Berisha-Georgievski: Angazhim të gjithanshëm për të merituar ftesën për antarësim në NATO
Kryeministri Berisha priti sot pasdite një delegacion të Kuvendit të Maqedonisë të kryesuar nga Kryetari, Ljubisa Georgievski.
Takimi u përqëndrua në marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet dy vendeve, si dhe angazhimet e ndërmarra përsa i përket integrimit në NATO, në kuadër edhe të Kartës “Adriatik 3”.
Kryeministri Berisha dhe Kryeparlamentari Georgievski ndanë të njëjtin mendim për angazhim të gjithanshëm në përmbushjen e reformave, me qëllim që të dy vendet të meritojnë ftesën për antarësim në NATO, ftesë që pritet të merret Samitin e Bukureshtit në vitin 2008.
“Kemi mbërritur në fund të maratonës për antarësim në NATO por si gjithnjë fundi është më i vështirë. Në këtë fazë kërkohet impenjim maksimal nga ana jonë për të arritur standarted e nevojshme për të merituar ftesën e antarësimit në NATO, në Samitin e Bukureshtit në vitin 2008”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Kryeministri i njohu zyrtarët maqedonas me reformat e ndërmarra si dhe arritjet e deritashime të qeverisë shqiptare, kryesisht në luftën ndaj krimit të organizuar, korrupsionit, përmirësimin e klimës së biznesit në vend, etj.
Kyetari i Kuvendit të Maqedonisë, Ljubisa Georgievski, tha se ishte impresionuar nga zhvillimet tepër pozivite në Shqipëri, kryesisht nga reformat që qeveria ka ndërmarrë në këto dy vite.
“Jam i mahnitur nga zhvillimet që kanë ndodhur në Shqipëri në këto dy vite. Vlerësoj se meritimi i ftesës për antarësim në NATO, nuk është thjesht një çështje ushtarake por është edhe një çështje politike dhe ekonomike”, u shpreh Georgievski.
Kryeministri Berisha dhe Zoti Georgievski ndanë të njëjtin qëndrim lidhur me çështjes së Kosovës, duke vlerësuar rëndësinë e paqes dhe stabilitet në rajon.
Kryeparlamentari maqedonas u shpreh se Maqedonia mbështet dhe do të mbështesë deri në fund planin Ahtisari, si zgjidhjen më të mirë për Kosovën dhe rajonin.