E Shtunë, 31 Tetor 2026

Italia përkrah integrimin e Shqipërisë në NATO dhe BE

Kryeministri Berisha priti sot zëvendësministrin Italian të Mbrojtjes z.Lorenzo Forcieri.

Gjatë bisedës, Kryeministri vlerësoi bashkëpunimin e shkëlqyer ndërmjet dy vendeve dhe shprehu mirënjohje për mbështetjen dhe ndihmën që qeveria dhe taksapaguesit italianë i kanë dhënë gjatë këtyre viteve Shqipërisë.

Në veçanti, Kryeministri vlerësoi përkrahjen e vazhdueshme të Italisë për integrimin e Shqipërisë në NATO dhe Bashkimin Europian.

Kryeministri Berisha dhe zëvendësministri Italian i Mbrojtjes vlerësuan si tepër të suksesshëm bashkëpunimin ushtarak ndërmjet dy vendeve dhe shprehën vullnetin për të thelluar dhe më tej atë.

Kryeministri falenderoi zëvendësministrin Forcieri për ndihmën që qeveria italiane ka dhënë për reformimin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë.

Në vazhdim, Kryeministri njohu Zotin Forcieri me objektivat e qeverisë shqiptare për të ndërtuar një forcë ushtarake tërësisht profesioniste, të mirëpajisur dhe mirëstërvitur, të denjë për t’u shpalosur përkrah ushtrive të vendeve antare të NATO-s.

Zëvendësministri italian vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet dy vendeve tona, veçanërisht ato në fushën ushtarake.

Duke i’u referuar ndryshimeve pozitive që ka pësuar ushtria shqiptare, zëvendësministri Forcieri vlerësoi kontributin e rëndësishëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë në misionet paqeruajtëse të NATO-s.

Zëvendësministri Forcieri siguroi Kryeministrin Berisha për përkrahjen e plotë nga ana e qeverisë italiane për integrimin e Shqipërisë në BE dhe NATO. Ai shprehu angazhimin e Italisë që Shqipëria dhe vendet e Kartës “Adriatik 3” të antarësohen sa më shpejtë në NATO.

Të dy personalitetet, u shprehën në vazhdim, për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në të gjitha fushat ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›