtetit. “Në rast se shqiptarët do t’i japin një mandat të dytë kësaj qeveria – dhe mesa duket kjo do të ndodhë - absolutisht një nga ligjet e para që do të ndërmerret do të jetë ai që përcakton se nuk do të ketë asnjë lloj investimi në këtë vend të patrupëzuar në buxhetin e shtetit”, tha Kryeministri.
Kryeministri shprehu mirënjohjen dhe respektin më të thellë për të gjithë partnerët ndërkombëtar që kanë ndihmuar në mënyrë të jashtëzakonshme Shqipërinë në këtë drejtim, por, theksoi ai, Shqipëria tashmë nuk është më vendi i 15 viteve më parë, nuk është më vendi i të ardhurave të ulëta, por ajo ka nevojë jetike për një planifikim korrekt të buxhetit dhe projekteve në të.
Qeveria, tha Kryeministri, ka disa përgjegjësi për zhvillimin harmonik dhe për shpërndarjen korrekte të fondeve. “Ne nuk mund të ndryshojmë praktikat e Komisionit Europian por ne ndryshojmë praktikat tona. Në këtë mënyrë ne bëhemi më të vërtetë në planifikimin tone. Është shumë i domosdoshëm koordinimi në këtë drejtim, sepse fondet që vijnë nga IPA nuk janë të pakta, ato në tre vjet kapin shifrën 240 milionë euro.”, u shpreh Kryeministri.
Kryeministri gjithashtu solli në vëmendje edhe një tjetër çështje që ka të bëjë me financimin nga buxheti i shtetit i të gjitha projekteve të ngutshme. “Për probleme të ngutshme, ne duhet të përdorim financim nga buxheti i shtetit. Ndërsa problemet të cilat kanë një rëndësi të madhe, por që mund të presin në rrjedhjen e tyre, ato i përcaktojmë për financim nga fondet e IPA-s”, vijoi Kryeministri.
Kryeministri u ndal edhe në çështjen e financimit për sistemin e vuajtjes së dënimit, duke theksuar se tashmë ato duhet të financohen nga buxheti i shtetit. “Ne kemi angazhuar shumë fonde nga Komisioni Europian për sistemin e vuajtjes së dënimit. Investimet për këtë sistem, tani e tutje duhet t’i përballojmë me buxhetin tonë. Institucionet ndërkombëtare na kanë ndihmuar në mënyrë të jashtëzakonshme, por tashmë duhet ta përballojmë vet. Kjo është një përparësi e madhe dhe duhet të bëjmë çdo gjë për vendosjen e standardeve normale në këtë sistem, sepse kemi vullnetin e plotë politik, por edhe mundësitë financiare për ta bërë këtë”, u shpreh Kryeministri.
29/12/2008