E Diel, 1 Nëntor 2026

ml; takim në Qytetin Studenti, në Tiranë. Në fillim të takimit, për publikun u shfaq një dokumentar me momentet më të rëndësishme historike nëpër të cilat ka kaluar Shqipëria

Kryeministri Berisha, në vazhdim të turit “Shqipëria në NATO”, zhvilloi sot pasdite një takim në Qytetin Studenti, në Tiranë. Në fillim të takimit, për publikun u shfaq një dokumentar me momentet më të rëndësishme historike nëpër të cilat ka kaluar Shqipëria që nga viti 1990, deri në ditën e marrjes së ftesës për anëtarësim në NATO. Në këtë takim merrnin pjesë rektori i Universitetit të Tiranës, studentë, pedagogë etj.

Në fjalën e Tij, drejtuar të pranishmëve në këtë takim, Kryeministri u shpreh:

“ Të nderuar studentë,
pedagogë dhe pedagoge të Universitetit të Tiranës, të pranishëm në këtë takim.

Së pari, shfrytëzoj rastin t’ju përcjell ju, dhe mbarë studentëve shqiptarë kudo që ndodhen, përshëndetjet e mia më të përzemërta. Erdha te ju, para së gjithash, për të nderuar së bashku të gjithë ata djem dhe vajza të Universitetit të Tiranës, që në dhjetorin e viti 1990, në një kohë kur Shqipëria ishte e zhytur thellë në tendën e diktaturës, vetëm pak metra larg kësaj ndërtese, brohoritën me gjithë kurajën, që për kohën ishte legjendë, “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa” dhe “Shqipëria në NATO”.
Shqipëria në NATO ishte vetëm një ëndërr e atyre që kishin mbushur sheshet e qytetit Studenti, ndërsa sot, Shqipëria në NATO është një realitet dhe kjo është një ndër arritjet më të mëdha të historisë tonë kombëtare. Shqipëria është në NATO, në Aleancën më të madhe të lirisë që kanë njohur kohët në të gjithë historinë e njerëzimit.
Ndaj, le të shprehim nderimin, respektin tonë më të thellë dhe vendosmërinë e palëkundur për realizimin e këtij projekti, i cili është i rëndësishëm për çdo komb, por më i rëndësishëm është për ata që kanë vuajtur më shumë në histori. 

Në rast se i hedhim një vështrim kohërave, shekujve dhe mijëvjeçareve të këtij populli, ne gjejmë vuajtjet dhe sakrificat më të madha që janë bërë për liritë e shqiptarëve, pushtimet më të egra. Pra, gjejmë në tërësi kohën e ndaluar. Ne gjejmë një komb të lirë  por që kurrë nuk pushoi së luftuari për të. Ne gjejmë një komb ndaj të cilit u bënë padrejtësitë më të mëdha. Ndërsa sot, ky komb shkon drejt anëtarësimit të plotë në Aleancën më të madhe, më të fuqishme të gjitha kohërave, më të mirët e kësaj bote, dhe duke patur më të sigurt lirinë e tij. Të kesh të sigurt lirinë, do të thotë të kesh të sigurt të ardhmen, do të thotë të zhvillohesh dhe të ecësh me shpejtësi drejt zhvillimit dhe prosperitetit.

Në qoftë se i hedhim një sy vendit tonë, shohim se është një nga vendet më të pasura të planetit në pasuri natyrore. Por, ne jemi sërish jo të pasur sepse nuk kemi qenë të lirë të shfrytëzonim pasuritë e lirisë, nuk kemi qenë të lirë të shfrytëzojmë potencialet e mëdha të këtij vendi.
Në këtë vend kryqëzohet modernia me të vjetrën.  Në qoftë se ecën nëpër rrugët e Tiranës, ecën nëpër bulevarde vërtet moderne, por po të dalësh në zonën e Dajtit gjen rrugë që i përkasin të gjitha kohërave. Kjo ndodh, jo se ne nuk kemi dashur të kemi rrugë të mira, jo se në nuk kemi dashur të kemi alpet tona me resorte turistike siç i ka Zvicra, Italia apo Franca, por ne nuk kemi qenë të lirë ti ndërtojmë ato.
Dhe sot, të lirë dhe me lirinë tonë të sigurt në do të ndërtojmë në këtë vend një nga vendet më të zhvilluara, më të bukura dhe më të begata.

Pse e morëm ne ftesën për anëtarësim në NATO? Ne e morëm ftesën për anëtarësim, mbi të gjitha sepse ne në këto tre vite kemi ndërmarrë reformat më të thella, ose ndër më të thellat në historinë e vendit. Ne ndërmorëm reforma, të cilat faktuan se ne jemi qytetarë, jemi një popull, një shoqëri dhe një qeveri e përkushtuar ndaj demokracisë dhe vlerave të saj. Ne duam të ndërtojmë demokracinë në Shqipëri njëlloj si kombet që i përkasin Aleancës së Atlantikut të Veriut. Ne morëm ftesën për anëtarësim në NATO dhe do të bëhemi anëtar me të drejta të plota në këtë aleancë, me shpejtë nga sa mendohet. Kjo do të ndodhë sepse ne u angazhuam në një betejë me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar.

Të dashur studente dhe studentë,

Tre vjet më parë veriu i Tiranës sundohej nga Kullajt, Lushnja dhe Myzeqeja nga Aldo Bare, Durrësi nga banda të tjera, Tropoja nga të vetat, e kështu me radhë.
Sot, që të gjithë përballen me ligjin dhe sot, Shqipëria është një nga vendet më të sigurta, më të qeta dhe ka treguesit e kriminalitetit ndër më të ulëtit. Ne dëshmuan se ligji dhe zbatimi i tij do të jetë qëllimi ynë. 

Të dashur studente dhe studentë,

Në morëm ftesën për anëtarësim në NATO sepse ne treguam një vullnet të hekurt për të proceduar në reformat politike, të cilat i bënë qytetarët shqiptarë të lirë, të barabartë me njëri tjetrin dhe të barabartë para ligjit.
Ne treguam vullnet të hekurt për të konsoliduar në Shqipëri një sistem të pavarur drejtësie. Reformat që ne ndërmorëm gjatë këtyre muajve janë reforma hedhin bazën e vërtet për një Shqipëri më të lirë, më të denjë dhe më të zhvilluar.
Në morëm ftesën për anëtarësim në NATO sepse qeveria tregoi një vullnet të hekurt në luftën kundër korrupsionit. Sot vërtet ka korrupsion, por nuk ka më zyrtarë me konflikte interesi sikurse ishin më parë me monopole në ushqime, monopole të naftës dhe monopole të tjera.

Akti i parë i kësaj qeverie ishte nxjerrja e saj jashtë konfliktit të interesit. Sot ende ka korrupsion por dua t’ju njoftoj ju se administrata e sotme ka shpenzime operative rreth 31 për qind apo 110 milionë euro, më pak sesa administrata para saj.
Sot vërtet ka korrupsion, por duke luftuar korrupsioni në taksa, tatime dhe dogana ne ia kemi dalë, me gjithë uljen më të madhe të taksave në Evropë, të mbledhim në buxhetin e shtetit rreth 1.2 miliardë dollarë dhe kjo përbën një nga rritjet financiare  më madhore të Shqipërisë.
Jam sot këtu, të zotohem para jush se do të bëjmë çdo përpjekje, do të ndërmarrim çdo masë dhe do të bëjmë gjithçka që Shqipëria të ngrihet në lartësinë dhe pastërtinë e moralit tuaj.
Vetëm një Shqipëri që do të ketë moralin tuaj, pastërtinë e moralit tuaj do të jetë një Shqipëri që jo vetëm ecën shpejtë por do të fluturojë drejt lartësive që meriton.
Roma nuk është ndërtuar në një ditë, kështu që dhe ne do të rezistojmë, do të qëndrojmë së bashku në këtë betejë të madhe për ta ndryshuar Shqipërinë dhe për ta çuar atë përpara.
Ne do ta ndryshojmë me shpejtësi Shqipërinë.

Tre vjet më parë, në verën e vitit 2005, unë ecja rrugëve dhe shesheve të Shqipërisë, takoja të rinjtë dhe iu zotova se dyert e universiteteve do të hapen tërësisht për ta. Kjo është një nga premtimet e para që mbajtëm, liberalizuam pranimet në Universitete dhe dyfishuam buxhetin për Universitetet tona.
Por, sot është gëzim i madh për çdo qytetar shqiptar që nga 52 mijë studentë, sot kemi mbi 100 mijë dhe do të shkojmë drejt 140 mijë. Tre vjet më parë iu premtova të rinjve shqiptarë se në çdo shkollë do të shkojë interneti. Po ti rikthehemi shtypit të atij viti do të gjeni me dhjetëra artikuj ironizues ndaj meje. Por, jam njeri që i qëndroj asaj që premtoj dhe kam kënaqësinë t’ju informoj ju se deri në fund të këtij viti, të gjithë fëmijët, në të gjitha shkollat e Shqipërisë do të mund të lundrojnë në internet dhe së bashku me ta lundron Shqipëria.
Dua t’ju them ju se lundrim është vetëm alfa, por ne me shpejtësi do të zhvillojmë mësimin elektronik dhe me shpejtësi do të shtrijmë të gjitha procedurat. Ju do të keni aksesin më të plotë në shoqërinë e informacionit. Unë kam besimin më të madh se është kjo fushë, është mosha digjitale e cila e bën Shqipërinë më të lehtë dhe e sjell Shqipërinë në moshën tuaj. Kjo bën që Shqipëria të zhvillohet më shpejtë, ndaj dhe sot kam kënaqësinë që po ecim drejt shkollave elektronike.
Sot, kemi vendosur regjistrimin elektronik të biznesit, po ecim drejt taksës elektronike, drejt regjistrit civil elektronik, drejt organeve elektronike. Mosha digjitale është mosha më e denjë për Shqipërinë dhe së bashku do ta çojmë Shqipërinë në moshën digjitale.

Siç e dini, e shkuara ime është universitare. Unë kam dhënë 23 vjet mësim në universitet dhe dua t’ju them një gjë; kudo që të shkoni dhe çfarëdo që të bëni, shpirti kurrë s’do të ndahet nga profesioni yt. Ndaj dhe unë, gjithnjë dhe çdo ditë, e kam mendjen te ju, tek Universitetet.
Mendoj se çfarë duhet të bëj? Dy javë më parë zhvillova një takim me rektorë dhe dekanë.
T’ju them të vërtetën, nuk isha unë qeveritari kursimtar para tyre por, përkundrazi, unë i kërkova atyre të bënin projekte dhe qeveria ti financojë të gjitha projektet e tyre për kërkim, për kushte, për çdo gjë. Në po e dyfishojmë buxhetin. Ne, për të realizuar ëndrrat tuaja shkencore, të cilat janë ëndrra shumë fisnike kemi caktuar fondin e ekselencës. Fondi i Ekselencës është që secili nga ju që aplikon dhe fiton të drejtën për të mbrojtur doktoraturën apo masterin në një universitet të huaj, ne do t’i paguajmë bursën dhe më pas ai të vijë të punojë për 5 vjet në Shqipëri.
Ky fond është disponibël dhe sot, dhe unë ju jap fjalën se ky fond nuk do t’i mungojë asnjë djali apo vajze shqiptare që aplikon dhe fiton këtë të drejtë studimi. 

Investimi tek ju është investimi më i shkëlqyer, më i ndershëm, më i pastër dhe më i rëndësishëm që ne mund të bëjmë. Ne kemi krijuar Fondin “Brain Gain”, me të cilin kërkojmë të kthejmë në Shqipëri të gjithë ata djem dhe vajza që kanë studiuar jashtë dhe duan të kontribuojnë për vendin e tyre. Ne do të bëjmë çdo përpjekje për rritjen e cilësisë së mësimdhënies. Vetëm me një vendim të tre muajve më parë, qeveria që unë drejtoj i dha universiteteve 400 vende shtesë. Unë ju jap fjalën se ne jemi të gatshëm t’i japim dhe 500 të tjera, në mënyrë që këto universitete të shndërrohen në shprehës të mendimit intelektual shqiptar të shkollimit dhe kualifikimit të inteligjencës shqiptare.

Qeveria nuk është e përqendruar vetëm te universitetet. Qeveria ka bërë dhe po bën çdo përpjekje që shkollat e të gjitha cikleve të modernizohen. Në këtë kontekst, ne po shkojmë drejt dyfishimit të rrogave të arsimtarëve dhe drejt ndërtimit të një cikli të tërë konviktesh, në të cilat mund të strehohet çdo fëmijë shqiptar, pavarësisht se ku banon, që kërkon të vazhdojë shkollën e mesme. Ne do të japim të gjithë mbështetjen tonë për ta. Ashtu sikurse duam që çdo i ri shqiptar të vazhdojë studimet universitare, po ashtu do të bëjmë të mundur që çdo i ri shqiptar të vazhdojë shkollën e mesme. Pra, për mua arsimi mbetet përparësi e të gjitha përparësive.
Por, po zhvillohen dhe reforma të tjera të mëdha. Po ndryshojmë faqen e këtij vendi, sepse po ndryshojmë rrugët e këtij vendi. Fundjavën që kaloi isha në Sarandë. Banorët e Shën Vasilit, një fshat i bregut, më thanë; zoti Kryeministër ky investim që po bëni në rrugën e bregut është investimi më i madh që është bërë në bregun e Shqipërinë këto 90 vitet e fundit.
Imagjinoni pra, 90 vjet më parë italianët me rob luftë hapën rrugët. Por, por të shkojë më tutje, në fshatin Xarë, përballeshe me një peizazh nga më të bukurit që kam parë në jetën time por që kishte një rrugë për qerre, sikurse ka qenë 1500 vjet më parë. 
Ne nuk na tremb realiteti por ne e shohim atë drejt e në sy për ta ndryshuar. Prandaj dhe qeveria ime investon në rrugët e Shqipërisë këtë vit 1.2 miliardë dollarë ose 89 miliardë lekë, kundrejt 11 miliardë që janë investuar në vitin më kulmor të qeverive të mëparshme.

Ne do ta ndryshojmë Shqipërinë. Ne do ti japim Shqipërisë dhe shqiptarëve rrugët që meritojnë, rrugët me të cilat ata do të ndihen qytetarë evropiane, me rrugë që do të shpejtojnë zhvillimin e krahinave dhe rajoneve të tyre. Ne po investojmë për një Shqipëri të pastër. Dua t’ju them se nuk duhet ta gjykojmë pastërtinë e Shqipërisë nga Tirana. Tirana nuk është e pastër për shumë arsye por parasëgjithash Tiranës i nevojitet një trafik krejt tjetër. Ne do të bëjmë çmos që Tiranën, pavarësisht se drejtohet nga socialistët, ta ndihmojmë për të dalë nga ndotja.
Por ne do të bëjmë çmos për të mbajtur një Shqipëri të pastër dhe nga Velipoja në Sarandë po lulëzojnë impiantet e përpunimit të ujërave që të mos derdhen në det të papastra.
Por, nuk duhet të harrojmë se vetëm dy vjet më parë kemi inauguruar impiantin e poarë në historinë e këtij vendi për përpunimin e ujërave të zeza. Nuk u dekurajuam,  por përkundrazi vendosëm të ecim me shpejtësi dhe do të ecim me shpejtësi. Une ju garantoj se Shqipëria do të jetë vendi i ujërave më të pastra në Evropë.

Ne jemi përqendruar që pasuritë tona të mëdha dhe të pafundme, por që janë të fjetura dhe që sot derdhen në det, që mbeten të pa frekuentuara, që sot nuk prodhojnë asnjë vlerë për shqiptarët,  ti favorizojmë, ti vlerësojmë dhe ti bëjmë të vlefshme. Këto pasuri duhet ti bëjmë që shqiptarët të pasurohen nëpërmjet tyre. I tillë është potenciali turistik i vendin tonë, potenciali ynë më i madh. Çdo verë gjatë dy viteve të fundit turizmi u rrit me 33 % dhe ju garantojmë se këtë vit do të rritet më shumë. Shqipëria do të ketë këtë verë dy herë më shumë turistë sesa në 2005. Kjo do të thotë të ardhura dy herë më shumë, punësim dy herë më shumë, emër i mirë dy herë më shumë dhe njohje dy herë më e madhe.

Potencialet tona hidro energjetike janë të jashtëzakonshme. Lumenjtë tanë nuk janë mëdhenj, nuk janë të lundrueshëm por kanë lartësira, dhe zbresin nga lartësira, që i bëjnë ata nga më të përshtatshmit në Evropë për hidrocentrale. 20 miliardë kiloëat/orë janë për tu ndërtuar. Pothuajse për të gjitha këto ka projekte. Unë ju garantoj se brenda një kohe jo të gjatë, Shqipëria do të jetë importues i rëndësishëm i energjisë elektrike.
Të tilla janë depozitat gjigande minerare që ka vendi, ndër më të mëdhatë në botë me krom, nikel, hekur dhe minerale të tjera. 
Unë nuk kam ardhur t’ju them se Shqipëria do të jetë parajsë por dua t’ju them me bindjen më të thellë se njerëzit e mirë, qytetarët e saj mirë do ta bëjnë Shqipërinë të pasur, të bukur dhe të pastë si e duan ata.
Kam ardhur t’ju them se siç punuam me përkushtim dhe seriozitet për të marrë ftesën në NATO, do të punojmë me përkushtim dhe seriozitet për t’ju bërë ju të lëvizni të lirë në mbarë Evropën.
Gjatë vizitës në Bruksel temë kryesore ishte lëvizja e lirë e qytetarëve, që qytetarët shqiptarë të lëvizin të lirë si çdo qytetar evropian. Unë u zotova se do të marrë çdo masë, do të plotësoj çdo kërkesë dhe çdo kriter në mënyrë që të fitojmë lirinë e lëvizjes në Evropë. Te udhëtojmë pa viza.

Sot, po drekoja me disa ambasadorë të vendeve anëtare të NATO-s. Një prej tyre më tha se kishte qenë në Elbasan dhe ishte takuar me studentë. I kishte bërë një pyetje, në klasë kishte qindra studentë, se sa prej tyre kishin vizituar një vend anëtare të Bashkimit Evropian?  Më tha; mendova se sëpaku do ishin 20- 30 përqind por në këmbë u ngrit vetëm një. U ndjeva shumë në vështirësi, më tha, për regjimin që përdorin. E sheh zoti Ambasador, i thash, që duhet ta hiqni sa më shpejtë këtë regjim.
Unë ju siguroj se do të bëj çdo përpjekje që ju të jeni të lirë.

Duke e mbyllur këtë fjalë dua të shpreh dhe një herë, mirënjohjen time më të thellë ndaj studentëve dhe studenteve, të cilët në dhjetor të ’90 mbushën sheshin me brohoritjen “Duam Shqipërinë si Evropa” dhe “Shqipëria në NATO”.
Dua t’ju siguroj ju se do të bëj çdo përpjekje për të shpejtuar të gjithë hapat e integrimit të këtij vendi në Evropë. Unë ju siguroj ju se ndihem më krenar me mbështetjen tuaj. Në dy momentet më të rëndësishme dhe më vendimtare të jetës time, kanë qenë studentët dhe studentet, ata të cilët kam përcaktuar fatin e historisë.
Ishin të rinjtë dhe të rejat e Shqipërisë ata që në vitin 1992 i dhanë fitoren më të madhe demokracisë shqiptare dhe në 1990 mbushën rrugët dhe sheshet, duke u përballur me diktaturën.

Por, edhe në vitin 2005 ishte mbështetje e të rinjve shqiptarë ajo që më dha mundësinë që, atyre që e morën me armë, tua marrim me votë dhe të shohim drejt të ardhmes, drejt Evropës.
Dua t’ju them se ndihem shumë i lehtësuar, si qytetar, si pedagog dhe ish pedagog universiteti, por dhe si politikan, që vij sot këtu para jush si njeri i fjalës së mbajtur dhe i një premtimi shumë të madh të mbajtur”.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›