E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha përshëndet Samitin e Dytë të Biznesit dhe Investimeve në Shqipëri

Kryeministri Berisha përshëndeti Samitin e Dytë të Biznesit dhe Investimeve në Shqipëri të organizuar nga Konventa Financiare Europiane. Gjatë fjalës së tij Kryeministri bëri një përmbledhje të nismave dhe reformave të ndërmarra nga qeveria për krijimin e një klime sa më të favorshme për tërheqjen e investimeve të huaja. Kryeministri theksoi se Shqipëria ka një situatë makroekonomike të ekuilibruar dhe të qëndrueshme, të karakterizuar nga një inflacion dhe deficit fiskal, të ulët, prej rreth 3% secili, dhe një rritje ekonomike prej 6%. Më tej Kryeministri tha se Shqipëria është më tepër se kurrë në vëmendjen e kompanive ndërkombëtare më të njohura, të cilat kanë prezantuar projektet e tyre të investimeve në sektorë të ndryshëm të ekonomisë. “Në Shqipëri, vitet e fundit kanë ndodhur shumë ndryshime përsa i përket klimës së biznesit. Reformat që po ndërmerren dhe politikat e strategjitë ekonomike të prezantuara dhe implementuara nga qeveria jonë do të sjellin dhe më shumë ndryshime pozitive në vend, e do ta bëjnë Shqipërinë dhe më tërheqëse për investimet e huaja dhe vendase”, u shpreh Kryeministri duke shtuar se rritja ekonomike ka qenë shumëdimensionale dhe ka përfshirë të gjithë shtresat e grupet shoqërore. Ekonomia, vijoi më tej Kryeministri, ka qëndruar e fuqishme. Tregtia me jashtë dhe shitjet e brendshme tregojnë që kërkesa për mallra e shërbime, mbetet e madhe dhe aktiviteti ekonomik vazhdon të rritet me shpejtësi e vitalitet, pavarësisht vështirësisë së motit. Kryeministri përmendi si një arritje mjaft pozitive zhvillimin e tregut bankar dhe rritjen e kreditimit për biznesin. Duke e vënë theksin në investimet e planifikuara në fushën e energjisë, Kryeministri veçoi dhënien me koncesion të disa hidrocentraleve dhe ndërtimin e disa TEC-eve, ndërsa nënvizoi se qeveria po shikon mundësitë e shfrytëzimit të burimeve alternative të prodhimit të energjisë. “Qeveria krahas nxitjes e mbështetjes së investimeve në energji në fushën hidro, po nxit dhe ato në TEC-e, energji ere dhe diellore. Një sërë investitorësh të huaj kanë sjellë projekte që priten të miratohen e implementohen. Në fazë të avancuar janë ato të kompanisë italiane Moncada. Projekte me vlerë mbi 1 miliard euro janë ato të linjës së interkonjeksionit, të TEC-it me gaz dhe depozitave të gazit e naftës në Porto Romano”, u shpreh Kryeministri Berisha. Në vijim të fjalës së tij Kryeministri garantoi biznesin e huaj dhe atë vendas se qeveria është e vendosur të vazhdojë reformat që lehtësojnë e nxisin zhvillimin e sektorit privat dhe që krijojnë një ambient tërheqës për investimet. Politikat tona fiskale, vijoi Kryeministri, po bëhen gjithnjë e më shumë politika pro biznesit. Kryeministri renditi si nisma mjaft të suksesshme në këtë drejtim hapjen e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit të Biznesit dhe kalimin e procedurave në shërbimin on-line. Në përfundim të fjalës së tij Kryeministri ftoi investitorët e huaj dhe ata vendas që të bëhen pjesë zhvilluese e ekonomisë së hapur të tregut. Përfaqësuesit e kompanive të huaja të biznesit, pjesëmarrës në këtë samit vlerësuan pozitivisht rezultatet e deritanishme të qeverisë shqiptare dhe shprehën gatishmërinë për të përdorur lehtësirat e krijuara, për zgjerimin e bizneseve të tyre në Shqipëri.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›