Kryeministri Berisha: Modernizimi i arsimit dhe shkollave, përparësi madhore e qeverisë
- Inaugurohet shkolla 9-vjeçare në Lundër, me investim të plotë nga buxheti i shtetit me vlerë mbi 1 milionë dollarë
Kryeministri Berisha, mori pjesë sot, në ditën e parë të vitit shkollor 2007-2008, në ceremoninë e inaugurimit të shkollës 9-vjeçare në Lundër. Kryeministri Berisha, i shoqëruar edhe nga Ministri i Arsimit dhe Shkencës Genc Pollo, zgjodhi këtë shkollë për t’u uruar një vit të mbarë shkollor rreth 650 mijë nxënësve të arsimit parauniversitar.
Shkolla 9-vjeçare e Lundrës është realizuar me një investim të buxhetit të shtetit që kap vlerën rreth 103 milionë leke. Për këtë vit shkollor janë regjistruar 414 nxënës, nga të cilët 98 i përkasin sistemit parashkollor. Shkolla ka 31 mësues, 26 klasa, një kabinet informatike të kompletuar, ambiente të standardeve më të mira, si dhe palestrën, e cila është në përfundim e sipër.
Këtë vit të ri shkollor ulen për herë të parë në bankat e shkollës rreth 50 mijë nxënës, ndërsa hyjnë për herë të parë në shkollat e mesme rreth 40.000 nxënës. Ndërkohë, janë 36 mijë mësues në të gjithë vendin që punojnë në sistemin e arsimit parauniversitar.
Kryeministri Berisha vizitoi ambientet e kësaj shkolle, kopshtin, ambientet e klasës së parë, kabinetin e informatikës, etj. Ai uroi nxënësit edhe mësuesit e kësaj shkolle për suksese në rrugën e tyre drejt dijes dhe i siguroi ata se qeveria do të vazhdojë të bëjë çdo përpjekje për modernizimin e shkollave dhe zhvillimin e arsimit në të gjithë vendin, si një nga përparësitë më madhore të programit qeverisës. “Për qeverinë, arsimi në zonat rurale dhe arsimi në tërësi, është dhe mbetet një përparësi madhore. Ne besojmë se Shqipëria do të mund të zhvillohet vetëm nëpërmjet dijes, arsimimit të të rinjve shqiptarë dhe kjo jo vetëm në Tiranë, por edhe këtu në Lundër dhe në mbarë vendin”, tha Kryeministri.
Gjithashtu, Kryeministri nxiti dhe mbështeti nismën për ngritjen dhe forcimin e arsimit profesional në vend. Aktualisht, tha Kryeministri, numri i nxënësve në këtë arsim është mbi 20 për qind, por qeveria synon ta çojë deri në 50 për qind . “Qeveria do të bëjë çdo përpjekje për të hapur në të katër anët e vendit, mbi bazën e projekteve serioze, shkolla të reja profesionale”, vijoi Kryeministri. Kryeministri kërkoi nga autoritet e pushtetit vendor që të mbështesin fuqishëm zhvillimin e arsimit në çdo zonë, duke theksuar se arsimi në buxhetin e qeverive vendore duhet të jetë zëri i parë.
Ndër të tjera, në fjalën e tij Kryeministri u shpreh; “Sot është një ditën e shënuar për mbarë kombin, për ju, për familjet tuaja, për të gjithë Shqipërinë. Sot, mbi 640 mijë fëmijë dhe të rinj shqiptarë nisin shkollën, nisin ngjitjen e shkallëve të dijes. Së bashku me ju, në këtë udhëtim ngjitin shkallët e dijes mbarë shqiptarët Sa më lartë të ecni ju aq më lart ngrihen familjet tuaja, shoqëria dhe kombi në tërësi. Ndaj unë, me gjithë zemër, dua t’ju uroj gëzuar këtë ditë, t’ju uroj suksese dhe t’ju siguroj se qeveria do të bëjë çdo përpjekje që në këtë udhëtim fisnik dhe shumë të rëndësishëm për ju dhe për vendin në tërësi, të keni mbështetje të fuqishme. Për qeverinë, arsimi në tërësi, arsimi në zonat rurale, është dhe mbetet një përparësi madhore. Ne besojmë se Shqipëria zhvillohet dhe do të mund të zhvillohet vetëm nëpërmjet dijes, arsimimit të të rinjve dhe të rejave shqiptarë dhe kjo jo vetëm në Tiranë, por edhe këtu në Lundër dhe në mbarë vendin.
Shqipëria është vend i vogël, asnjë pëllëmbë e territorit të saj nuk duhet braktisur. Shqipëria është një vend i pasur dhe, në këtë kontekst, ajo pret dijet dhe mendjet tuaja që të shndërrohet në një vend shumë të zhvilluar, për ju dhe gjeneratat që vijnë.
Sot ju nisni vitin e ri shkollor në një shkollë në të cilën janë investuar rreth 103 milionë lekë, në një shkollë moderne, ashtu siç e meritoni, me kabinetin e informatikës, me sistemin ngrohjes. Unë ju siguroj se modernizimi i shkollës suaj dhe i shkollave të tjera është dhe mbetet përparësi e madhe për qeverinë. Sot misionarët e dijes, mësuesit dhe mësueset tuaja nisin vitin e ri shkollor me një shpërblim pothuajse 50 për qind më të lartë se 2 vjet më parë. Unë dua të siguroj këtu para jush se qëllimi i qeverisë është të shkojë drejt dyfishimit të tij, drejt përmirësimit të kushteve të tyre, drejt krijimit të të gjitha mundësive të kualifikimit të vazhdueshëm të tyre, në mënyrë që ata të përmbushin me dinjitet misionin e tyre të madhe e fisnik, misionin më të rëndësishëm kombëtar të profesionistëve të vendit.
Përpjekjet për një arsim modern janë të mëdha, por më të mëdha janë kërkesat. Ndaj le të punojmë së bashku që shkollat tona të funksionojnë, krahas mësimit të paradites, edhe pasdite. Ato le të kthehen pasdite në qendra të fuqishme të edukimit, të mësimit, të ndihmës së komunitetit. Unë ftoj trupën pedagogjike të bëjë çdo përpjekje për të ndihmuar burrat dhe gratë, të rinjtë dhe të rejat e këtij komuniteti, të cilët të mund të orientohen drejt një profesioni, të mund të lartësohen në dijet e tyre. Këtu inaugurohet një kabinet informatike, le të funksionojë ai për nxënësit, por edhe për komunitetin.
Ne kemi një rrugë të gjatë për të bërë në arsimin profesional. Sot numri i nxënësve në këtë arsim është mbi 20 për qind. Objektivi ynë është të shkojë drejt 50 për qind, sepse vetëm në këtë mënyrë jemi të sigurt se u përgjigjemi kërkesave të tregut dhe krijojmë mundësi të mëdha për punësimin tuaj. Ndaj le t’i shndërrojmë shkollat tona kudo, në Tiranë, Shkodër, në Lundër, Durrës dhe kudo që janë, në qendra dhe komplekse të fuqishme të edukimit profesional, të të rinjve dhe të rejave, burrave dhe grave të Shqipërisë. Edhe njëherë dëshiroj t’ju uroj suksese në këtë garë. Gara e dijes është më e bukura, më fisnikja, është sfilata më madhështore e nxënësve, e prindërve, e shoqërive, e kombeve në tërësi. Urimet më të mira”.
Duke iu përgjigjur interesimit të mediave në këtë ditë të parë të vitit shkollor, Kryeministri Berisha tha:
“Dua t’u përcjell urimet më të përzemërta të gjithë fëmijëve, të rinjve shqiptarë, mësuesve të tyre, në këtë ditë të fillimit të vitit të ri shkollor, ditë në të cilën mbi 640 mijë nxënës nisin ngjitjen e shkallëve të dijes. Ky është udhëtimi më shpresëdhënës, më fisnik i një shoqërie, e një kombi.
Dua të siguroj mbështetjen e plotë dhe vendosmërinë e qeverisë për të investuar në arsim gjithnjë e më shumë, si investimi më i madh për të ardhmen tonë. Unë sot jam së bashku me ju në një shkollë të re, një shkollë e cila i ka të gjitha standardet më të mira. Ka numrin e nxënësve 25 deri në 30 nxënës për klasë, nga kopshti deri në maturë, shkollë e pajisur me kabinetin e informatikës, me sistemin e ngrohjes që funksionon. Ajo është në një zonë rurale të Tiranës, por kjo shkollë na fton dhe na nxit që në të gjitha zonat rurale të vendit të ndërtojmë dhe të ngremë shkolla si kjo, si një kusht përcaktues për të zhvilluar këto zona, duke garantuar rekrutimin mbi 90 për qind të nxënësve të zonave rurale në shkollat e mesme. Ne do të punojmë që këto shkolla të kenë të gjithë specialistët e të gjitha fushave që u duhen .
Një tjetër objektiv i yni, ndër më madhorët, në këto dy vite, do të jetë arsimi profesional . Qeveria do të bëjë çdo përpjekje për të hapur në të katër anët e vendit, mbi bazën e projekteve serioze, shkolla të reja profesionale, sikundër do të bëjë çdo përpjekje që shkollat ekzistuese t’i shndërrojë në komplekse edukimi profesional për komunitetin, gjatë kohës që ato nuk kanë nxënës, pra në turnet e dyta”.