E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Motoja ime është premtim, mbajtje fjale dhe inaugurim

 - Kryeministri inauguron përfundimin e  asfaltimit të rrugës rurale Dajç-Pentar me gjatësi 5 km  

Kryeministri Berisha inauguroi sot përfundimin e punimeve në rrugën rurale Dajç-Pentar në Qarkun e  Shkodrës, një investim me  vlerë prej 30 milionë lekë. 
 
Pas prerjes së shiritit të inaugurimit, Kryeministri Berisha siguroi kryetarin e komunës Dajç se së shpejti do të nisin edhe disa projekte të tjera, të cilat do ta shndërrojnë këtë komunë në një nga lagjet e Shkodrës, përsa i përket infrastrukturës. “Do të bëjmë çmos që brenda vitit të parë të mandatit të dytë të qeverisë, në rast se mençurisht shqiptarët zgjedhin Sali Berishën dhe qeverinë e tij, të asfaltojmë të gjitha rrugët e kësaj komune, e cila ka një bimësi dhe bujqësi jashtëzakonisht të fuqishme. Gjatë këtyre tre viteve të fundit këtu janë asfaltuar 13 km rrugë.”
 
Duke iu referuar inaugurimit të asfaltimit të disa rrugëve në Xhafzotaj pak ditë më parë, Kryeministri theksoi se banorët shprehën kënaqësinë për sistemimin dhe asfaltimin e rrugëve, aq sa ndjeheshin si në Tiranë, pavarësisht se kryetari i Bashkisë së Tiranës i cilëson ata banorë të fshatit. “Unë, nga këtu, i them Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, ki kujdes me fshatin sepse ke një borxh të vjetër ndaj tij. Prandaj mos lësho mufka të tjera se nuk është mirë”, tha Kryeministri. 
 
Pyetjes së përfaqësuesve të medias, nëse ky tur inaugurimesh do të konsiderohet si nisje e fushatës elektorale, Kryeministri iu përgjigj: “Nëse e quani edhe këtë tur inaugurimesh fushatë, atëherë të jetë e qartë se Sali Berisha është gjithë jetën në fushatë, sepse unë premtoj dhe e mbaj fjalën. Kjo nuk është fushatë, por nëse doni mund ta quani të tillë. Motoja ime është premtim, mbajtje fjale dhe inaugurim. Unë, nuk do t`i ndahem kësaj motoje asnjëherë derisa të mbetem në politikë. Nëse qytetarët e pëlqejnë këtë dhe më votojnë nuk është përgjegjësia ime, por merita e tyre që dinë të vlerësojnë atë që duhet të vlerësojnë”. Kryeministri tha se turi i tij, nesër do të vijojë me inagurime në Vlorë.
 
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve të pranishëm në këto inagurime, edhe për raportet e qeverisë me institucionet e tjera, Kryeministri Berisha pohoi se institucionet nuk kanë qenë kurrë më të pavarura se sa janë sot.
“Në gjykimin tim, institucionet nuk kanë qenë kurrë më të pavarura. Debatet janë debate,  janë konstante të demokracisë. Standardet janë standarde dhe për këtë qeveria është e vendosur që të vendosë standardet më të mira. Debatet janë konstante e pandryshueshme e një shoqërie të lirë, por nga debati tek standardi janë dy gjëra të ndryshme. Standardi ka qenë dhe është qëllim madhor i kësaj qeverie. Çdo gjë do të ketë standard”, tha Kryeministri.
 
Në këtë kontekst, Kryeministri shprehu sigurinë se Shqipëria po bën dhe do të vazhdojë të bëjë hapa para. “Jam i sigurt se Shqipëria po bën dhe do të bëjë hapa para. Ka debate për probleme të ndryshme. Për shembull pati debate dhe përplasje për gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, por ky debat solli një procedurë bilaterale, siç ua paralajmërova, më transparente dhe parlamenti shqiptar votoi  si një nga parlamentet më të mira dhe futi seancën e dëgjimit. Presidenti bëri hapat e tij dhe futi një proces transparent para qytetarëve”, u shpreh Kryeministri.

Mendoj, vijoi më tej Kryeministri, se Shqipëria do të vlerësohet nga standardet. “Shqipëria jo që nuk do të bëjë hapa prapa, por do të bëjë shumë hapa përpara. Ky është zotimi im para shqiptarëve, para partnerëve, miqve dhe aleatëve tanë dhe para të gjithë atyre që e duan dhe e mbështesin në rrugën e  integrimit euroatlantik”, tha Kryeministri duke garantuar se miqtë e Shqipërisë po shtohen çdo ditë e më shumë.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›